Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se veprimet e opozitës janë anti-institucionale dhe se, sipas tij, synimi i saj është vetëm bllokimi i qeverisë.

Në një konferencë për media, Kurti tha se kjo sjellje e opozitës përbën “mosnjohje të rezultatit zgjedhor”.


“Opozita ka qëllim vetëm bllokimin e qeverisë sonë. Kjo nuk mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor”, u shpreh ai.

Kurti akuzoi opozitën se ka bllokuar edhe pakon ekonomike, e cila, sipas tij, kishte për qëllim ndihmën për qytetarët.

Ai theksoi se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, duke argumentuar se vendi ka pasur mjaft zgjedhje dhe se rezultati është i qartë, ndërsa paralajmëroi edhe kosto financiare.

“Nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, pasi kemi mbajtur mjaft shumë dhe rezultati është i qartë. Po humbin 10 milionë euro vetëm për organizimin e zgjedhjeve, shto edhe humbjet nga mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se ditëve të fundit liderët opozitarë kanë refuzuar edhe takimet me të, pavarësisht propozimeve të bëra nga ana e tij.

“Në propozime, ata refuzime. Edhe dy kandidatët tonë u tërhoqën dhe propozuam tjerë. Sërish refuzim”, deklaroi Kurti.

Ndërkohë, seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit është shtyrë për në orën 19:00.