LAJMI I FUNDIT:

Mësimi gjithëditor, çka e sa nevojitet që të zgjerohet në tërë vendin?

Mësimi gjithëditor, çka e sa nevojitet që të zgjerohet në tërë vendin?

Ndonëse ka nisur implementimin në pesë shkolla të kryeqytetit, që mësimi gjithëditor të nisë zbatimin e tij në nivel vendi, duhet të plotësohen kushte nga infrastruktura e deri tek personeli. Njohës të arsimit thonë se kusht primar mbeten shkollat e reja e infrastruktura përcjellëse që Kosovës vlerësojnë se i duhet një dekadë investimesh që kjo të bëhet.

Ka katër muaj që ka nisur të zbatohet në pesë shkolla të kryeqytetit por jo të gjitha shkollat janë të përshtatshme për mësimin tërë-ditor.

“Shkolla e gjelbër” është njëra ndër implementueset e saj të para por për të qenë e tillë, i janë dashur disa ndryshime.


Njëra ndër to, edhe ndarja e nxënësve.

“Ka pasur ndryshime shkaku i numrit të madh të nxënësve, jemi detyruar t’i zhvendosim ciklin 6-9 në “Eqrem Çabej” dhe e kemi lënë këtu për 1-5. Tjera ka qenë kuzhina, është dashur të ndërtohet prej fillimit, digjitalizimi i objektit, dhoma e objekteve, banka të reja, dollapë”, ka thënë drejtori i ShFMU “Shkolla e Gjelbër”, Besart Ismajli.

Ndonëse me shkollën ku janë bartur nxënësit gjenden në një oborr, në shkollat tjera largësia e zhvendosjes ka qenë më e madhe.

Me rilokimin e nxënësve nga shkolla “Qamil Batalli”, një klasë e ka pranuar edhe shkolla “Emin Duraku”, 200 metra larg.

E përparësi në implementim sipas njohësve të arsimit mbetet krijimi i shkollave të reja por megjithkëtë dhe kushtet shtesë, do të duhen dekada investimesh.

“Në gjykimin tonë nuk e shohim si reformë të zbatueshme së paku për 10 vitet e ardhshme, duke e ditur karakterin demografik të shpërndarjes së nxënësve në komuna të ndryshme dhe investimet e jashtëzakonshme qoftë si kapitalet e infrastrukturoret por mbi të gjitha, edhe përgatitjet në resurse njerëzore e implikimet financiare që ka”, ka thënë njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.

Televizioni ka pyetur Ministrinë e Arsimit nëse e ka në plan afatmesëm e të largët që të zbatojë mësimin tërëditor në gjithë Kosovën, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.