LAJMI I FUNDIT:

Kosova qe gjashtë muaj pa drejtor të policisë, e 10 muaj pa Kryeprokuror të Shtetit

Kosova qe gjashtë muaj pa drejtor të policisë, e 10 muaj pa Kryeprokuror të Shtetit

Është bërë gjysmë viti që prej kur Kosova ka mbetur pa drejtor të policisë e gati një vit pa Kryeprokuror të Shtetit. Të parin nuk po e emëron ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, pavarësisht që konkursi është mbyllur, e të dytin nuk po e dekreton presidentja Vjosa Osmani. Kritika e akuza kanë shkuar në drejtim të tyre për prolongim të këtyre proceseve në dy prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

Janë bërë gjashtë muaj prej kur Samedin Mehmeti hoqi dorë nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, e 10 muaj prej kur ka përfunduar mandati i Aleksandër Lumezit si Kryeprokuror i Shtetit.


Ani pse konkursi për drejtorin e ri të policisë ka kohë që është mbyllur e edhe propozimi për Kryeprokuror të Shtetit është bërë nga Këshilli Prokurorial, ende këto dy pozita po funksionojnë me ushtrues detyre.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, duket se nuk po zgjedh dot kë ta propozojë te kryeministri, e as Presidentja Vjosa Osmani nuk po e dekreton e as refuzon emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror.

Tash e dy ditë, as kabineti i ministrit Sveçla e as Presidenca nuk u janë përgjigjur pyetjeve të televizionit për këto vonesa.

I ashpër dhe kritik për këto dy procese shprehet Driton Selmanaj, deputet nga LDK-ja.

“Mendoj që është sjellje e dënueshme edhe për presidenten Vjosa Osmani edhe për kryeministrin Albin Kurti. Është shumë për çudi që dy njerëz të cilët më së shumti në gojën e tyre edhe në narrativen e tyre e kanë pasur sundimin e ligjit arrijnë deri në ketë situatë që organet kryesore të cilat do të merreshin me ndjekje penale edhe me vendosjen e rendit edhe ligjit siç është Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, mbesin pa udhëheqje”, deklaron Selmanaj.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka akuza më të rënda.

Ai thotë se dy krerët vendimmarrës për këto poste po përfitojnë kohë, në mënyrë që aty të vendosin persona të tyre të besueshëm.

“Preferenca është që ushtruesi i detyrës duhet të jetë pa tjetër Drejtor i Përgjithshme i Policisë së Kosovës. Te aspekti i dytë pse nuk kemi një kryeprokuror, unë mendoj që ketë çështje presidentja e ka lidhur në aspektin personal me kandidatin potencial, i cili do të duhej të ishte në krye të kryeprokurorisë të Kosovës sepse mungesa e tij de fakto po e destabilizon aspektin juridik penal të Kosovës”, shprehet Drizan Shala.

Aktualisht ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është Fehmi Hoti, ndërkaq i Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj./RTVDukagjini/