Ju kujtohet Luan Hajra dhe “Arabella” e tij? Me siguri po, ngase çdo kush e di se një luan i vërtetë ishte ngjitur një skenë dhe aty kishte mbetur për shumë vjet. Kishte dhuruar shumë këngë, kishte prekur shumë zemra, kishte nxjerrë edhe lot... Por, ku është dhe çka bën Luani sot?
Një talent që nuk është mpakur ndër vite, me atë freski e energji që ka patur dikur në zenitin e tij krijues dhe interpretues, ndan me ne emocionet e viteve në skenë dhe jashtë saj, por edhe për zhgënjimet nga një shoqërie që rri larg artistit të vërtetë.
Jeni njëri nga këngëtarët më të njohur të muzikës burimore në Kosovë. Këngët tuaja edhe sot e kësaj dite dëgjohen me kërshëri. Çka është ajo që i ka mbajtur gjallë kaq gjatë ato?
Ishte një kohë kur nuk të agonte dita si këngëtar. Por, për t’u bërë anëtar i estradës, nevojitej shumë punë, mund, talent, sakrificë dhe pasion. Nëse flas në veten e parë, mund të them se mua, në skenë, më ka mbajtur origjinaliteti i këngës, serioziteti, besimi tek të tjerët dhe njëfarë “vize” që duhej marrë si verifikim se Luani mund të ngjitet në skenë. Ishte e domosdoshme që vlerat tua t’i verifikonte një komision ekspertësh, si muzikologë e linguistë dhe, vetëm kur ata miratonin talentin e dikujt, atëherë nuk kishte pengesa të mëtutjeshme.
Sa ishte vështirë të këndohej në një kohë kur kënga ishte edhe gëzim, edhe vaj, edhe njëfarë revolte ndaj rrethanave të kohës?
Unë jam një ndër këngëtarët që e kam përjetuar një sistem shumë e kontrolluar, pa liri veprimi dhe me kufizime në përshtatje me ideologjinë. Ka qenë një kohë e tillë që programin është dashur ta pasuroj edhe me këngë sllovene, maqedonase, boshnjake, sllave. Megjithatë, ne bënin një jetë artistike të shumtë. Si krijues jemi munduar që të bënim art, të bënim diçka që t’i pëlqente popullit.
Repertori i juaj është mjaft i begatë, kurse lista e këngëve shumë e gjatë. “Rroka mandolinën”, “Te dugaja e re”, “Kallma cigaren”, “O zambak, zambaku i bardhë”, “Nëpër telat e telefonit”, e sidomos “Arabella”, mbesin një thesar në artin mbarëkombëtar. Kush qëndron prapa suksesit tuaj?
K
am diçka të trashëguar nga babai im Arifi (i njohur për kohën dhe trevën e vet), pastaj bashkëpunimi me kompozitor e tekstshkrues, por edhe një talent i rrallë që ka qenë aleat imi përherë dhe sikur më ka dhënë dorë.
I keni kënduar edhe dashurisë. Madje, shpesh keni shfaqur një ligështi ndaj saj, por kënga si duket ju ka mbajtur gjallë?
Po, fakt, dhe akoma po më mbajnë gjallë këto këngë. Unë, në të vërtetë, nuk kam askënd në mendje. Është vetëm një mall, që më mbështjell sa herë bashkohet një tekst i bukur me një muzikë që më pëlqen, që nuk të lë të flesh derisa ta këndosh.
Në skenë ju keni një qëndrim shik nëse mund ta përshkruajmë dhe kënga juaj përcillet ngrohtësisht te publiku…
Jam ndër këngëtarët që kurë nuk kam pasur tremë, emocione. Jam i pari që i kam lidhë këngët, kam bërë potpuri. Me intonacion jam tenor – lirik i rrallë. Dhe me këtë zë të vendosur edhe do të vdes. Sa i përket veshjes “shik”, është e vërtetë që jam munduar të jem pedant sepse skena kërkon disiplinë, dukje, imazh dhe seriozitet.
Me cilët kompozitor keni bashkëpunuar dhe nga i keni marrë tekstet e këngëve?
Atëherë kishte një plejadë kompozitorësh të talentuar që zor se i vjen Kosova sot. Kristë Leka, Mark Kaçinari, Gazmend Zajmi, Musa Piperku, Reshat Randobrava, Isak Muçolli, Tomorr Berisha… përbëjnë një gjerdan kompozitorësh që koha për çdo ditë po i vlerëson çdo ditë dhe më shumë. Këngët burimore i kam marrë nga popullata, ndërsa tekstet i kanë shkruar Rifat Kukaj, Eqrem Basha, Musa Ramadani, Qerim Ujkani, etj.
Ju jeni rritur në Mitrovicë, në një qytet që njihet për kulturën e pasur. Si ka ndikuar kultura e qytetit tuaj në formimin artistik?
Kam qenë anëtar i shoqatës “Qëndresa”, një emër me halë në sy. Regjimi serb e mbylli shoqatën dhe pastaj qëndresa për një çast sikur u ligështua, por kurrë nuk mori në thua. Ajo, rilindi si feniksi; mbeti qëndresë denbabaden për shumë vajza dhe djem.
Si perceptohet ky qytet në jetën tuaj aktuale. Çfarë ju lidh me të përveç kujtimeve dhe të tashmes jo gjithaq fatlume?
E kam mësuar veten të jetoj midis dy realiteteve njëkohësisht. Jam mitrovicas; andej kam dy shtëpi të djegura dhe tokën matanë lumit; këndej e kam një banesë. Arsye të shumta më bëjnë të ndihem mirë këtu ku jam, ndërkohë që atje kam nënoken time, fisin, miqtë e dashur…Këtu kam një jetë më të qetë, por duke diskutuar dhimbjen e pareshtur për të përditshmen e qytetit tim.
Sa këngë keni krijuar dhe kënduar dhe nëse mund ta veçoni ndonjërën prej tyre?
Unë kam shumë këngë të dashura. Pak këngë kam krijuar, ndërsa nuk ka numër sa këngë di. Vet e kam përsosur repertorin duke kënduar nëpër dasma dhe në çdo treve e kam marrë nga një këngë e njëra nga to është “Rroka mandolinën” që është kënduar ndryshe. Unë, këtë këngë e kam ripërtëri dhe e kam shndërruar në një ritëm tjetër që këndohet tash. Nga festivalet, “Arabella” ka marrë 5 shpërblime të mundshme
A mund të na tregoni diçka nga rruga juaj mes çmimeve dhe duartrokitjeve të publikut?
Kam kënduar kudo. Publiku im është besnik dhe shumë fisnik. Por, sikur kam pritur me padurim të këndoja para mërgatës dhe diasporës sonë, sepse ata sikur na jepnin më shumë devocion (emocion). Ka ndodhur që shpesh pas koncerteve, nëpër ambiente të mbyllura, të vazhdonim ahengun deri në mëngjes duke kënduar e duke bërë qejf.
Shpesh në jetën tonë ndjekim një rrugë, një zë, një njeri, një rastësi, një mundësi…Ti, çfarë ke ndjekur?
Në fëmijërinë time kam patur një udhërrëfyes, një shembull me të cilin jam rritur. Kisha idhuj këngëtarët e Shqipërisë, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Vaçe Zela, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Gaço Çako, Eno Koço, etj. Të gjithë këta artistë janë pjesë e jetës sime.
Si një “luan” i muzikës shqiptare, si e shikoni zhvillimin e muzikës para dhe pas viteve ’90-të, duke ditur qe ka pësuar shumë ndryshime deri në komercializëm?
Sot ka shumë rryma, shumë këngëtarë, ku nuk ka një institucion që të bëjë përzgjedhjen e këngëtarëve. Sot tentohet për të nxjerrë sa më shumë CD, apo klipe, me lloj-lloj muzike. Sot këndon kush të dojë. Në këtë amulli shumica i drejtohen muzikës me kompjuter. Në shumë këngë ka një kopjim të shëmtuar të muzikës së huaj, madje edhe të teksteve që nuk përshtaten me shijet e shumë shqiptarëve. Por unë them që kjo periudhë e muzikës shqiptare ku futet pa teklif tallavaja do të jetë kalimtare. Çdo gjë do të shkojë në shtratin e vet.
Përmendët huazimet në këngë. Sipas jush, sa e dëmtojnë krijimtarinë artistike burimore?
Huazimi mbetet i tillë, nuk ka vlerë. Si krijuesit dhe orkestruesit sot kanë një përgjegjësi të madhe për denigrimin e krijimtarisë së vërtetë. Është e dhimbshme që krijimtaria muzikore po bastardohet nga emra që nuk janë profesionistë. Është e papranueshme në krijimtarinë artistike që të kemi huazime nga këngët greke, sllave etj.
Dua që këngëtarët e rinj që do jenë trashëgimtarë të këngës dhe të muzikës ta gjejnë veten brenda shtratit të duhur të muzikës së bukur shqiptare, sepse ritmet e ndryshme dhe kënga polifonike, janë një thesar për Ballkanin.
Sa ruhet sot krijimtaria artistike, sa është imune krijimtaria në një kohë të themi kaotike për muzikën?
Nuk e di nëse mund të jap një mendim të saktë për këtë, pasi s’mund të ndjek dot çdo aktivitet muzikor, por mjerisht, mediet tona e degraduan këngën tonë artistike duke lejuar që shundi të dominojë. Sidomos jam i dëshpëruar me RTK-në, si institucion i quajtur i popullit, që është dashur t’i ruajë vlerat.
Duhet që t’i rikthehemi vetes në muzikë, të rikthehet cilësia, por përgjegjësia më e madhe i takon institucioneve shtetërore.
Keni punuar për disa vite edhe në Radio Televizionin e Prishtinës…
Kam punuar 16 vite në RTP, por asokohe kisha edhe shumë angazhime me muzikë. Megjithatë them se ka qenë një eksperiencë e bukur, me gjithë vështirësitë dhe nivelin e televizionit.
Cilat kanë qenë momentet më të vështira të jetës suaj në skenë dhe jashtë skene?
Momenti më i rëndë ka qenë ai kur në një koncert të mbajtur në Berat, në mesin e publikut ishte edhe babi im, dikur i internuar. Më duket se që të dy qanin. Ai me lot të vërtetë, kurse unë me zemër dhe shpirt. Mund të them se kur orkestra e Isak Muçollit ekzekutonte këngën “Lulëzoj fusha, lulëzoj mali”, sikur trandej baba Tomorri. Në një çast, babai im, befas u ngrit në këmbë dhe brohoriti me sa fuqi dhe elan emrin tim “Luuaaannn …”. Pastaj, i tërë publiku u ngri në këmbë duke qarë me lot dhe ky moment prekës më duket sikur ka ndodhur që sot.
Po më të veçantat?
Ka pasur shumë, në këtë plan do të veçoja mbrëmjet sidomos në Tiranë me artistët më të mëdhenj që i kam ëndërruar, sikur Çesk Zadeja, Ferdinand Deda, Gaco Çako, Ibrahim Tukiqi, Vaçe Zela, Fitnete Rexha, etj.
Vitet kanë një perde të tejdukshme që mbulon kujtimet, por nuk i shuan ato. Turnetë e pafundme, mikpritja e popullit, vendet dhe natyra, janë ato që më mungojnë më shumë! Fakti që arrita një kulm në këngë, për mua ka qenë mjaft…
Ju keni qenë në qendër të vëmendjes gjatë koncerteve. A flirtonin femrat me ju?
Sigurisht që po! Është pjesë e lojës. Kështu është ndërtuar ky lloj arti.
Ndiheni të mikluar nga kjo gjë?
Është normale. Kush është ai që nuk do të donte të mos merrte vëmendjen e duhur gjatë kohës kur këndon në skenë?
Të ka qëlluar të japësh shumë dashuri tek disa persona që ti i ke pasur të shtrenjtë dhe të mos jesh ndjerë i shpërblyer?
Më ka qëlluar. Dhe kur kjo ndodh me njerëzit e afërt të dhemb shpirti.
Dhe si e shëron këtë dhimbje në raste të tilla? Çfarë ilaçi përdor?
S’ka ilaç. Mbeten plagë të hapura.
A ke shumë plagë të tilla?
Edhe kam. Shumë s’kam, por edhe kam…
Dukesh me humor, i gjallë…kështu është natyra jote?
Kështu e mbaj veten, me gajret gjithmonë.
Po si ndjehet një artist, kur nuk është më në piedestal?
Ndoshta vet e kam zgjedhur mungesën time në opinion, sepse nuk mund të bindem të këndoj ‘playback’. Unë kam 51 vjet në skenë dhe interpretoj ‘live’. Mund të ketë momente të veçanta kur je i detyruar të këndosh ‘playback, por me interpretim ‘live’ këngëtari jep maksimumin, sepse e përjeton notë për notë para publikun, i cili është frymëzues i jashtëzakonshëm.
Kohët e fundit nuk ju shohim në skenë, e madje as në koncerte. Është një “zhgënjim i juaji, apo mbyllje e karrierës në mënyrë dinjitoze”?
Assesi mbyllje e karrierës. Unë, jam duke e bërë një plan për të vizituar këngëtarët me nam siç është Bik Ndoja, etj., dhe duke kënduar me ata, do të realizoj një projekt të mirëmenduar.
Megjithatë, a ju mungon skena dhe a keni rast kur këndoni për veten tuaj?
Më mungon dhe shpesh këndoj për shoqëri dhe veten time. Nuk e kursej veten për ndeja me këngë të mirëfillta.
Adhuruesve tuaj të cilët e kanë ndjerë mungesën tuaj për disa vite, çfarë do të dëshironit t’u thonit sot?
Unë publikut shqiptar i kam shumë borxhe, ndaj sa të kem frymë do të këndoj për ta, pasi ka qenë pikërisht ky publik, që gjithmonë më ka përkrahur, më ka mbështetur dhe duartrokitur, sa herë që kam dalë në skenë. Pas luftës, pesë vjet kam kënduar në Durrës, pastaj me ndodhi fatkeqësia, gruaja ime u largua nga kjo jetë. Ishte dhimbje e madhe për mua dhe kështu ndërpreva aktivitetet. Më vonë kisha disa probleme shëndetësore, por që i përballova. Nisur nga kjo, mendoj se unë po jetoj për të kënduar.
A keni komunikim me kolegët tuaj, apo mendoni se shoqëria nuk është aq e sinqertë në art?
Po harrohet shoqëria e vjetër. Kolegët e dikurshëm nuk janë më, kurse edhe sikur kanë ndryshuar për shumëçka. Më bëhet se çdo gjë e shikojnë nga prizmi i lekut (interesit), kurse unë për nga natyra jam pak i ftohtë dhe shpesh di t’i kritikoj. E, kush e do kritikës sot vallë, asnjëri i gjallë.
Shpeshherë dëgjojmë tek flitet që artistët në përgjithësi kanë shkëlqimin e skenës, por kanë një jetë të trazuar personale, përse ndodh kjo gjë?
Kam përshtypjen se arsyeja qëndron në faktin që shpeshherë personat e njohur, marrin famën me vete edhe në jetën e tyre personale. Në fakt, unë them që famën duhet ta lësh te dera e jetës personale.
Këngën e keni profesion, po cili është hobi juaj, kur nuk keni punë me mikrofon?
Në këtë plan, hobi im më i madh është peshkimin, por edhe fërgimi.
A keni trashëgimtar në vokacionin tuaj artistik?
Dafina, ka zgjedhur të merret me art, Delina është duke e bërë doktoraturën për kanto në Gjermani, ndërsa Donika ka një emër muzikor, por është edhe edukatore. Është interesant që të trija fillojnë me shkronjë D, dhe, kjo nuk është rastësi, përmes këtij gjesti kam dashur që atyre t’u dhuroj shumë dashuri.
Së fundi, a keni ndonjë plan se ku dhe sesi do t’i kaloni vitet e pleqërisë së bardhë?
Unë bëj jetën time si përherë, plot gëzime, hidhërime e drithërime. Tash që disa vjet bashkëshortja ime nuk gjendet në jetë, kam në plan që jetën time ta vazhdoj njësoj. Që të jem i sinqertë, dua t’i ofroj dikujt një ofertë serioze për martesë, për besë. Kam nevojë për shoqëri dhe nuk dua që vitet t’i ngrys në vetmi. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova
"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Granit Xhaka shënon gol spektakolar në fitoren e thellë të Bayer Leverkusenit dhe njofton se do të bëhet sërish baba
Turqia po zhvillon një raketë balistike hipersonike me rreze veprimi prej 1000 kilometrave
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë