LAJMI I FUNDIT:
Gjakova 26° partlycloudy_day

Vazhdon hedhja e mbeturinave tek Shpella e Kusarit

Vazhdon hedhja e mbeturinave tek Shpella e Kusarit

Shpella e Kusarit është një nga atraksionet turistike në Komunën e Gjakovës dhe pas investimeve nga ana e Komunës së Gjakovës, në rregullimin e shtigjeve që të dërgojnë deri te shpella është rritur edhe numri i njerëzve që e vizitojnë këtë shpellë.

E pikërisht numri i lartë i atyre që e vizitojnë këtë shpellë ka bërë që gjendja në afërsi të shpellës të mos jetë ashtu siç duhet, pasi që që vizitorët pas vetes kanë lënë edhe mbeturina, të cilat pavarësisht që kohë më parë ishin vendosur shportat e mbeturinave për të evituar pikërisht këtë problem, vazhdojnë t’i hidhen në tokë, duke e dëmtuar edhe imazhin e shpellës.

Lidhur me mirëmbajtjen e kësaj pjese, Telegrafi ka kontaktuar edhe me drejtorin ekzekutiv të KRM “Çabrati”, Behar Ferizi.


Ai i tha Telegrafit ka kjo pjesë pastrohet rregullisht nga kjo kompani.

“Mbeturinat te Shpella e Kusarit pastrohen rregullisht nga KRM ‘Çabrati’, mirëpo tash ka frekuentim më të shpeshtë të vizitorëve dhe po hedhin mbeturina të cilat edhe përkundër që janë shportat e vendosura ata i hedhin jashtë tyre ose në hapësirat përreth, dukuri kjo ndodh më së shumti gjatë ekskursioneve që organizohen nga shkollat”, potencoi Ferizi.

Ai u bëri apel vizitorëve që të jenë më të kujdesshëm për ambientet e kësaj shpelle.

“Ne u bëjmë apel të gjithë vizitorëve, e sidomos udhëheqësve të ekskursioneve të kenë kujdes që kur të vizitohen këto vende t’i mbledhin mbeturinat në shporta ose të paktën në një vend që edhe punëtorëve të kompanisë t’u lehtësohet sado pak puna që ata bëjnë”, përfundoi Ferizi. /Telegrafi/