LAJMI I FUNDIT:
Peja 4° fair_day

Shtëpia e dëshmorit, vatër e UÇK-së mbetet pa rrugë prej vitesh

Shtëpia e dëshmorit, vatër e UÇK-së mbetet pa rrugë prej vitesh

Në lagjen Haxhiaj të fshatit Novosellë, shtëpia e një dëshmori ka mbetur pa një rrugë të shtruar që do ta lidhte me atë kryesore, duke u bërë për vite të tëra objekt i premtimeve të papërmbushura nga Komuna e Pejës.

Shtëpia, që dikur shërbente si strehë për ushtarët e UÇK-së, tani është lënë në mëshirë të fatit.


Kryefamiljarja Hidajete Brahimaj, në një prononcim për Telegrafin, ka treguar se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe premtimeve të komunës, rruga ende nuk është ndërtuar.

“Tre herë kam qenë vet në komunë, e po ashtu edhe të afërmit kanë shkuar për të bërë kërkesën për shtrimin e rrugës, kom has në refuzime, sivjet nuk ka, por do ta bëjmë”, ka thënë Brahimaj.

Sipas saj, Komuna e Pejës i kishte kërkuar që fillimisht ta hapnin rrugën në mënyrë vetanake, ndërsa pjesën tjetër do ta mbulonte komuna.

Por, edhe pasi rruga prej 400 metrash u hap me vetëfinancim nga familja, projekti nuk u realizua.

“Rruga është e gjatë 400 metra, e kemi hapur në mënyrë vetanake sepse kryetari Muhaxheri më ka thënë hapeni ju sepse ne do bëjmë diçka dhe pastaj këtë rrugë e vendosën njëherë në projekt, por pastaj e kanë tërhequr totalisht si projekt”, ka vazhduar Brahimaj.

Ajo shtoi se për tërheqjen e projektit ka diskutuar edhe me kryetarin e komunës, i cili sipas saj, ka pranuar që është bërë një zëvendësim për një tjetër projekt.

Për këtë arsye Telegrafi ka tentuar të kontaktojë me komunën e Pejës, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kjo shtëpi është një vend i rëndësishëm historik dhe simbolik për familjen dhe fshatin Novosellë. /Telegrafi/