LAJMI I FUNDIT:

Haxhiu: Nuk shoh përpjekje e as vullnet për reforma nga Këshilli Prokurorial

Haxhiu: Nuk shoh përpjekje e as vullnet për reforma nga Këshilli Prokurorial

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nuk sheh përpjekje dhe as vullnet nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për reforma.

Këtë deklarim ajo e ka bërë në rrjetin social Instagram, teksa iu është përgjigjur qytetarëve të cilët e kanë pyetur se si e vlerëson punën e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor.


Haxhiu ka thënë se e vlërëson punën dhe angazhimin e deritanishëm të Këshillit Gjyqësor, ndërsa është shprehur skeptike se mund të ketë reforma pa hyrë në fuqi Ligji për KPK-në.

“Nuk shoh përpjekje dhe as vullnet nga ana e KPK-së për reformim. Pra, nuk kam besim që mund të bëhen reformat aty pa hyrë në fuqi Ligji për KPK-në. Ndërsa sa i përket KGJK-së, e vlerësoj punën dhe angazhimin e tyre tani për tani”, ka shkruar ministrja e Drejtësisë.

Ajo më tej është pyetur edhe për mundësinë që opozita ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin e ri për KPK-në.

Haxhiu ka thënë se “opozita në vazhdimësi ka qenë e përkushtuar në pengimin e reformave në drejtësi dhe jo vetëm”.

“Prandaj, duke ia ditur qëllimet, besoj që sërish do të ketë përpjekje të tilla”, ka shkruar mes tjerash ajo. /Telegrafi/