Mësimdhënës të gjuhës angleze nga mbarë Kosova u mblodhën në konferencën më të madhe profesionale të organizuar nga Shtëpia Botuese “Dukagjini” në bashkëpunim me Pearson, ku në fokus ishin sfidat dhe mundësitë që sjell Inteligjenca Artificiale në arsim, aftësitë që u nevojiten nxënësve për të ardhmen dhe roli i mësimdhënësit në një botë që po ndryshon me ritme të shpejta.

Konferenca solli sesione të shumta profesionale, të udhëhequra nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim mbështetjen e zhvillimit profesional të mësimdhënësve dhe ofrimin e metodave të reja të mësimdhënies në epokën digjitale.


Përfaqësuesja e Shtëpisë Botuese “Dukagjini”, Jeta Zymberi tha se kjo është një nga konferencat më të rëndësishme që organizohet për mësimdhënësit në Kosovë dhe synon t’u ofrojë atyre njohuri të reja dhe mundësi për avancim profesional.

“Jetojmë në një kohë kur Inteligjenca Artificiale dhe teknologjia po zhvillohen me shpejtësi. Për këtë arsye, edhe mësimdhënësit duhet të ecin paralelisht me këto ndryshime, duke përvetësuar metoda të reja dhe duke u përshtatur me nevojat e kohës”, tha Zymberi.

Ajo theksoi se konferenca përfshiu tema të ndryshme, duke nisur nga inovacionet në mësimdhënie e deri te mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve.

Sipas saj, në konferencë ligjëroi edhe eksperti i njohur ndërkombëtarë, Grant Kempton, një nga emrat më të njohur në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze, si dhe psikologia klinike Emirëjeta Kumnova-Hoxha.

Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve “Dukë Talks”, një iniciativë e organizuar nga Shtëpia Botuese “Dukagjini”, e cila ka angazhuar nxënës nga klasat e para deri në klasën e 12-ta në mbarë Kosovën.

“Në këtë proces, mësimdhënësit kanë pasur një rol kyç në mbështetjen dhe motivimin e nxënësve. Për këtë arsye janë përzgjedhur nëntë mësimdhënës fitues, të cilët do të shpërblehen me një udhëtim tërësisht të financuar në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të marrin pjesë në një konferencë profesionale”, bëri të ditur Zymberi.

Ajo shtoi se Shtëpia Botuese “Dukagjini” vazhdon të mbështesë mësimdhënësit jo vetëm me tekste dhe materiale mësimore, por edhe përmes trajnimeve, aktiviteteve profesionale dhe iniciativave që synojnë ngritjen e cilësisë në arsim.

Pjesëmarrësit vlerësuan lart organizimin dhe rëndësinë e konferencës për zhvillimin e tyre profesional.

Mësimdhënësi i gjuhës angleze, Kemajl Islami tha se aktivitetet e tilla janë shumë të dobishme pasi u mundësojnë mësimdhënësve të përfitojnë njohuri të reja dhe të krijojnë bashkëpunime me kolegë nga institucione të ndryshme arsimore.

“Konferenca të tilla janë shumë produktive. Përveç njohurive të reja, ato ofrojnë mundësi për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim profesional mes mësimdhënësve”, tha ai.

Edhe mësimdhënësja Yllka Radoniqi e konsideroi konferencën një mundësi të mirë për komunikim dhe shkëmbim informacionesh mes kolegëve.

“Evente të tilla janë gjithmonë të mirëseardhura. Përveç takimeve me kolegët, marrim edhe informacione dhe praktika të reja që na ndihmojnë në punën tonë të përditshme”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, mësimdhënësja Pranvera Preniqi tha se pjesëmarrja në trajnime dhe konferenca profesionale është e domosdoshme për çdo mësimdhënës.

“Gjithmonë mundohem të ndjek trajnime të tilla, sepse fitojmë njohuri të reja dhe informacione të vlefshme që na ndihmojnë të avancojmë në profesion”, tha Preniqi. /Telegrafi/