Pas zhvillimeve të fundit politike në vend, ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u shpreh se ka triumfuar Kushtetuta dhe rendi ligjor ndaj asaj që ai e cilëson si qasje populiste të kryeministrit Albin Kurti.

“Mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti”, thuhet në deklaratën e Haradinajt.


Sipas tij, është forcuar vetëdija institucionale dhe rezistenca e opinionit publik ndaj çdo përpjekjeje për të cenuar rendin kushtetues të vendit.

“Ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik e faktorit politik se nuk do të lejohet shkatërrimi i rendit politik e kushtetues të vendit”, deklaroi ai.

Haradinaj gjithashtu u shpreh se në Kosovë nuk mund të ketë individ apo parti që, sipas tij, rrezikon ekzistencën e shtetit, duke theksuar se vendimmarrja duhet t’i kthehet qytetarëve.

Në deklaratën e tij, ai kritikoi ashpër mënyrën e qeverisjes së deritanishme, duke pretenduar se vendi ka humbur kohë nën pushtetin aktual.

“Megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullakuar gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet, prej sot nis një etapë e re për shtetin”, u shpreh Haradinaj.

Ai akuzoi gjithashtu ekzistencën e një qasjeje të centralizuar të pushtetit, të cilën e quajti “parti-shtet”, duke thënë se kjo, sipas tij, është përmbysur.

“Është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti”, deklaroi ai.

Haradinaj theksoi se partia e tij do të vazhdojë angazhimin politik në interes të vendit. /Telegrafi/