Në Zürich u mbajt promovimi i librit “1998–1999. Vitet e Kosovës” i autorit Blerim Shala, një vepër që rikthen në vëmendje vitet më dramatike dhe vendimtare të historisë moderne të Kosovës.

Ngjarja mblodhi përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zvicër, personalitete nga jeta publike, diplomatike dhe kulturore, si dhe miq të librit.


Libri trajton periudhën 1998–1999, vitet e luftës, diplomacisë dhe kthesës historike që çoi drejt çlirimit të Kosovës. Si një nga protagonistët e asaj kohe, Shala sjell në këtë botim dëshmi, reflektime dhe një këndvështrim të brendshëm mbi zhvillimet që përcaktuan fatin e vendit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, publicisti Enver Robelli e vlerësoi librin e Blerim Shalës si një dëshmi të rëndësishme për vitet më dramatike të historisë moderne të Kosovës.

Ai rikujtoi edhe intervistat dhe qëndrimet e Shalës në mediat zvicerane gjatë dhe pas luftës, duke theksuar se mesazhet e asaj kohe mbeten aktuale edhe sot për Kosovën.

Robelli foli po ashtu për rolin e mërgatës shqiptare në Zvicër, kontributin e saj për Kosovën dhe nevojën që komuniteti shqiptar të jetë më i organizuar dhe më aktiv në jetën publike zvicerane.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Dora d’Istria”, ndërsa gjatë promovimit u vlerësua edhe puna e njerëzve që e kanë bërë të mundur botimin dhe prezantimin e tij para publikut shqiptar në Zvicër.

Gjatë mbrëmjes u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe e vlerësimit të njerëzve që kanë dhënë kontribut për Kosovën në periudhat më të vështira.

Në këtë kontekst u përmend edhe kontributi i të ndjerit Bexhet Sallahu, themelues i kompanisë Air Prishtina, i cili kishte mbështetur Kosovën gjatë viteve ’90 dhe kishte kontribuar në lidhjen e saj me botën perëndimore.

Në promovim morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë, përfshirë ambasadorin e Shqipërisë, Ermal Dredha, si dhe zëvendësambasadoren e Kosovës në Zvicër, Shukrije Ramadani.

Promovimi i librit të Blerim Shalës në Zürich u vlerësua si një takim me kujtesën historike, me rolin e mërgatës dhe me nevojën që historia e Kosovës të ruhet e të përcillet te brezat e rinj.

“1998–1999. Vitet e Kosovës” mbetet një dëshmi e rëndësishme për një periudhë që përcaktoi rrugën e Kosovës drejt lirisë.

Të gjithë ata që dëshirojnë ta kenë këtë libër në bibliotekën e tyre, mund ta porosisin online dhe ta pranojnë me postë në derën e shtëpisë, kudo në Evropë , përmes këtij linku: https://www.dorabooks.com/product-page/blerim-shala-1998-1999-vitet-e-kosov%C3%ABs.