LAJMI I FUNDIT:

Bislimi pas marrëveshjes KEDS – Elektrosever: Tash duhet edhe hapa tjerë për t’i dhënë fund ilegalitetit në mospagesë të rrymës në veri

Bislimi pas marrëveshjes KEDS – Elektrosever: Tash duhet edhe hapa tjerë për t’i dhënë fund ilegalitetit në mospagesë të rrymës në veri

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nënshkrimi i kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, është edhe një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës.

Bislimi thotë se “më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasi që pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën”.

“Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë. Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës”, thekson ai.


Mes tjerash, ai ka deklaruar në postimin në Facebook se “Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet e saj, andaj dhe presim e kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër, për ta përfunduar këtë proces”.

Ndryshe, para pak ditësh, KEDS dhe Elektrosever, kanë arritur marrëveshje për normalizimin e shpërndarjes dhe të furnizimit me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës.

KEDS ishte shprehur i kënaqur për arritjen e marrëveshjes.

“KEDS njofton se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore”, kishte njoftuar KEDS. /Telegrafi/