Vjosa Osmani në listën e LDK-së, PSD me aksion: Me këtë qasje më shumë i shkon simbolika e “Kalit të Trojës”

Partia Socialdemokrate (PSD) ka realizuar një aksion simbolik, ku ish-presidentja Vjosa Osmani është paraqitur si “Kali i Trojës”.
PSD kritikoi rikthimin e Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj theksoi se zhvillimet e fundit po e konfirmojnë se nuk ka tabor opozitar në vend.
“...Këto parti opozitare po shkojnë në këto zgjedhje me një qëllim shumë të thjeshtë, por shumë të padobishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, po garojnë për pak më shumë deputetë që me pas pak më shumë hise në qeverinë e ardhshme. Kthimi që u trumpetua me të madhe i Vjosa Osmanit në LDK i ka dy probleme shumë të mëdha. E para është një mashtrim i madh publik, sepse Vjosa Osmani nuk është kthyer fare në LDK.
Vjosa Osmani po e përdor LDK-në si trampolinë për potencialisht ndonjë pozitë të ardhshme në institucionet e Kosovës. Qysh edhe u mor vesh sheshazi, ajo nuk është anëtare e LDK-së; e mori një grup prej nja 20 veta, po i çon në listën e LDK-së dhe po e ripërdor LDK-në edhe një herë“, u shpreh Molliqaj.
Ai tutje tha se kësaj qasje të saj më shumë i shkon simbolika e “Kalit të Trojës”.
“... ne besojmë që me këtë qasje më shumë i shkon simbolika e ‘Kalit të Trojës’, sepse LDK-ja më shumë sesa po bashkohet, po ndahet rishtazi. Sepse njerëzit të cilët i qëndruan besnikë LDK-së në periudhën kur u braktis nga Vjosa Osmani, ku u sulmua nga Vjosa Osmani, ku u shkatërrua nga Vjosa Osmani qysh edhe vetë ju e keni parë nuk kanë qenë pjesë e ceremonisë së bashkimit të trumpetuar nga kryetari Abdixhiku”, tha tutje kryetari i PSD-së.
Sipas tij, ky bashkim është lidhje e interesit për pozita të dy individëve që e kanë kapur këtë parti. /Telegrafi/

























































