Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin do të mbahen më 7 qershor.

Vendimi u bë i ditur pas një takimi konsultativ me përfaqësues të partive politike, ku, sipas saj, ishin ftuar 17 subjekte, ndërsa 15 prej tyre morën pjesë.


Haxhiu tha se data është caktuar pas shqyrtimit të propozimeve të partive dhe në përputhje me afatet ligjore dhe kushtetuese.

“Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përfundova takimin me drejtues e përfaqësues të subjekteve politike. Në këtë takim ishin të ftuara 17 parti politike; të pranishme ishin 15 prej tyre. Dëgjova propozimet për datën e zgjedhjeve. Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 7 qershor”, deklaroi ajo.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të nisë përgatitjet për procesin zgjedhor në ditët në vijim./Telegrafi.