AKR-ja nuk do të garojë në zgjedhjet e 7 qershorit

Aleanca Kosova e Re (AKR) nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i AKR-së, Emir Abrashi, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar se vendimi është marrë pas diskutimeve dhe konsultimeve të brendshme në parti.
Sipas Abrashit, në këtë fazë AKR-ja do të fokusohet në ristrukturimin dhe reformimin e plotë të subjektit politik, me synimin për ta rikthyer atë si një alternativë serioze në skenën politike.
“Ky është një vendim i menduar me përgjegjësi dhe me fokus të plotë tek e ardhmja e AKR-së. Në periudhën në vijim, energjia jonë do të përqendrohet në ristrukturimin e tërësishëm të partisë, riorganizimin e brendshëm, krijimin e një platforme të hapur për ide dhe hartimin e një programi modern që adreson realisht sfidat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Abrashi ka thënë se qytetarët kanë nevojë për një alternativë të besueshme politike dhe se procesi i reformimit synon ta pozicionojë AKR-në si një forcë politike për ata që, sipas tij, kanë humbur besimin në politikë.
Në fund të reagimit të tij, ai ka falënderuar anëtarët dhe mbështetësit e partisë për përkrahjen ndër vite, duke shtuar se rrugëtimi politik i AKR-së do të vazhdojë “me më shumë reflektim, më shumë vizion dhe më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve”.




















































