LAJMI I FUNDIT:

Formë e re testimi për patentë shoferë, zbatimi nis sot nga Ministria e Infrastrukturës

Formë e re testimi për patentë shoferë, zbatimi nis sot nga Ministria e Infrastrukturës

Në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit të proceseve administrative, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se ka ndërmarrë disa reforma që do të ndihmojnë kandidatët gjatë testimit për marrjen e lejes së vozitjes.

Një nga risitë kryesore që do të implementohet është forma e re e testimit, për të gjitha kategoritë, që përfshin pyetje të përditësuara dhe një format të ri të testit.

Kështu ka bërë të ditur MMPHI-ja në një përgjigje për Telegrafin, ku theksoi se forma e re e testimit të hyjë në fuqi më 18 shkurt, saktësisht sot.


“Sot më datë 18.02.2025, në kuadër të risive të proceseve të testimit për kandidatët e patentë shoferëve, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës ka ndërmarrë një sërë reformash që synojnë rritjen e transparencës, saktësisë dhe lehtësimit të procesit të testimit për Patentë Shofer”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Ministria ka theksuar se këto risi janë pjesë e angazhimit të tyre për të siguruar një proces më efikas, të drejtë dhe të përshtatshëm për të gjithë kandidatët.

Kujtojmë se kohë më parë kjo ministri kishte hasur në keqpërdorime e shkelje të shumta ligjore në procesin e marrjes së patentë-shoferit.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi kishte paralajmëruar se do të konfiskohen të gjitha patentë-shoferët që janë marrë kundërligjshëm. /Telegrafi/