eksperti-banner

Turqia dhe Arabia Saudite kanë arritur një marrëveshje me rëndësi të madhe historike për rinovimin dhe rikthimin në funksion të hekurudhës së Hixhazit, një nga projektet më të njohura të trashëgimisë së Perandorisë Osmane, e cila dikur lidhte Stambollin me qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës.

Sipas marrëveshjes, projekti synon restaurimin dhe modernizimin e segmenteve të dëmtuara të hekurudhës, me qëllim forcimin e lidhjeve infrastrukturore dhe zhvillimin e transportit rajonal në Lindjen e Mesme.


Hekurudha historike, e ndërtuar në fillim të shekullit XX, kishte një rol të rëndësishëm në transportin e pelegrinëve drejt vendeve të shenjta islame, shkruan sabah.

Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe periudhave të mëvonshme, pjesë të mëdha të linjës u shkatërruan, ndërsa segmentet e mbetura kanë mbetur prej dekadash jashtë funksionit ose pjesërisht të ruajtura si trashëgimi historike.

Marrëveshja e re mes Ankarasë dhe Riadit shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik mes dy vendeve, si dhe si një projekt me ndikim të gjerë në zhvillimin e korridoreve të transportit në rajon.

Autoritetet e të dy vendeve theksojnë se projekti do të kontribuojë në rritjen e tregtisë, lidhjeve turistike dhe integrimit rajonal, duke rikthyer në vëmendje një nga simbolet më të rëndësishme të historisë së transportit në botën islame. /Telegrafi/