Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ozkan Ulutash, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, kanë rikonfirmuar angazhimin për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në funksion të ruajtjes së sigurisë në Kosovë.

Kjo u bë më rastin e një takimi ku i pari ishte mysafir i të dytit.


Sipas një njoftimi që KFOR lëshoi për këtë ngjarje, gjenerali i NATO-s dhe koloneli i Kosovës diskutuan për bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushën e sigurisë, aktivitetet e koordinuara ndërmjet dy institucioneve që ata udhëheqin dhe rëndësinë e ruajtjes së koordinimit të ngushtë.

Palët rikonfirmuan, sic thuhet, përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit institucional, forcimin e shkëmbimit të informacioneve dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, me qëllim garantimin e një ambienti më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët.

Komandanti i KFOR-it theksoi se misioni i udhëhequr nga NATO do të vazhdojë të punojë ngushtë me institucionet vendore për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në mënyrë transparente dhe të paanshme.

Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës, në takim u diskutua edhe për aktivitetet e përbashkëta të këtyre dy forcave, të cilat ndikojnë në situatën e sigurisë në nivel vendi. Po ashtu, u vlerësua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit, mirëbesimit dhe koordinimit ndërmjet dy institucioneve, si elemente kyçe për rritjen e mëtejme të sigurisë së përgjithshme në Kosovë.