eksperti-banner

Inteligjenca artificiale tashmë është bërë pjesë e përditshme e nxënësve në Kosovë, ndërsa sistemi arsimor ende nuk ka një kornizë të qartë se si duhet të përdoret ajo në procesin mësimor.

Kështu ka deklaruar drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, i ftuar në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ku u diskutua për gjendjen e arsimit në Kosovë, sigurinë në shkolla dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në mësim.


- YouTube www.youtube.com

Ahmeti tha se ETEA ka realizuar një studim të gjerë në shkollat publike, ku janë përfshirë 47 shkolla dhe mbi 1,500 nxënës nga tri nivelet e arsimit parauniversitar.

Sipas tij, rezultatet tregojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale nga nxënësit është shumë më i lartë sesa ishte pritur.

“Kam pritur që rreth 70 për qind e nxënësve të deklarojnë se përdorin inteligjencën artificiale, por ka qenë interesante se rrallë ka ndodhur në klasë që dy-tre nxënës të thonë se nuk e kanë përdorur ende”, tha Ahmeti.

Ai bëri të ditur se 93.2 për qind e nxënësve të anketuar kanë deklaruar se përdorin inteligjencën artificiale për qëllime shkollore.

“Prej dhjetë nxënësve, më shumë se nëntë nxënës e përdorin inteligjencën artificiale për qëllime mësimore”, u shpreh Ahmeti.


Drejtori i ETEA-s tregoi se ChatGPT është platforma më e përdorur nga nxënësit në Kosovë, e ndjekur nga Snapchat AI dhe Google Gemini.

Sipas tij, nxënësit e përdorin inteligjencën artificiale kryesisht për kërkim, hulumtim, zgjidhje të detyrave dhe shpjegim të koncepteve.

“Përkundër pritjeve të mia, matematika dhe shkencat natyrore dominojnë si lëndët ku nxënësit e përdorin më së shumti inteligjencën artificiale”, tha ai.

Ahmeti theksoi se kjo mund të shpjegohet me faktin se këto lëndë janë më sfiduese dhe nxënësit kërkojnë më shumë mbështetje për t’i kuptuar ato.

Megjithatë, ai paralajmëroi se përdorimi i AI-së pa udhëzime të qarta mund të krijojë varësi dhe të dëmtojë mendimin kritik te nxënësit.

“Mbi 80 për qind e nxënësve raportojnë se e kanë të vështirë ta imagjinojnë kryerjen e detyrave të shtëpisë pa inteligjencë artificiale”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, problemi kryesor nuk është nëse nxënësit do ta përdorin apo jo AI-në, por mënyra se si duhet të orientohet përdorimi i saj.

“Nuk është më diskutim a me përdorë apo mos me përdorë. Na duhet me orientu cila është mënyra e duhur”, theksoi Ahmeti.

Ai kritikoi mungesën e veprimeve konkrete nga institucionet arsimore, duke thënë se mësimdhënësit në shumë raste nuk kanë as dokument bazë ku mund të mbështeten për të vendosur se si duhet të trajtohet përdorimi i AI-së në detyra, teste apo projekte.

“Nëse institucionet nuk e marrin seriozisht këtë temë dhe vazhdojnë ta lënë pa udhëzim, pa të paktën një doracak, atëherë rrezikojmë t’i thellojmë problemet ekzistuese”, tha ai.

Ahmeti tha se një dokument i tillë duhet të jetë praktik dhe i zbatueshëm për mësimdhënësit, e jo vetëm një udhëzim formal.

“Mësimdhënësit duhet të trajnohen. Dokumenti vetë nuk e zgjidh problemin, sepse shpesh dokumentet nuk lexohen. Ideja është që ai dokument të bëhet praktik dhe i aplikueshëm”, u shpreh ai./Telegrafi/.