LAJMI I FUNDIT:

OpenAI do të ofrojë deri në 20,000 dollarë shpërblim për raportimin e defekteve

OpenAI do të ofrojë deri në 20,000 dollarë shpërblim për raportimin e defekteve

OpenAI, firma e cila qëndron pas senzacionit ChatGPT, ka deklaruar se do të ofrojë deri në 20 mijë dollarë për përdoruesit të cilët i raportojnë defektet në sistemin e saj të inteligjencës artificiale.

Programi “OpenAI Bug Bounty”, i cili u lansua dje, do të ofrojë shpërblime për përdoruesit duke u bazuar në ashpërsinë e defekteteve të cilat ata raportojnë, me shpërblimet të cilat fillojnë nga 200 dollarë për defekt.

Kompanitë e teknologjisë programet për shpërblesat e defekteve zakonisht i përdorin për t’i inkurajuar programerët dhe hakerët etikë t’i raportojnë defektet në sistemet e tyre softuerike, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.


Sipas detajeve në platformën e shpërblesave të defekteve “Bugcrowd”, OpenAI i ka ftuar studiuesit që të rishikojnë disa funksionalitete të caktuara për ChatGPT-n dhe kuadrin se si komunikojnë sistemet e OpenAI dhe se si i ndajnë të dhënat me aplikacionet e palëve të treta.

Programi nuk përfshin shpërblimin për raportimin e përmbajtjes së pasaktë ose me qëllim të keq të prodhuar nga sistemet OpenAI.

Kjo lëvizje vjen disa ditë pasi që përdorimi i ChatGPT u ndalua në Itali për shkak të një dyshimi për shkeljen e rregullave të privatësisë, duke i nxitur rregullatorët e vendeve të tjera evropiane të studiojnë më afër shërbimet gjeneruese të inteligjencës artificiale. /Telegrafi/