“Grusht kushtetues” dhe shkelje ligjore, reagime pas zhvillimeve në Kuvend

Reagime të ashpra kanë pasuar pas tentativës së Lëvizjes Vetëvendosje për të proceduar me zgjedhjen e presidentit të vendit me vetëm 64 deputetë në sallën e Kuvendit, duke nxitur akuza për shkelje kushtetuese dhe cenim të rendit juridik.
Një nga reagimet më të forta ka ardhur nga drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, i cili zhvillimet në Kuvend i ka cilësuar si sulm të drejtpërdrejtë mbi rendin juridik të Republikës së Kosovës.
Përmes një reagimi në Facebook, Peci e ka quajtur situatën e krijuar “grusht kushtetues”.
“Kjo çfarë po ndodh sonte në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka emër dhe mbiemër: Grusht kushtetues!”, ka shkruar ai.
Reagim ka pasur edhe nga hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, i cili ka vlerësuar se votimi pa praninë e së paku 80 deputetëve përbën shkelje të pastër kushtetuese.
Sipas tij, vetë mbajtja e raundit të votimit pa verifikimin e pjesëmarrjes së të paktën 80 deputetëve bie ndesh me standardet kushtetuese dhe praktikën e deritanishme.
“Edhe vetë mbajtja e raundit të votimit, pa praninë e së paku 80 deputetëve – e cila është dashur të verifikohet përmes votimit për pjesëmarrje – përbën shkelje të pastër kushtetuese”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se çdo përpjekje për të vazhduar me raunde të tjera votimi pa përmbushjen e kuorumit kushtetues do të cenonte drejtpërdrejt rendin kushtetues.
“Çdo përpjekje nesër për të vazhduar me raunde të tjera pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues”, ka shtuar ai.
Reagimet vijnë në një moment të tensionuar politik, teksa procesi i zgjedhjes së presidentit po shoqërohet me përplasje të forta rreth interpretimit të procedurave kushtetuese dhe legjitimitetit të votimit./Telegrafi.




















































