LAJMI I FUNDIT:

Mes synimeve të ndershme dhe kërkesës për famën me çdo kusht

Mes synimeve të ndershme dhe kërkesës për famën me çdo kusht

Nga: Elias Canetti (Fragment nga “Loja e syve: Histori e një jete”)
Përktheu: Aristidh Ristani

“…Në Vjenë ishin disa njerëz me të cilët asokohe mbaja marrëdhënie, i takoja shpesh e nuk u shmangesha. Këta qenë ndarë në dy grupe kundërshtare ndaj njëri-tjetrit. Një palë, që ishin ndoshta nja shtatë a tetë veta, i admiroja për punën e tyre dhe për seriozitetin që tregonin ndaj saj. Qenë njerëz që ndiqnin secili rrugën e vet, që s’pranonin t’ua kthente mendjen askush, që urrenin çdolloj kompromisesh, që s’u pëlqenin sukseset në kuptimin vulgar të fjalës, që i kishin në Vjenë rrënjët e tyre, megjithëse nganjëherë relativisht të reja, njerëz që zor se mund t’i përfytyroje të jetonin diku gjetkë, por që Vjena s’i kishte korruptuar dot. Këta i admiroja dhe mësoja prej tyre si mund të arrihej diçka pa u tërhequr asnjë centimetër, edhe kur bota s’do t’ia dijë fare.

Ç’është e vërteta, të gjithë ata shpresonin të vlerësoheshin në të gjallë të tyre, por ishin të zgjuar dhe e kuptonin sa e pasigurt qe kjo gjë, veçse ishin të vendosur të ngulnin këmbë në arritjen e synimeve të veta, edhe sikur shpotitë që breshëronin pareshtur mbi ta të mos u ndaheshin gjer në vdekje. Kjo mënyrë përshkrimi e qëndrimit të tyre mbase mund të ketë një ton disi heroik, dhe ata ishin të gjithë aq seriozë e aq mendjehollë, sa s’do të pranonin ta shihnin veten të paraqitur në dritë të tillë, por megjithatë kishin guxim, kishin edhe një durim që arrinte nganjëherë gjer në cakun e durimit mbinjerëzor.


Pastaj vinin të tjerët, ata që ishin tërësisht e kundërta e të parëve, të gatshëm për të bërë gjithçka në emër të parasë, të famës ose të pushtetit. Edhe këta më magjepsnin, por natyrisht në një mënyrë krejt tjetër. Doja t’i njihja thellë, doja të dija ç’ndodhte në shpirtin e tyre, t’i zhbiroja gjer në fijet më të holla, thua se shpëtimi im shpirtëror varej nga aftësia që do të kisha për t’i kuptuar e për t’i ndier si personazhe të plota. Me këta takohesha po aq shpesh sa edhe me të tjerët, kërshëria që më ngjallnin mund të ishte ndoshta më e madhe, sepse ato gjëra që shihja te këta s’i besoja dot plotësisht dhe prandaj kisha nevojë gjithnjë e më shumë për t’i vërtetuar.

Por, kjo s’do të thotë aspak që bëja ndonjë lëshim kur shoqërohesha me ta, as u vija pas qejfit dhe as përpiqesha të kishin simpati për mua, por ndërkaq nuk arrinin gjithmonë ta kuptonin menjëherë ç’mendoja në të vërtetë rreth tyre. Edhe në këtë grup bënin pjesë gjashtë a shtatë personazhe kryesore. Por më vështirë se për çdo gjë tjetër e kisha kur detyrohesha të duroja marrëdhëniet midis këtyre dy grupeve.”

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Kulture
Kalo në kategori