LAJMI I FUNDIT:

Policia thotë se ka funksionalizuar sistemin e hallkave në të gjitha drejtoritë rajonale

Policia thotë se ka funksionalizuar sistemin e hallkave në të gjitha drejtoritë rajonale

Që nga dhjetori i vitit 2024, Policia e Kosovës ishte pajisur me hallkat elektronike, të cilat përdoren për mbikëqyrje të të dënuarve për dhunë në familje, në mënyrë që të pandehurit të qëndrojnë larg viktimës.

Ndonëse nuk kanë treguar se sa persona përcillen me hallka elektronike, Policia e Kosovës i ka treguar TV Dukagjinit se tashmë ato janë funksionale në të gjitha drejtoritë rajonale.

“Rreth projektit për Monitorimin Elektronik të Urdhrave Mbrojtës u njoftojmë se Policia e Kosovës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme për implementimin e këtij projekti duke përfshirë trajnimin e personelit të nevojshëm si dhe ka vendosur dhe funksionalizuar sistemin në të gjitha drejtoritë rajonale”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.


Ndërkohë, ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, ka thënë se kjo do ta lehtësojë punën e Policisë së Kosovës dhe do të ulë rastet e dhunës në familje.

“Vendimin për vendosjen e këtyre hallkave tek kryesit e veprave penale të dhunës në familje e merr gjykata, në mënyrë që të ruhen këta kryes të veprave penale që mos ta përsërisin. Në momentin që ata afrohen te viktima menjëherë alarmohet policia”, ka thënë Morina.

Kjo mund të ndikojë në uljen e rasteve, por sipas avokatit Ardian Bajraktari, ky proces është vonuar shumë sepse ligji ekziston qysh prej vitit 2015.

“Aplikimi i këtij ligji në masë të konsiderueshme do të nënkuptonte parandalim të dhunës në familje ose riviktimizim të kësaj kategorie por vlerësoj që do të ketë impakt edhe për sa i përket masës së shqiptimit të masave të tjera alternative për sigurimin e të pandehurit në procedurë përveç paraburgimit”, ka thënë avokati Bajraktari.

Shkelja e urdhrit mbrojtës nga të dyshuar për dhunë në familje, u ka kushtuar me jetë disa grave viteve të fundit./Dukagjini/