Please enter at least 3 characters.

Feride Rushiti merr vetëm 63 vota, seanca për presidentin vazhdon nesër

Kuvendi i Kosovës të hënën mbajti seancë plenare kushtuar çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Në rend dite ishte “diskutimi lidhur me zgjedhjen” e kreut të shtetit, në një moment kur institucionet po i afrohen afatit të përcaktuar me Kushtetutë për finalizimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit.

Në seancë nuk kanë marrë pjesë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.

Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

27/04/2026 23:07- Abdixhiku prezanton 15 nënshkrimet e LDK-së për Vjosa Osmanin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka treguar nënshkrimet e tyre për kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.


27/04/2026 22:53- Seanca për Presidentin, LDK: LVV sonte inicoi përmbysjen e rendit kushtetues

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se “ka inicuar përmbysjen e rendit kushtetues” gjatë seancës së thirrur sonte për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në një komunikatë për media, LDK-ja ka thënë se nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues “përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit”.

Lajmi i plotë>>>

27/04/2026 22:30- Tahiri: Sonte në Kuvendin e Kosovës ndodhi puç kushtetues

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se ajo që ka ndodhur sot është një “puç kushtetues”.

“Ajo që bëri Haxhi është një goditje e rëndë ndaj rendit kushtetues duke nisur një seancë me rregulla të përcaktuara, ku duhet 2/3 e votave për nisje të seancës së Kuvendit”, u shpreh Tahiri.

Lajmi i plotë >>>>

27/04/2026 22:00- Dështon seanca për zgjedhjen e presidentit

Në Kuvendin e Kosovës u mbajt raundi i parë i votimit për President, ndonëse në sallë nuk janë të pranishëm dy të tretat e deputetëve.

Në mesin e dy kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti mori 63 vota ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.

Në sallë të pranishëm janë 64 deputetë ndërsa opozita e ka bojkotuar seancën.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e mbylli seancën ndërsa tha se e njëjta do të vazhdojë nesër (e martë) e cila është edhe dita e fundit sipas aktgjykimi të Kushtetueses.

27/04/2026 21:51- Nis votimi për president, opozita nuk është prezente në sallë

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi për nisjen e votimit për dy kandidatet për presidente të Kosovës: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Megjithatë, në sallë janë të pranishëm vetëm deputetët e shumicës parlamentare dhe ato të opozitës po i bojkotojnë punimet.

Në të tri rundet duhet të marrin pjesë 80 deputetë dhe me po dy të tretën e votave bëhet zgjedhja e presidentit në dy rundet e para. Në rundin e tretë kërkohen vetëm 61 vota – apo shumica e thjeshtë – që një kandidat të zgjidhet president.

27/04/2026 21:43-Gola: Vota ime shkon për Feride Rushitin, ajo ishte propozim i Kurtit

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LVV-së, Ardian Gola, pak para nisjes së seancës, ka deklaruar se emri i Feride Rushitit për Presidente, ka qenë propozim i kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Golës, Rushiti është favorite për t’u përkrahur në garën me Hatixhe Hoxhën.

Gola ka deklaruar se edhe vota e tij do të shkon për Feride Rushitin.

Lajmi i plotë>>>>

27/04/2026 21:08- Nis seanca, Haxhiu fton opozitën të vijë në sallën plenare

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ftoi deputetët opozitarë që të vijnë në sallë për seancën e zgjedhjes së presidentit.

Sipas saj, ata janë "nëpër zyrat e tyre" në Kuvendin e Kosovës.

27/04/2026 20:52- Çitaku: Ftesa për seancë na erdhi në 20:26, ndërsa seanca duhej të niste në 20:30 – kaq seriozë janë për Presidentin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me thirrjen e seancës për zgjedhjen e Presidentit, duke e quajtur të papërgjegjshëm mënyrën e organizimit.

Sipas saj, ftesa për seancë ka ardhur vetëm katër minuta para kohës së paraparë për fillimin e saj.

Lajmi i plotë>>>>

27/04/2026 20:45- Këto janë dy kandidatet e Vetëvendosjes për president

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar zyrtarisht se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka proceduar kërkesën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Seanca është caktuar të mbahet sonte në orën 20:30, ndërsa në këtë proces janë propozuar dy kandidate nga radhët e grave për postin e presidentes.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se për këtë pozitë janë zyrtarizuar Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha si dy kandidatura.


Hatixhe Hoxha është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2010.

Ajo ka shërbyer si anëtare e Kryesisë dhe si anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës në vitin 2017, si dhe ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Aktualisht, ajo është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik.

Hoxha ka përfunduar studimet bazë dhe magjistraturën në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa është në përfundim të studimeve të doktoratës.

Ajo ka përvojë si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka punuar si mësimdhënëse, gazetare dhe lektore.

Feride Rushiti është një nga figurat më të njohura të shoqërisë civile në Kosovë dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Që nga viti 1999, ajo ka udhëhequr punën për rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për njohjen e statusit të tyre ligjor dhe institucional.

Rushiti është nderuar në vitin 2018 nga Departamenti Amerikan i Shtetit me çmimin “International Women of Courage”, për kontributin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe guximin në angazhimin e saj shumëvjeçar.

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ishin nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Ndërkohë, Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të marrin pjesë në seancë, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre është obligim kushtetues.

27/04/2026 20:05- Vetëvendosje propozon dy kandidate për presidente: Rushiti dhe Hoxha

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Sipas njoftimit, seanca e jashtëzakonshme do të mbahet sot në orën 20:30.

Në kuadër të kësaj kërkese, janë propozuar dy kandidatura për president: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Haxhiu ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në seancë, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre është në përputhje me obligimet kushtetuese.

27/04/2026 19:50- Lushaku - LVV-së: A i keni 66 vota për propozimin tonë?

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka kritikuar seancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për çështjen e presidentit, duke e cilësuar atë më shumë si një platformë partiake sesa një proces institucional.

Sipas saj, në këtë seancë nuk është trajtuar fare propozimi i LDK-së për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

“Dy orë diskutime në një seancë që i ngjante më shumë një platforme partiake sesa një procesi institucional. Asnjë trajtim, asnjë fjalë, asnjë qëndrim për propozimin tonë: çështjen e vetme thelbësore, pra zgjidhjen konkrete për president”, ka thënë Lushaku.

Ajo ka ngritur pyetjen nëse Vetëvendosje i ka votat e nevojshme për propozimin e LDK-së.

“A i keni 66 vota për propozimin tonë?”, ka deklaruar ajo.

Lushaku theksoi se pa një përgjigje të qartë për këtë çështje, çdo diskutim tjetër, sipas saj, mbetet i paplotë dhe i pamjaftueshëm për zgjidhjen e situatës institucionale.

Ajo e ka cilësuar debatin në Kuvend si “shou propagandistik”.

27/04/2026 19:10- Konjufca dhe Mulhaxha tërheqin kandidaturën për president

Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër aktual dhe i propozuar aktual për president është tërhequr zyrtarisht nga kandidatura.

Tërheqjen e bëri publike edhe deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, kandidatja e dytë e propozuar për presidente nga LVV-ja.

Pas tërheqjes së dy kandidaturave, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e mbylli seancën e jashtëzakonshme.

27/04/2026 19:06- Cakolli: Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon nesër në mesnatë

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka sqaruar se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit nuk përfundon sonte, por nesër në mesnatë.

Sipas tij, afati 34-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese përfundon të nesërmen, duke u bazuar në mënyrën e llogaritjes së afateve kushtetuese dhe rregullave të punës së Gjykatës.

Cakolli ka theksuar se, sipas Rregullës 29(1b), kur afatet shprehen në ditë, ato fillojnë të llogariten nga dita pasuese e ngjarjes përkatëse.

Ai ka shpjeguar se meqë aktgjykimi ka hyrë në fuqi më 25 mars, afati ka nisur të rrjedhë nga 26 marsi, ndërsa dita e 34-të përmbyllet nesër në mesnatë.

Sipas këtij interpretimi, hapësira kushtetuese për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit mbetet e hapur edhe për një ditë.

27/04/2026 19:04- Konjufca akuzon opozitën se përmes presidentit dëshiron ta rrëzojë Qeverinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka deklaruar se përmes çështjes së presidentit, opozita po synon rrëzimin e Qeverisë.

Ai tha se partitë opozitare janë të vetëdijshme se nuk mund ta përmbysin rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe as të sigurojnë shumicën prej 50 për qind në zgjedhje të parakohshme.

Sipas Konjufcës, situata aktuale tregon se opozita, siç u shpreh ai, mund të ketë mundësi për të zgjedhur presidentin, por nuk po dëshiron ta bëjë këtë.

“Kjo Qeveri po synon të rrëzohet më president. Në çdo fazë që po kalojmë, përshkrimet e sakta janë ato që më së shumti na ndihmojnë. Tash jemi në situatën kur munden të kenë president dhe nuk duan të kenë president”, tha Konjufca.

Ai shtoi se, sipas tij, partitë opozitare nuk besojnë në mundësinë e ndryshimit të rezultatit zgjedhor në zgjedhje të reja.

“Pyetja është a presin që LVV-ja të ketë 13 apo 17 për qind dhe ata 50 për qind? Unë nuk besoj që ata vetë e besojnë këtë. Ata e dinë saktë se çka ndodh”, deklaroi ai.

Konjufca theksoi se, sipas tij, arsyeja e vetme e kësaj qasjeje është “hizlizmi politik”, duke shtuar se pasojat e tij për shtetin e Kosovës, siç tha ai, nuk mund të parashikohen me saktësi.

27/04/2026 19:02- Haxhiu: Bojkoti i opozitës e shtyn vendin drejt krizës, deputetët janë të obliguar të votojnë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar në seancën e thirrur për zgjedhjen e presidentit se mungesa e opozitës po prodhon pasoja direkte dhe po e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme politike.

Seanca po zhvillohet pa pjesëmarrjen e partive opozitare, të cilat e kanë bojkotuar procesin.

“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme”, tha Haxhiu.

Ajo iu referua edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se sipas tij deputetët janë të obliguar të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë leje të rregullt paraprake.

“Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë marrë leje të rregullt paraprake”, shtoi ajo.

27/04/2026 19:00- Kurti në Kuvend: Afati kushtetues për presidentin po përfundon, dështimi çon në zgjedhje të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në seancën e Kuvendit të thirrur për zgjedhjen e presidentit se ka pasur gatishmëri dhe interesim për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë proces.

Ai ka folur për konceptin e kompromisit në demokraci, duke theksuar se ai duhet të bazohet në parime demokratike dhe jo në pazare politike për, siç u shpreh, “rehatimin e figurave politike”.

“Marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Por kompromisi duhet të jetë demokratik. Nuk është pazar që lidhet për të rehatuar figura politike”, tha Kurti.

Sipas tij, kompromisi i vërtetë ndërtohet mbi respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe përgjegjësinë institucionale të partive politike.

“Kompro­misi i vërtetë ndërtohet mbi dy shtylla të panegociueshme: respektin për rezultatin e zgjedhjeve dhe përgjegjësinë institucionale që rrjedh nga mandati i marrë nga qytetarët”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe jo të interpretohet si nënshtrim.

Sipas tij, termi “nënshtrim” është keqpërdorur nga opozita, e cila, siç tha ai, kompromisin e paraqet si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve.

“Rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe respektimi i tij nuk është nënshtrim. Nëse ka nënshtrim, ai është ndaj verdiktit të qytetarëve”, tha Kurti.

Ai shtoi se kompromisi nënkupton marrëveshje që reflekton peshën elektorale të secilit subjekt politik dhe jo imponim politik.

27/04/2026 18:59- LVV insiston që opozita të bëjë të propozojë emra për president

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj është e gatshme të japë nënshkrimet e nevojshme për tre kandidatë për president, sapo që emrat të propozohen nga PDK-ja dhe LDK-ja.

“Arsyeja e tre kandidatëve është që PDK dhe LDK të bëhen pjesë e procesit. Dhe, do të shmangeshin zgjedhjet e reja sepse do të merrnin pjesë në votim 80 deputetë”, tha ajo.

Nagavci tha se LVV tërheqë kandidatët e saj për president, por opozita duhet që paraprakisht të propozojë të paktën dy emra për president.

Ajo tha se pranuar asnjë nënshkrim nga LDK-ja për të propozuar ish-presidenten Vjosa Osmani për presidente.

E pyetur që të konfirmojë raportimet se LVV po bisedon me Bashkim Jasharin që ai të kandidohet për president, Nagavci tha:

“Nuk mund të konfirmoj informacionin që po qarkullon në media. Ajo që mund të konfirmoj është që si LVV kemi bërë propozime të njëpasnjëshme dhe i fundit ishte propozimi i tre kandidatëve”.

27/04/2026 18:58- PDK nuk merr pjesë në seancë, Hamza: Çështja e presidentit është temë e mbyllur

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se partia e tij ka përmbyllur kontributin për çështjen e presidentit.

Ai tha se të gjitha propozimet e bëra nga partia e tij “nuk janë marrë në konsideratë” nga LVV-ja.

“Ju uroj sukses në zgjedhjen e presidentit me 90 deputetët” e tjerë të Kuvendit, tha Hamza pas përfundimit të seancës së rregullt plenare.

I pyetur nëse do të votonte dikë nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, Hamza tha se në këtë drejtim qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar – teksa paraprakisht kishte shprehur mbështetje për ndonjë kandidat nga kjo familje.

E nëse LDK-ja e propozon ish-presidenten Vjosa Osmani, Hamza tha se ajo mund të zgjidhet me votat e LDK-së dhe LVV-së.

Hamza tha se me LVV-në diskutimet asnjëherë nuk kanë arritur deri te emrat e përveçëm.

Ai nuk tregoi nëse deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën për presidentin.

27/04/2026 18:57- As AAK nuk merr pjesë në seancën për presidentin

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për diskutim lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Tahiri tha se diskutime serioze për presidentin ishin dashur të bëhen tash e tre muaj.

“AAK nuk ka qenë e ftuar në këto diskutime, nuk ka marrë pjesë dhe rrjedhimisht ne nuk marrim pjesë në një diskutim që sërish është një performancë publike”, tha Tahiri.

Ai shtoi se diskutimi i sotëm pritet të jetë "diskutim për të folur vetmëvete”, duke iu referuar partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

27/04/2026 18:55- LDK nuk merr pjesë në seancën e Kuvendit për diskutim në lidhje me Presidentin

Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u ka thënë mediave që si parti nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur të Kuvendit të Kosovës për “diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit.

Seancën e paralajmëruar, Abdixhiku e ka quajtur “show propagandues i Vetëvendosjes ”.

Seanca është paralajmëruar se do të fillojë sot në orën 17, gjersa afati i fundit për zgjedhjen e një presidenti është nesër më 28 prill.

Në të kundërtën, Kosova do të shkojë në zgjedhje.

Edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili e ka quajtur këtë seancë "show", në një postim në Facebook duke thënë se për Presidentin "votohet e nuk diskutohet".