“Ne jemi mjeshtër të harresës”, Robelli: Albanologu Schader vdiq pa asnjë mirënjohje nga Kosova për të cilën kishte bërë aq shumë

Ditë më parë në Zürich u mbajt promovimi i librit “1998–1999. Vitet e Kosovës” i autorit Blerim Shala.
Në këtë promovim të librit të Blerim Shalës “1998 - 1999. Vitet e Kosovës”, publicisti Enver Robelli mbajti një fjalim, gjersa theksoi se libri rikthen në vëmendje vitet më dramatike dhe vendimtare të Kosovës.
Robelli gjatë fjalimit të tij ka adresuar edhe një problem më të gjerë institucional në Kosovë, mungesën e veprimit konkret nga institucionet për të nderuar personalitete të huaja që kanë mbështetur fuqishëm Kosovën.
Ai përmendi rastin e albanologut Basil Schader, i cili ka ndërruar jetë para pak kohësh pa një falënderim për punën e tij në mbështetje të Kosovës.
Lexoni të plotë fjalimin e tij:
Përshëndetje të gjithëve dhe mirë se keni ardhur në takimin tonë të radhës. Edhe kësaj here shkak i takimit po bëhet një libër i rëndësishëm. Libri mbi vitet më dramatike, më të rëndësishme dhe më të paharrueshme të historisë moderne të Kosovës.
Veçanërisht faleminderit Blerim Shalës, i cili erdhi nga Prishtina për të ndarë me ne dijen dhe përvojën e tij si protagonist i rëndësishëm i rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë.
Distanca e fluturimit nga Prishtina në Zürich është 1120 kilometra. Mund të duket distancë e largët, por nganjëherë njeriu më shpejt vjen nga Prishtina në Zürich sesa nga një lagje e Prishtinës në lagjen tjetër.
Para disa ditësh, kur po mendoja të shkruaja këtë fjalë, hyra në arkivin e mediave zvicerane për të kërkuar disa intervista që Blerim Shala ua ka dhënë gazetave zvicerane para një çerekshekulli.
Për shembull, në një shkrim të datës 9 shkurt 2002, korrespondenti i gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” për Evropën Juglindore e përfundonte një reportazh nga Prishtina me një citat të Blerim Shalës, i cili thoshte se pajtimi mes njerëzve është përherë i mundshëm, mes shteteve jo.
Padyshim, kjo ishte një deklaratë pesimiste, por po rezulton e vërtetë edhe në vitin 2026.
Më bëri përshtypje se si gazetari zviceran atëbotë, pra para 24 vitesh, e përshkruante hyrjen në Prishtinë. Po e citoj: “Kjo skenë vështirë se mund të ishte më ilustruese. Udhëkryqi i parë më i madh në rrugën hyrëse për në Prishtinë është bllokuar pa shpresë. Veturat shtyhen nga katër anë. Secili është futur me automjetin e vet aq shumë përpara, saqë nuk ka më kthim prapa. Askush nuk e kupton sa dobi do t’u sillte të gjithëve respektimi i rregullit të përparësisë. Askush nuk është i gatshëm të lëshojë rrugë, dhe kështu rrinë aty, kokëfortë pas timonit, duke pritur me shpresën se disi rruga do të hapet vetvetiu. Dëgjohen sharje dhe, sado e pabesueshme të duket në këtë metropol krejtësisht të albanizuar, sharjet bëhen në serbisht. Nuk ka shumë kohë që këtu çdo e keqe reale apo e imagjinuar vinte vetëm nga pala serbe. Sa të qarta dukeshin marrëdhëniet atëherë, kur armiku që bashkonte shoqërinë shqiptare të Kosovës quhej Serbi”.
Sa i përket trafikut, shoferët e Kosovës ende vazhdojnë të shtyhen nëpër udhëkryqe. Për fat të keq, rregullat e xhunglës në trafik janë shtrirë ngaherë edhe në politikë: askush nuk është i gatshëm të lëshojë rrugë, prijësit e Kosovës qëndrojnë kokëfortë pas timonit. Nuk ka rregulla përparësie.
Në një artikull të botuar më 19 maj 1999, pra gjatë bombardimeve, Blerim Shala, atëbotë refugjat në Dibër të Maqedonisë, duke parë përçarjet mes politikanëve të Kosovës, deklaronte: “Bota po e dëgjon vetëm britmën, por jo zërin e shqiptarëve të Kosovës”.
Disa gjëra s’po ndryshojnë: edhe sot në politikën kosovare dominon zhurma, por jo zëri i artikuluar i shqiptarëve të Kosovës.
Edhe një citat i Blerim Shalës nga ajo kohë, botuar në “Berner Zeitung”: “Duhet të dëshmojmë se e meritojmë të jemi të lirë”.
Më lejoni që tani të bëj disa falënderime, të cilat nuk po i bëj për formalitet.
Falënderoj kompaninë Air Prishtina, e cila i ka mbuluar shpenzimet e udhëtimit të Blerim Shalës nga Prishtina.
Siç e dini, këtë kompani e ka themeluar tashmë i ndjeri Bexhet Sallahu. Në vitet 1990, kur në Kosovë u mbyllën shkollat, ai ndau një shumë të konsiderueshme financiare për ta shtypur abetaren për nxënësit në Kosovë. Për aq sa kam kuptuar, në Kosovë asnjë rrugë, asnjë shesh dhe asnjë shkollë nuk e mban emrin e tij.
Bexhet Sallahu e ka përkrahur me shuma të konsiderueshme si lëvizjen paqësore, po ashtu edhe atë kryengritëse.
Kur qindra ushtarë shqiptarë ikën nga armata jugosllave në fillim të viteve 90-të, pasi që ajo u bë ushtri në shërbim të projektit të Serbisë së Madhe, Bexhat Sallahu siguroi udhëtimin e tyre nga Sllovenia në Zvicër, Gjermani e gjetiu në Perëndim.
Në fillim të viteve 1980, Aeroporti i Prishtinës ishte një pistë e vetmuar me disa avionë ushtarakë të Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe ndonjë avion të kompanisë ajrore jugosllave JAT. Falë punës dhe vizionit të Bexhet Sallahut, Aeroporti i Prishtinës u bë aeroport pasagjerësh, dritare nëpërmjet së cilës Kosova u lidh me botën perëndimore.
Ne jemi mjeshtër të harresës. Dhe kjo nuk më revolton vetëm mua.
Kam kaluar edhe vetë nëpër disa përvoja të hidhura. Ka ndodhur që politikanë të kohërave më të largëta apo më të afërta më kanë lutur: “Na i propozo disa personalitete zvicerane që shteti i Kosovës duhet t’i dekorojë apo t’i nderojë në ndonjë formë tjetër”. E kam bërë këtë, pastaj propozimet janë dërguar në Prishtinë dhe nuk ka ndodhur asgjë. A mund ta merrni me mend?
Njëri prej tyre, albanologu Basil Schader, ndërroi jetë këto ditë. Pa asnjë falënderim apo mirënjohje nga Kosova, për të cilën kishte bërë aq shumë gjatë jetës së tij.
Ne jemi mjeshtër të harresës!
Sepse, shpesh, po na mjafton tollovia që po e shkaktojmë vetë, të pavetëdijshëm për ndryshimet dramatike në botë.
Më gëzon fakti që sot këtu mes nesh e kemi ambasadorin e Shqipërisë, Ermal Dredha, i cili vjen nga qyteti më i bukur bregdetar mes Dubrovnikut dhe Prevezës - besoj e dini cili është ai qytet - Vlora, natyrisht!
Mijëra shqiptarë në Zvicër janë duke pritur me padurim që së shpejti të fluturojnë nga Zürichu në Vlorë. Por edhe mijëra turistë zviceranë po ashtu.
Ka një të mirë në faktin që i kemi dy shtete të qeverisura nga shqiptarët në Ballkan. Kur punët politike në Kosovë nuk ecin mirë, së paku gëzohemi për sukseset e Shqipërisë. Kur në Shqipëri ka probleme me numërimin e votave, edhe taksistët e Tiranës e lavdërojnë Kosovën për organizimin shembullor të zgjedhjeve. E vërtetë: Kosova ia ka marrë dorën zgjedhjeve! Do të doja t’ia merrte dorën edhe qeverisjes dhe stabilitetit institucional.
Zëvendësambasadorja e Kosovës, Shukrije Ramadani, është këtu me ne. Faleminderit shumë, Shukrije, që ndonëse je kyçur në diplomaci, në shpirt ke mbetur aktiviste e komunitetit.
Ambasadori i Kosovës, Mentor Latifi, mungon me arsye, por unë e falënderoj shumë që është një mbështetës aktiv i veprimtarive kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër.
Ka shumë njerëz që këto aktivitete kulturore i bëjnë të mundshme. Për shembull, ky lokal i bukur i Kastriot Çaushit mund të quhet “Ambasada e kulturës shqiptare në Zvicër”. Zemërgjerësia e tij është e pakufishme.
Mes shumë miqve të mi, e shoh të pranishëm këtu artistin dhe mikun tim Sislej Xhafa, i cili ka lënë gjurmë në shumë metropole, mes tjerash edhe me një vepër në një park të Zürichut.
Dua të falënderoj edhe një mik tjetër të shtëpisë botuese “Dora d’Istria”, i cili - çfarë rastësie - quhet Blerim Shala, pra si autori i librit.
Blerimi është një profesionist i përkushtuar në fushën e dizajnit grafik dhe punon në firmën “Müller Martini” në Zofingen, e cila prodhon shtypshkronjat më moderne në botë. Ai na e ka mundësuar që librin që po e prezantojmë sot ta shtypim në Zofingen.
Ishte një moment mjaft emocional për mua, sepse në qytetin e Zofingenit, në vitet ’90, është botuar gazeta “Rilindja”, e cila qe ndaluar në Kosovë. Më vonë nisi të botohej edhe revista “Zëri”, të cilën atëbotë e drejtonin në Prishtinë Blerim Shala, Bardh Hamzaj, Halil Matoshi e gazetarë të tjerë.
Shumë njerëz nga komuniteti shqiptar në Zvicër, në mënyra të ndryshme, na kanë përkrahur duke u bërë jehonë aktiviteteve tona, për shembull Nazmi Jakurti, Ridvan Murati, Merita Pinta, Nexhat Latifi, Qamil Sadriu, Bekim Arifi e shumë e shumë të tjerë.
Shumë faleminderit!
Platforma mediale Telegrafi do ta përcjellë këtë aktivitet, për çka jam mirënjohës.
Ashtu siç ka përparuar dhe është zhvilluar Kosova që nga viti 1999, edhe mërgata ka ndryshuar. Mijëra shqiptarë janë integruar mirë në shoqërinë zvicerane. Por ende jemi si komunitet në gjysmë të rrugës. Jemi shumë aktivë, por nuk jemi mirë të organizuar. Pjesëmarrja në jetën publike në Zvicër ende lë për të dëshiruar. Sidomos pjesëmarrja në zgjedhje dhe referendume.
Më 14 qershor këtu mbahet një referendum shumë i rëndësishëm. Pyetja e referendumit është kjo: a jeni për apo kundër që numri i popullsisë në Zvicër të kufizohet në 10 milionë banorë? Në rast se kjo kërkesë miratohet, atëherë do të ketë pasoja edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër; për shembull, mund të ketë komplikime sa i përket bashkimit familjar. Apeli im është ky: informohuni, përcilleni debatin dhe merrni pjesë në referendum. Politikanët me origjinë shqiptare, të cilët veprojnë në Zvicër, tashmë kanë dalë bashkërisht kundër idesë së këtij referendumi.
Meqë libri i Blerim Shalës na ka bashkuar, po e mbyll këtë fjalë duke ju treguar një sekret të vogël për një libër tjetër: jam duke përkthyer një vepër letrare të shkrimtarit Francesco Micieli. Francesco jeton në Bern. Është rritur në Zvicër. Shkruan, natyrisht, në gjermanisht. Por Francesco është arbëresh. Fjalitë e tij duken si jehonë e largët e këngës “Moj e bukura More”. Shpresoj që deri në vjeshtën e vonshme ky libër të jetë i gatshëm për botim - nëse lexueset dhe lexuesit na përkrahin edhe më shumë në këtë punë tonën vullnetare dhe jofitimprurëse. /Telegrafi/














































