Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, pret arritjen e një kompromisi politik për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke vlerësuar se klima pozitive e krijuar në legjislaturën e dhjetë ofron hapësirë për konsensus ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kusari-Lila, e cila është pjesë e kabinetit qeveritar, deklaron se partnerët e koalicionit ende nuk kanë diskutuar se a do t’i ofrojnë mbështetje Vjosa Osmanit për një mandat të dytë si presidente.

Megjithatë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në një intervistë për KosovaPress, thotë se Osmani është një kandidate serioze dhe se sipas saj ka bërë një punë të mirë gjatë pesë viteve të kaluara.


Mandati i presidentes aktuale përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.

“Po unë jam e bindur se do të gjendet një kompromis politik. Nuk po e di a është ky kombinimi i optimizmit apo edhe i ndjesisë që po e marr deri tash nga legjislatura e dhjetë. Fatmirësisht legjislatura 10 ka filluar me një disponim tjetër në kuptimin e komunikimit edhe bashkëpunimit mes grupeve parlamentare pozitë-opozitë... Këto ditë pritet diskutimi tashmë për procesin që po na pret, zgjedhjen apo rizgjedhjen e presidentit, presidentes, domethënë varet. Dhe përmbajtësore është që e para të kemi 30 nënshkrime për cilindo kandidat që prezantohet dhe e dyta, që të sigurohemi që janë 80 deputetë që do të qëndrojnë gjatë procesit... Kjo tashmë është pjesa e dytë që e udhëheq kryeministri Kurti, lider i partisë më të madhe në vend. Ne së shpejti do të kemi një dakordim në kuadër të Grupit Parlamentar... Ende nuk është diskutuar emri i përveçëm, pasi emra janë përmendur, por ende nuk është diskutuar në kuptimin e fillimit të procesit për mbështetje”, thotë ajo.

Në prag të procesit për zgjedhjen e presidentit, Kusari-Lila theksoi se ekzistojnë dy elemente thelbësore procedurale, sigurimi i 30 nënshkrimeve për kandidatin e propozuar dhe garantimi i pranisë së 80 deputetëve gjatë procesit të votimit.

“Ne kemi pasur bashkëpunim me Zyrën e Presidentes për këto tash pesë vite që po bëhen. Në kuptimin e bashkëpunimit institucional, kur kanë qenë diskutimet apo takimet me liderë, kemi pasur rastin kur Zyra e Presidentes ka pasur amendamente për buxhetin e shtetit, të cilat pastaj janë përcjellë nga këshilltarët e saj për komisionet relevante. Unë besoj që edhe me përfaqësimin e saj jashtë vendit, edhe me aktivitetin e saj brenda vendit, ka dhënë, ka treguar një performancë... Mund të them që është një kandidaturë shumë serioze në raport me pozitën, vendin dhe zyrën që ajo e mban ose që pretendon ta vazhdojë edhe për pesë vite të tjera... Nuk kemi pasur diskutime me kryeministrin Kurti në specifikë për këtë, për shkak se deri më tash diskutimet ishin qoftë për konstituimin e Kuvendit, pastaj edhe për qeverinë”, deklaron Kusari-Lila.

Sipas saj, para thirrjes së seancës për presidentin duhet të ketë dakordim të qartë politik për sigurimin e kuorumit. Në këtë kontekst, ajo thekson se fokusi duhet të jetë te sigurimi i konsensusit paraprak dhe jo te skenarët e rrezikut.

Ajo nënvizoi se Kushtetuta e përcakton qartë procedurën dhe se dështimi i procesit do të çonte në shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe në zgjedhje të reja parlamentare.

Kusari-Lila bëri të ditur se brenda grupit parlamentar ende nuk është diskutuar formalisht për një emër konkret, ndonëse emra të ndryshëm janë përmendur publikisht. Ajo shtoi se diskutimet e deritanishme kanë qenë të përqendruara në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve.

“Në momentin kur thirret seanca duhet të kemi vetëm dakordimin se do të jemi 80. Do të thotë se do të jenë 80... Besoj që nga pozita, domethënë nga të gjitha grupet parlamentare, përfshirë edhe grupin multietnik, pjesë e koalicionit zyrtar, që të jemi ose të jetë mundësia që pozita t'i ketë votat, por bashkë në dakordim edhe me partitë e opozitës për kandidatin, kandidaten. Në momentin kur thirret seanca, që nuk është një situatë në të cilën mund të shtyhemi. Kushtetuta është e qartë, procesi është shumë specifikisht i qartësuar dhe nëse dështon ai proces, dihet se menjëherë Kuvendi shpërbëhet dhe vendi shkon në zgjedhje... Unë mendoj që nuk bëhet fjalë për rrezik. Ne bëjmë fjalë për të themi, siguri dhe domosdoshmëri për të gjetur një konsensus. Do të thotë, më shumë sesa të flasim për skenarin ku do të hyjmë dhe do të rrezikojmë dhe nëse nuk arrijmë shkojmë në zgjedhje, të flasim për skenarin kur do të jemi aty dhe do të jemi të sigurt për kë do votojmë”, shton ajo.

Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Kusari-Lila theksoi se një skenar i tillë nuk është i favorshëm për asnjë subjekt politik. Ajo nënvizoi se përgjegjësia për procesin është e përbashkët dhe se si pozita ashtu edhe opozita duhet të marrin pjesë në gjetjen e një kandidature të pranueshme, në mënyrë që legjislatura e dhjetë të vazhdojë mandatin e saj pa ndërprerje.

“Shumë e rëndësishme është që të rikthehemi në pikën ku secili subjekt, përkundrejt a është pozitë apo opozitë, e mban përgjegjësinë për proceset në vend, siç e kemi pasur. Besoj në një Republikë Parlamentare, në një demokraci funksionale, në të cilën partitë që janë sot të opozitës, e kanë rolin e vet... Çdo gjë mund të quhet marrëveshje politike, mund të quhet diskutim politik, që të ulemi në tavolinë, të dakordohemi për emrin të cilin ata e konsiderojnë që është i pranueshëm për të gjithë dhe natyrisht që në kuadër të saj, marrin pjesë në proces të votimit dhe vazhdojmë me legjislaturën e dhjetë. Do të thotë, shkuarja në zgjedhje nuk është çështje që ndikon ose humb vetëm pozitën. Shkuarja në zgjedhje është angazhim i krejt spektrit politik në Kosovë. Prandaj të gjithë e kanë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe vendimmarrjes në këtë proces. Do të thotë, ne si pozitë nuk e marrim që vetëm pozita tashmë e sjell vendimin, a do të kemi president, presidente të re, apo do të shkojmë në zgjedhje parlamentare”, përfundon ajo./KosovaPress