LAJMI I FUNDIT:

Narkobosi aziatik që krahasohet me El Chapon, ekstradohet në Australi

Narkobosi aziatik që krahasohet me El Chapon, ekstradohet në Australi

“Mbreti” më i kërkuar aziatik i drogës Tse Chi Lop (59), është ekstraduar në Australi ku atje do të përballet me drejtësinë dhe me dënimin e mundshëm me burgim të përjetshëm.

Tse, i njohur si El Chapo i Azisë, akuzohet për drejtimin e një tregtie droge prej miliarda dollarësh në disa vende, nga Japonia në Zelandën e Re, shkruan BBC.


Ai besohet të jetë në krye të një organizate që dominon tregun e paligjshëm të drogës në Azi, prej 70 miliardë dollarësh, transmeton Telegrafi.

Narkobosi kanadez u arrestua nga Interpoli në një aeroport holandez vitin e kaluar. Policia australiane publikoi imazhe të oficerëve të armatosur që e shoqëronin atë nga aeroplani në aeroportin e Melburnit në pranga. Tse është planifikuar të dalë sot para një gjykate lokale.

Banda kriminale e narkobosit aziatikë kontrabandoi sasi të mëdha metamfetamine, heroine dhe ketamine në Australi.

Akuzat e Australisë kundër Tse kanë të bëjnë me operacionet nga viti 2012 deri në 2013, kur u importua në vend metamfetaminë me vlerë 4.4 milionë dollarë australianë, ekuivalente me 2.98 milionë dollarë amerikanë.

Policia gjeti mbi katër milionë dollarë australianë para të gatshme, 99 çanta të shtrenjta dhe një Lamborghini të verdhë në shtëpinë e Tse në Melburn.

Policia australiane e ka ndjekur atë për më shumë se një dekadë. Shumica e drogës së tij thuhet se ka përfunduar në Sydney dhe Melburn.

Tse u arrestua në aeroportin Schiphol të Amsterdamit në janar të vitit 2021, ndërsa po përpiqej të hipte në një aeroplan.

Tse mohoi akuzat për drogë. Ai pretendoi se arrestimi i tij ishte vendosur nga autoritetet australiane dhe se policia australiane organizoi ilegalisht deportimin e tij nga Tajvani në Kanada, duke përfshirë një ndalesë në Holandë, në mënyrë që ai të mund të arrestohej atje.

Më shumë se 20 agjenci u përfshinë në arrestimin e Tse. Ai  thuhet se ka jetuar në Hong Kong, Macau dhe Tajvan vitet e fundit. I kaloi nëntë vjet në burg, pasi u arrestua për trafik droge në SHBA në vitet e 90-ta. /Telegrafi/