Atomistja Entela Mirena ka fituar Medalje të Bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Inteligjencës Artificiale – IOAI 2026, e cila është zhvilluar në Astana të Kazakistanit.

Mirena ka përfaqësuar Kosovën në këtë garë ndërkombëtare, duke shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në fushën e matematikës, informatikës dhe inteligjencës artificiale.


Sipas Institutit ATOMI, ky rezultat është dëshmi e potencialit të lartë intelektual të Entelës, talentit të saj në fushat STEM dhe punës së vazhdueshme ndër vite. Në arritjen e këtij suksesi, sipas institutit, rol të rëndësishëm kanë pasur edhe mbështetja e familjes, shkollës dhe mësimdhënësve.

“Për Institutin ATOMI është veçanërisht e rëndësishme që Entela, si një nga atomistet që kemi identifikuar dhe mbështetur ndër vite, po vazhdon të përfaqësojë Kosovën në nivelet më të larta të garave ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Vetëm gjatë vitit 2026, Entela Mirena ka përfaqësuar Kosovën në katër gara të rëndësishme ndërkombëtare: EGMO, IMO, EGOI dhe IOAI.

Pjesëmarrja në këto gara, sipas Institutit ATOMI, dëshmon nivelin e lartë të përgatitjes dhe aftësive të saj në matematikë, informatikë dhe inteligjencë artificiale.

Instituti ATOMI e ka uruar Mirenën për këtë arritje, duke i dëshiruar suksese në studimet universitare dhe në rrugëtimin e saj të mëtejshëm akademik e profesional.