LAJMI I FUNDIT:

Në Stamboll, Preng Pasha, Gani dhe Esat Toptani, qisnin pushkë pa nda, deheshin e bënin zhurmë duke e bezdisur edhe Sulltanin

Në Stamboll, Preng Pasha, Gani dhe Esat Toptani, qisnin pushkë pa nda, deheshin e bënin zhurmë duke e bezdisur edhe Sulltanin
Ilustrim
Lexo po ashtu: Me ndërmjetësinë e francezëve, Isa Boletini pranoi të internohej në Mal të Zi, por u pre në besë

Me largimin nga Shkodra të Malit të Zi, më 17 janar 1916 hyri Austria. Oficeri politik austriak, lejtnan Tashi, në Bashkinë e Shkodrës shpalli një urdhër, nëpërmjet të cilës kërkonte paraqitjen në bashki të personave që kishin kryer me diplomë shkolla të larta. Me këtë rast u paraqitëm: doktor Saraçi, avokat Qazim Dani dhe unë, si akademik ushtarak.

Mbasi i tregova dokumentin e kërkuar, oficeri austriak më propozoi që të merrja në dorë drejtimin e Policisë së Shkodrës. I thashë se nuk isha oficer policie, por i trupave aktive. Mbasi ai këmbënguli, unë kërkova kohë derisa të ktheheshin një pjesë oficerëve shqiptarë që ishin në Mal të Zi. Më pas do të vendosnim, mbasi të shikonim se si Austria do ta konsideronte Shqipërinë. I nevrikosur me qëndrimin tim, më nxori jashtë.


Kështu u shkëputa nga kjo degë administrative. Në vendin tim u emërua “ober oficial”, Drejtor Policie, Hilë Mosi, dhe si togerë oficial, Ymer Ruzhdia – Ulqinaku, dhe Ymer Kopliku. Të nesërmen, komanda e ushtrisë austriake më thirri dhe më kërkoi mendim në lidhje me veprimet tekniko-ushtarake në Shqipëri dhe më detyruan që t’ju prija trupave të tyre. U nisa me karrocën e Bashkisë së Shkodrës dhe i mbërrita trupat në malin e Kakariqit. Me pas mbërritëm në Lezhë dhe prej këndej u nisëm për Krujë, ku çarmatosëm xhandarët e Esat Toptanit. Këtu u bashkuam me forca të tjera, në mes të cilave kishte ardhur dhe Murat Bej Toptani.

Komandant i ushtrisë austriake ishte Haersler.

Prej këndej, u ktheva në Shkodër, ku gjeta shokët që ishin liruar nga robnimi në Malin e Zi, si dhe oficerët vullnetarë që kishin shkuar në Austri. Të gjithë, bashkë me Luigj Gurakuqin, u mblodhëm në shtëpinë e Fejzi Alizotit, në lagjen katolike “Bardrej”, ku diskutuam çështjen e uniformës të oficerëve shqiptarë. Dallimi u bë duke vënë spaletat kuq e zi dhe në kapë inicialet “F.I.” (që do të thoshte: Franc Jozefi i Parë). Këtë veprim e kundërshtova. Propozova që në kapë të vihej “W-I”, që do të thotë Widi I. Por, për këtë veprim nuk gjeta përkrahje.

Komanda austriake, pasi u konsultua me komandën e përgjithshme, na detyroi që të vëmë në kapë shenjën “FI”. Në bisedë me shokët oficerë, i propozova që para se të viheshim në shërbim të Austrisë, të bënim një kontratë me ta, për të mbrojtur të drejtat tona. Kjo gjë nuk u bë mbasi shokët që erdhën nga Austria thanë se ishin përbetuar njëherë për mbretin e nuk mundnin ta kërkonin një gjë të tillë. Gjithashtu, Fejzi Alizoti dhe Luigj Gurakuqi nuk ma përkrahën idenë politike të kontratës shoqërore me Austrinë. Kështu që mbetëm të nënshtruar pa asnjë të drejtë, nën sundimin e Perandorisë Austro-Hungareze.

Mbasi më mori në shërbim, Austria më dërgoi te kulla e Lumës, së bashku me një kapiten austriak, Negrep, për të themeluar administratën e Lumës, Hasit, Pejës dhe Dibrës. Shërbimi im në këtë detyrë ishte si këshilltar i komandantit të këtij qarku. Detyra ishte për të rregulluar administratën, xhandarmërinë dhe për të lëshuar urdhëresa të administrimit austriak në Shqipëri.

Përveç kësaj, kishim për detyrë të caktonim edhe kufijtë e administrimit mes Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë.

Komanda austriake në Shqipëri u mor dhe me hetimin e ngjarjeve të zhvilluara në këtë krahinë. Siç kemi thënë dhe më parë, Austria, kishte grumbulluar para okupacionit veshmbathje dhe armatime për t’i përdorur kundra Serbisë e Malit të Zi, kur të fillonte lëvizjet ushtarake.

Sipas hetimeve që bëmë na rezultoi se në këtë luftë kishin marrë pjesë edhe Elez Isufi në krahinën e Dibrës, në Reç e Dardhë, ku i kishte shkatërruar Serbisë një divizion. Vetë Elezi, na tregoi para shtëpisë së vet, varret e 573 forcave ushtarake serbe, si dhe një sasi të madhe armatimesh në mes të cilave dhe dy mitraloza. Për këto veprime, Austria e dekoroi Elez Isufin me medaljen e “Kryqin e Oficerëve” të Urdhrit të Franc Jozefit.

Nga ana tjetër, Bajram Curri, kishte luftuar gjatë lumit të Drinit, te Ura e Vezirit dhe kishte shkatërruar një tjetër divizion të Serbisë. Megjithëqë komanda Austriake në Shqipëri kishte bërë propozim për dekorim edhe për Bajram Currin, këtij nuk ju dha mbasi, siç duket governanti austriak i Malit të Zi, ishte kundra dekorimit të Bajram Currit, të cilin e paraqiste si një brigand.

Kjo u pa edhe në rastin kur ne kërkuam që Bajram Curri të vinte nga ana jonë, ai (governanti), mezi u bind që ta lejonte për të kaluar. Gjatë kontrolleve që bënim në vende të ndryshme, në katundin Zym të Hasit Gjakovës, konstatuam se kapteri austriak, frati i vendit, Pashko Prela, dhe drejtori i shkollës fillore, ishin bërë administrata kryesore e vendit, duke administruar edhe 13 katunde myslimane. Duke bërë shpërdorime të mëdha, ata kishin shkaktuar pakënaqësi në popull. Për këtë arsye kapiteni Negreb mori masa. Kapterin austriak e degradoi, dhe e transferoi si ushtar të thjeshtë në Galici, ndërsa fratin e dërgoi në Mal të Zi.

Mbasi isha mërzitur me punët administrative, për të mos me u komprometuar në popull, vendosa të largohesha nga Kullat e Lumës dhe bëra kërkesë për të shkuar në Shkollën e Aeroplanëve, Vinermajshtag. Si përgjigje më thanë se më parë duhej të ndiqja Shkollën e Oficerëve të Rezervës, që ishte hapur pak kohë më parë në Shkodër. U futa në shkollë si dëgjues. Mbas përfundimit të shkollës më dërguan në ballë të luftës (front) në Berat. Ndërsa lufta vazhdonte, bashkë me aleatët ne formuam çetat shqiptare për t’i ardhur në ndihmë ushtrisë.

Përveç kompanisë që kisha në Kalanë e Beratit, mbasi dija gjermanisht, isha caktuar edhe në Komisionin e Informatave të Luftës. Raportet që vinin nga balli i luftës të shkruara shqip dhe turqisht, unë i përktheja në gjermanisht. Një ditë vjen një urdhër sekret nga Berlini. Ai urdhëronte Austrinë që çetave shqiptare të formuara në Epir, t’i vihej në kapë parulla “ Vetëqeverimi i Epirit”.

Mbas këtij urdhri, oficerët e Austrisë biseduan me oficerët grekë për të pezulluar përkohësisht luftën, për një oportunizëm politik që Kajzeri i Gjermanisë bënte me nipin e tij Kostandinin e Greqisë, të cilin mundohej për ta tërhequr nga vetja. Si oficerë shqiptarë ne u zumë ngushtë. I mblodha shokët oficerë në shtëpinë e Sali Nivicës, i cili kishte funksionin e sekretarit të përgjithshëm të Prefekturës së Beratit. Në mbledhje merrte pjesë dhe prefekti, Hajdar bej Kolonja, të cilin austriakët mbas katër muajsh e vranë në Gjojc.

Në mbledhje i tregova urdhrin sekret që kishte ardhur nga Berlini dhe i kërkova që secili të vepronte sipas dëshirës. Ndërsa, Shefqet Korçës, i propozova që të dezertonim e të dilnim nga ana e aleatëve, duke e ditur që ky ishte oficer karriere i frontit dhe kishte me vete shumën prej 600 napolona ar dhe 900 korona serm, që ja paguante si rroga çetave që vepronin në front. Shefqeti nuk pranoi. Atëherë unë dhashë dorëheqjen dhe vendosa të kthehem në Shkodër, së bashku me Ceko Leskovikun. Rrugës për Shkodër, ky i fundit më ftoi të kalonim natën në Teqenë e Sheh Ibrahim Karbunarës. Me këtë rast, biseduam me shehun mbi situatën politike të kohës.

Rastësisht në Shkodër takova kapiten Negrepin, i cili duke më parë të veshur civil, mori vesh dorëheqjen time. Meqenëse më njihte mirë, mbasi kishim punuar katër muaj së bashku në Kullat e Lumës, ndërhyri pranë Konsullit të përgjithshëm të Austrisë, Kral, duke i thënë se ky ishte njeri politik dhe, ose duhej marrë në shërbim ose duhej të internohej. Konsulli Kral më thirri dhe më propozoi të hyja përsëri në shërbim ushtarak, gjë të cilën fillimisht e kundërshtova, duke i thënë se nuk mund të jepja jetën për Austrinë, pa pasur asnjë arsye të drejtpërdrejtë.

I propozova që të më emëronte mësues të gjermanishtes. Ai më dha një rekomandim për Luigj Gurakuqin, që në atë kohë ishte drejtor i përgjithshëm i Arsimit. Ai më emëroi drejtor të shkollës fillore në Perash. Mirëpo, ende pa filluar punë, Negrepi ndërroi mendje, duke ndërhyrë pranë Konsullit, për emërimin tim në degën ushtarake, si definitiv në batalionin e parë shqiptar që ishte në Shkodër.

Një pjesë e mirë e oficerëve shqiptarë, duke mos qenë të aftë për të kryer si duhej detyrën, përçmoheshin nga austriakët dhe i hahej e drejta duke mos u graduar si dhe duke mos ua paguar ushqimin dhe veshmbathjen. Për të kërkuar të drejtat e tyre ata më caktuan mua për shkuar në armatën superiore në Vjenë, si përfaqësues i tyre, duke më dhënë 2000 korona, për shpenzimet e udhëtimit.

Mbasi u takova me personalitetet ushtarake të Vjenës, ju sigurova shokëve të drejta të barabarta me oficerët e Austrisë.

Përveç çështjeve ushtarake, parashtrova dhe katër pika të tjera që i përkisnin administratës civile. E para, u thashë se në kohën kur konsullata e Austriake në Shkodër kish mbetur pa pare, i kish marrë hua 600 napolona ari dy personave shkodranë dhe mbas ardhjes së Austrisë në Shkodër, ia pagoi atyre me një kurs më të ulët.

E dyta, korparmata e nëntëmbëdhjetë austriake kishte ndërhyrë pranë drejtorisë së financave të Shkodrës, për të marrë tokë për themelimin e Kishës Rozafa, duke e detyruar atë që të bënte tapi në favor të Kishës, për 1283 metra katrore. Ky veprim ishte i jashtëligjshëm mbasi, korparmatës nuk i takonte të ndërhynte në çështje administrative civile. E treta, protestova për thiun që ishte therur në xhami, në fushën Çele, në prani të xhandarmërisë të pranishme në xhami dhe se ky përbënte një faj për administratën e tyre.

E katërta, ushtria austriake në Myzeqe e paguante një buallicë 10 korona letër, një lopë pesë korona letër, dhe një dele dy korona letër. Kjo ishte një grabitje që i bëhej popullit shqiptar nga ana e tyre. Për të gjitha këto çështje, mbasi erdhi një komision prej tre vetash nga Vjena, u morën masat e nevojshme. Dhe, administrimi i Austrisë në Shqipëri, pati kudo përmirësime.

Mbas largimit të Austrisë, shtetit shqiptar i mbetën si tepricë në ekonomi 33 milionë korona serm.

Në këtë kohë filloi përsëri aktivitetin “Krahu Kombëtar”. Meqenëse në Shkodër u formua edhe Komiteti i Kosovës, nën kryesinë e Hoxhë Kadri – Prishtinës, u bë unifikimi i dy komiteteve dhe Hoxhë Kadria mbeti kryetar i përgjithshëm. Detyra kryesore e Komitetit ishte të bënte unifikimin e mendimeve dhe të shpëtonte kufijtë e 1913-ës, duke luftuar në mënyrë të hapur vendimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915.

Aleatët ia kishin premtuar me rrena Shqipërinë Italisë, për ta tërhequr nga krahu i tyre. Për këtë çështje erdhi nga Anglia anglezi që çalonte, Eden, dhe u takua me Abdi bej Toptanin të cilit i kërkoi që të çoheshin dhe të kërkonin rrëzimin e traktatit të vitit 1915. Për këtë qëllim, Edeni i dërgoi një letër Aqif pashë Elbasanit, letër të cilën vetë Aqif Pasha ma ka treguar. Më vonë, pashai këtë letër ia ka dërguar Nolit për sqarim politik, por, meqenëse Noli ishte me vijën politike ruse, nuk e mori aspak në konsideratë këtë letër.

Propaganda kombëtare e komitetit bëhej me anë të gazetës “Populli” që nxirrte në Shkodër Mustafa Qulli me Sali Nivicën dhe anëtarët e tjerë. Në këtë kohë vjen në Shkodër Luk Luka – ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme shqiptare të Selanikut, të kryesuar prej Esat pashë Toptanit, duke sjellë me vete një tog letrash të shkruara turqisht nga sekretarët e Esatit.

Mes tyre ishte dhe një letër e shkruar turqisht nga Esati, i cili na kërkonte t’i bënim një propozim Sulçe beg Bushatit, për të marrë pjesë në qeverinë e përkohshme të Selanikut, të kryesuar prej tij. Kërkohej gjithashtu të përkrahej Esati dhe të pranohej si Princ i Shqipërisë, gjë të cilën vetë Esadi e kërkoi dhe në Konferencën e Paqes në Paris, me anë të një memorandumi që i parashtroi Konferencës, një broshurë të shkruar frëngjisht “Memuar sur l’Albani”.

Unë u njoftova nga Maliq Gjyli – ministër i Tregtisë së Esatit – që Luk Lukën, ta kishim nën kontroll, mbasi i ishte imponuar nga Serbia dhe ata nuk ia kishin besën.

U ngarkova me mision të fshehtë nga komiteti për të shkuar në Beograd, për të ftuar Nexhip bej Dragën që të vinte për të formuar shtetin shqiptar. Po ashtu, u ngarkova për të shkuar në Selanik, për të marrë programin e Esat Pashës. Nexhip bej Draga, propozimin që i bëra për të ardhur në Shqipëri për të themeluar shtetin shqiptar, nuk e pranoi, duke më sugjeruar si themelues të shtetit shqiptar, Mehdi bej Frashërin.

Ai kishte mendimin se qeveria më së pari duhej të themelohej në Toskëri, mbasi ata i konsideronte më të zhvilluar se ne, më pas në Shqipërinë e Mesme, e më në fund në Shkodër, bashkë me klerin katolik. Mbasi të bëhej një koalicion i përgjithshëm e të konsolidohej shteti shqiptar, duhej me menduar për bashkimin e Kosovës dhe Çamërisë. Në bisedë me Nexhip bej Dragën, ai më tha se duhej të ikja sa më parë mbasi sipas tij serbët nuk dinin politikë dhe rrezikoja të më vrisnin. Ai më këshilloi gjithashtu që shqiptarët e shkolluar, të pakët në numër, si unë me shokë, duhej të ruheshim se mos na vrisnin, dhe shkonim kot.

Mbasi, sipas tij, shumica e parisë së Shqipërisë, ishin mësuar me rroga të majme nga kasa e Turqisë, dhe tani lakmonin kasat e varfra të Vlorës dhe Durrësit, kish rrezik që ta mbysnin Shqipërinë. Duke dashur të m’i shpjegonte më mirë punët më tha: “A e din si asht ba major Hysen beg Fusha”? – Jo i thashë. Ai më tregoi se Hysen begu, doli me mirditas në Gomsiqe e preu rrugën Shkodër-Prizren, preu telat e telegrafës. Konsullatat protestuan për këtë ngjarje, në Stamboll. Sulltan Hamidi, pas hetimeve që bëri, dha vendimin që Hysen beg Fusha të bëhet major xhandarmërie, për të ruajtur po këto rrugë. Kur e mori vesh këtë punë Hysen beg Shazi, doli edhe ai e preu rrugën në mal të Kakarriqit, preu telat e telegrafës, ndali postën. Prapë protestat të konsujve. Atëherë Sulltani edhe këtij i vuri një strajcë për të “kullotur”, duke e bërë edhe këtë major xhandarmërie, për të ruajtur rrugën Shkodër-Lezhë-Tiranë. Në këtë kohë, Ibrahim bej Sokoli, që kish qenë në Stamboll te Tahir pashë Dragoviqi, vjen në Shëngjin me vapor, del në breg e pyet: “Ç’kena ka Shkodra?”. Ata i tregojnë se Hysen begu i Fushës dhe Hysen beg Shazi, janë bërë majorë xhandarmërie. Ky zotni, pa ardhur në Shkodër, me po atë vapor kthehet për Stamboll për të kërkuar edhe ai një strajcë për të ngrënë, mbasi ishte shtëpi më e madhe. Edhe këtë sulltani e gradoi kolonel. Në Stamboll, Preng Pasha, Gani bej Toptani dhe Esat Toptani, jetonin në lagjen “Bejoll” të Stambollit. Mirëpo qisnin pushkë orë pa orë, deheshin e bënin zhurmë, duke e bezdisur Sulltan Hamidin, poshtë në “Dollma Bahçe”. Atëherë, Sulltan Hamidi, Preng Pashën e dërgoi në internim në Anadoll, Esat Pashën e dërgoi kolonel xhandarmërie në Janinë, ndërsa Gani bej Toptanin, që kishte rënë në dashuri me të bijën e Vezirit të Madh, e vrau me vëllain e vajzës. Kështu që Sulltan Hamidi, shpëtoi prej kësaj belaje që kishte mbi kokë. Në Gjakovë, vazhdoi të tregonte Nexhip beu, kërcet pushka në mes të Riza beg Kryeziut dhe Bajram Currit e, prishet posta Prizren-Shkup. Edhe këta, si të parët, sulltani i gradoi: Riza begun e bëri major, Bajram Currin kapiten, Hysni Currin kryekapter. Nexhip Begu, vazhdoi të tregonte kohën kur ishte deputet në Parlamentin e Turqisë, bashkë me Hasan Prishtinën, Ismail Bej Vlorën. Ne ngulnim këmbë për të drejtat e Shqipërisë, autonominë, kulturën, gjuhën e qytetërimin, mirëpo xhonturqit bënin propagandë në popullin e Kosovës, të cilin e ngritën në këmbë kundra nesh. Njerëzit vijnë në Kaçanik e i bëjnë telegraf Stambollit, duke i kërkuar që një person me emrin Nexhip, i cili bën propagandë atje, ne nuk e njohim aspak si deputetin tonë. /Memorie.al/