LAJMI I FUNDIT:

Recension për veprën “Free” të Lea Ypit: Kuptimi i jetës në fortesën e fundit të komunizmit në Evropë

Recension për veprën “Free” të Lea Ypit: Kuptimi i jetës në fortesën e fundit të komunizmit në Evropë
Lea Ypi

Nga: Daut Dauti

Libri “Free” i autores Lea Ypi veçse ka rrëmbyer botën letrare, me një stuhi të paparë deri tash.

Libri është botuar nga “Penguin Books” në Londër dhe është përkthyer në gjuhët holandeze, daneze e shqipe, ndërsa pritet ta shohë së shpejti dritën e botimit. Në gjuhën shqipe e ka përkthyer autorja, duke i bërë disa ndryshime nga origjinali – nga anglishtja. Po ashtu, libri është duke u përkthyer në gjermanisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, turqisht, rumanisht, si dhe në gjuhën koreane.


Në botën letrare asnjëherë nuk ka ndodhur që një libër të botohet, pothuaj njëkohësisht, në gjithë këto gjuhë. Por, nuk duhet harruar se botimet në gjuhët tjera veçse do të shtohen.

Kritika e shtypit elitar britanik është tejet pozitive, kurse libri menjëherë ka hyrë në listë për shpërblime letrare të natyrës së veprave jofiktive. Ky fakt flet për një interesim të jashtëzakonshëm për veprën e Lea Ypit.

Libri na rrëfen fëmijërinë e autores; është autobiografia që na shpërfaq jetën e saj – nga fillimi i viteve 1980 e deri në vitin 1997 – në vendin më të izoluar e më të varfër në Evropë. Shteti është Shqipëria komuniste, kurse qyteti ku përqendrohet narrativa është Durrësi bregdetar.

LEa Ypi si fëmijë në Durrës

Libri flet për fundin e historisë në të cilin, Lea, nga prizmi fëmijëror rrëfen për përjetimet e saja, duke i vënë ato në rrafshin e socializmit, liberalizmit, ideologjisë dhe krizës shoqërore në Shqipëri. Të gjitha këto duke i shtruar për diskutim nën segmentin e lirisë si kategori politike dhe filozofike. Libri është i ndërtuar me tregimet të cilat lidhen me njëra-tjetrën për ta krijuar kornizën, kuptimësinë dhe efektin e plotë të një rrëfimi autobiografik.

Tregimi i parë quhet “Stalini”. Aty vihet themeli që vazhdon të lidhet me ngjarjet tjera. Në këtë tregim Lea flet se si e merr kthesën në të majtë, në një rast konkret kur është kthyer nga shkolla, në ditën kur ka “përqafuar” Stalinin. Ka mundur të kthehet djathtas apo të shkojë drejtë. Që nga ajo ditë Lea e ka mbajtur këtë kthesë me të cilën, simbolikisht, i shpjegon pikëpamjet e politike që i ka edhe sot.

Libri është i jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet. Është diçka që në botën shqiptare për këtë temë nuk ka shkruar askush asgjë në këtë trajtë letrare që është mahnitëse. Stili i saj i shkrimit dhe aftësia e rrëfimit janë matanë kufirit që e përthekon fjala e mbresëlënies. Leas nuk i mungon as shija e stërholluar e as humorit që arrin kulmin te tregimi “Krokodili”, ku paraqitet mikpritja tradicionale shqiptare.

Natyrisht, librin e bën të veçantë edhe fakti se në cilin vend, në cilën kohë dhe në cilin sistem shoqëror ka ndodhur ngjarja. Prandaj, “Free” e shuan kureshtjen e lexuesit që ka jetuar jashtë Shqipërisë së asaj kohe. Te lexuesi shqiptar mund të shtrohet debati për temën, sidomos për mënyrën se si parashtrohet kjo fazë tejet e hidhur nëpër të cilën ka kaluar shteti shqiptar. Por, kjo nuk duhet të ndodhë për shkak se ne nuk mund ta korrigjojmë jetën e kaluar të dikujt, e as mendimet dhe përshtypjet e tashme për të.

Nëna e Lea Ypit gjatë një stërvitje ushtarake më 1968

Shkurtimisht, fëmijëria e Leas përshkruhet si e lumtur. Si çdo nxënës inteligjent, edhe ajo është në garë për të shkëlqyer në shkollë e për ta dashur atdheun – së bashku me udhëheqësin e vendit dhe sistemin që e imponon edukimi, gjegjësisht shkolla. Lea është në kërkim të lirisë (aq sa mund ta kërkojë një fëmijë) dhe është e kënaqur me kufijtë që i janë vendosur. Jeta e saj është në rregull pasi që të gjithë janë të barabartë dhe nuk ekziston mundësia e krahasimit nga ku do të dilnin dallimet e, më vonë, ndoshta edhe nevoja për ndryshim eventual apo për rebelim. Të gjithë shkojnë në shkollë, të gjithë punojnë, të gjithë presin në radhë para dyqaneve dhe të gjithë e duan Partinë, shtetin dhe udhëheqësin. Jeta është e uniformuar sikurse edhe uniformat e shkollës dhe të punës.

Pse jeta e Leas duhet të jetë ndryshe?

Me kalimin e kohës, duke qenë “prodhim” shoqëror sikurse të gjithë nxënësit tjerë, shndërrohet në entuziaste për përparimin e sistemit që po e “ndryshonte” Shqipërinë për të mirë, përgjithmonë, duke e luftuar të kaluarën me ashpërsi. Kështu thotë mësuesja Nora, televizioni, radioja, gazeta dhe shteti. Ata që kanë kaluar nëpër sistemin socialist, e kanë të qartë se edukimi në shkollë është më i fuqishëm se ai në shtëpi. Megjithatë, vjen një ditë kur Lea nis t’i vërejë ca “parregullsi” në familje. Familjarët e saj janë intelektualë dhe Lea, me insistim të gjyshes, rritet duke e folur paralelisht frëngjishten dhe shqipen. Por, në shtëpi nuk kanë fotografi të Enver Hoxhës, gjë që e shqetësonte “brigadieren” – siç e quan Lean, babai i saj. Prindërit e saj shpesh flasin me shifra e, kur ajo kërkon shpjegime, babai intervenon me urdhrin: “Shko në dhomën tënde”.

Një fakt tjetër që i krijonte shqetësim Leas ishte mbiemri i saj. Mbiemri sugjeron se është e së njëjtës familje me Xhafer Ypin, ish-kryeministrin e Shqipërisë të cilin shteti i ri e kishte shpallur tradhtar dhe armik të shoqërisë socialiste. Prindërit e bindin Lean se mbiemri është i rastësishëm dhe se familja e saj nuk ka të bëjë asgjë me këtë “tradhtar”. Prandaj, në shkollë, e sidomos gjatë ditëve të festave të rëndësishme, ajo e mbron këtë me zell të madh qëndrim meqë asnjë fëmijë nuk do të dëshironte të identifikohej me “tradhtarin”.

Lea është pioniere entuziaste sa që njëherë e zbulon një sekret të familjes: se familja e saj s’e do Enver Hoxhën dhe nuk ka dhembje për vdekjen e tij, ndonëse porositet të mos fliste kurrë për atë që kishte dëgjuar në shtëpi. Fati qëndron në anën e familjes së saj, meqë fqinji që e dëgjon sekretin, nuk e lajmëron Sigurimin e Shtetit. Në të gjitha rastet tjera, prindërit dhe gjyshja ia krijojnë asaj një ambient dhe një atmosferë që shkon krahas edukimit që e merr në shkollë.

Gjyshërit e Lea Ypit

Në shikim të parë, familja, edhe pse pa fotografi të Enver Hoxhës, është e disponuar për zhvillimin e jetës socialiste. Por, jeta e familjes Ypi është zhvilluar në dy binarë dhe me skena të teatrit të absurdit. Megjithatë, në disa raste mbesin ca porosi të “dyshimta”, domethënien e të cilave ajo do të mësonte më vonë.

Sidoqoftë, në vitin 1990, me rënien e komunizmi në Evropë, më në fund edhe në Shqipëri fillon ardhja e një lirie të panjohur për Lean. Ky është rasti kur ajo mëson se familja e saj ka qenë disidente dhe e padëshiruar për sistemin komunist saqë për këtë kishin vuajtur burg dhe internime. Disa anëtarë të familjes ishin likuiduar; disa kishin bërë vetëvrasje e disa kishin përfunduar në çmendi meqë nuk i kishin përballuar ndryshimet e luftës së klasave që i kishin zhveshur ata nga pasuritë dhe nga rendi shoqëror. Ajo, pra, tashti sheh se prejardhja e saj është aristokrate e jo nga shtresa e klasës punëtore, siç i kishin thënë. Të parët e saj kanë qenë pashallarë në Perandorinë Otomane, kurse gjyshja që i fliste frëngjisht ka lindur në Selanik ku ishte shkolluar në shkollat franceze. Mbi të gjitha, përfundimisht e merr vesh se kryeministri “tradhtar” Xhafer Ypi në fakt është stërgjyshi i saj.

Këto janë disa kthesa të mëdha për mendjen e një fëmije që zbulon se jeta e saj në fakt ka qenë një lloj eksperimenti i dështuar shoqëror. Ka dështuar tentimi i shtetit për krijimin e Njeriut të Ri socialist.

Jeta e saj ndryshon sërish në sistemin demokratik. Megjithatë, ajo asnjëherë nuk e ngre flamurin e disidentes, siç e kanë bërë të tjerët për të përparuar (edhe në rastet kur nuk kanë qenë të tillë). Lea edhe në demokraci është në kërkim të lirisë. Në kërkim të vetvetes. Por, pa e mohuar kurrë trashëgiminë e saj, çfarëdo që ka qenë ajo.

Stërgjyshi i Lea Ypit: Xhafer bej Ypi, që ndër të tjera ishte kryeministër i Shqipërisë në vitet 1920-1921

Si tinejxhere ajo ka kërkesa tjera, por liria është primare. Demokracia sjell probleme të natyrës tjetër. Viti 1997 është dëshpërues. Atëherë vdesin edhe shpresat që lindën më 1991.Trazirat e vitit 1997 paraqiten në ditarin e saj në fund të librit. Ditari është i shkurtër, por i trajton gjërat në mënyrë mahnitëse, sikurse tërë përmbajtja e librit. Pas trazirave Lea ia del të shkojë për studime në Itali, për të mos e ndalur rrugën e saj akademike që e solli në Londër në LSE (London School of Economics, ndër shollat më të njohura në botë) ku ajo sot është profesoreshë – me renome – e Teorisë Politike.

Sidoqoftë, tërë ndodhitë e jetës së saj, sado të hidhura, cinike, të pakëndshme, tragjike e mashtruese, në libër përshkruhen pa angazhim të vokabularit urrejtës apo nënçmues. Nuk ka as nostalgji. Lea sugjeron se jetën duhet pranuar ashtu siç vjen, pa marrë parasysh dimensionin e së keqes apo të mirës që sjell ajo. Njeriu duhet të mendojë për historinë e progresit, të përshtatet, por edhe të ngrihet mbi të. Këto segmente, të diskutuara në mënyrën e saj, e bëjnë librin shumë të veçantë.

“Free” përçon një porosi që thotë se njerëzit kurrë nuk krijojnë histori nën rrethanat që i zgjedhin vetë. “Kam mundur ta harroj jetën time”, thotë Lea, dhe vazhdon se do të ishte gabim nëse kjo të ndodhte.

Për fund, secili lexues do ta falënderonte Lean që nuk e ka lënë anash jetën e saj. Përndryshe, nuk do ta kishim këtë libër me vlerë aq të madhe. /Telegrafi/