eksperti-banner

Zvicra voton sot për një çështje e cila mund të ndryshojë rrënjësisht politikën e saj të migracionit dhe të rrezikojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Partia Popullore Zvicerane (SVP), një parti e krahut të djathtë, ka arritur ta hedh në referendum nismën e quajtur “Për një zhvillim të qëndrueshëm të popullsisë”, e cila synon të vendosë një tavan të prerë kushtetues në mënyrë që popullsia e vendit të mos kalojë pragun prej 10 milionë banorësh përpara vitit 2050.


Propozimi parashikon që nëse numri i banorëve i afrohet këtij kufiri, qeveria do të detyrohet të marrë masa kufizuese, duke përfshirë këtu edhe pezullimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që rregullojnë lëvizjen e lirë.

Nga njëra anë, përkrahësit e kufizimit të popullsisë thonë se se rritja e shpejtë demografike po shkatërron cilësinë e jetës në Zvicër. Sipas tyre, imigracioni i lartë po mbingarkon infrastrukturën publike me trena të stërmbushur, rritje të çmimeve të qirave dhe mungesë akute të banesave, duke rritur njëkohësisht presionin mbi shkollat, spitalet dhe mjedisin natyror.

Nga ana tjetër, qeveria zvicerane, partitë rivale të SVP-së dhe pothuajse të gjitha shoqatat e biznesit po e kundërshtojnë me forcë këtë nismë. Bizneset argumentojnë se vendi vuan nga një mungesë kronike e fuqisë punëtore dhe se Zvicra ka nevojë për punëtorë të kualifikuar nga jashtë për të mbajtur ekonominë në këmbë dhe për të garantuar financimin e pensioneve.

Rreziku më i madh i këtij zhvillimi mbetet përplasja e drejtpërdrejtë me Brukselin. Çdo kufizim i njëanshëm i imigracionit do të shkelte marrëveshjen dypalëshe për lëvizjen e lirë të njerëzve me Bashkimin Evropian. Një hap i tillë mund të aktivizonte të ashtuquajturën “klauzolë gijotinë” nga ana e BE-së, gjë që do të sillte anulimin automatik të të gjitha marrëveshjeve kryesore tregtare dhe ekonomike, duke e izoluar Zvicrën në një moment mjaft delikat diplomatik./Telegrafi/