LAJMI I FUNDIT:

​Muja: Trusti nuk kalon pasi do të duhej të ishin pesë vota pro

​Muja: Trusti nuk kalon pasi do të duhej të ishin pesë vota pro
Foto: Arkiv

Përkundër që në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa që është mbajtur gjatë ditës ishte konstatuar votimi në parim i Projektligjit që mundëson tërheqjen e mjeteve të Trustit, kryetari i Komisionit Armend Muja tha se në bazë të Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar ky projektligj.

Deputeti Muja në mbledhjen e radhës të këtij komisioni që po mbahet tani, tha se nuk ka pasur vota të mjaftueshme për Trustin. Sipas tij, do të duhej të ishin 5 vota për, jo katër.

Gjatë ditës Komisioni për Buxhet ka shqyrtuar dhe votuar për këtë projektligj, me 4 vota pro, tri kundër dhe dy abstenime.


Nënkryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku kërkoi të përsëritet votimi, por për një gjë të tillë nuk është pajtuar pozita.

Në këtë mbledhje, mori pjesë edhe deputeti nga AAK Besnik Tahiri, i cili u zhgënjye me konstatimin e fundit që nuk kalon Trusti. Ai fillimisht uroi që ka kaluar Trusti, por deputeti Muja i tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Urime që kaloi Trusti! O Zoti pa ju vra mos e lashtë!”, tha me ironi Tahiri.

Pas kësaj, Komisioni votoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit Opec për Zhvillim Ndërkombëtar.