LAJMI I FUNDIT:

Si u përjashtua asistenti në Fakultetin e Mjekësisë për ngacmim seksual

Si u përjashtua asistenti në Fakultetin e Mjekësisë për ngacmim seksual

Një asistenti të Fakultetit të Mjekësisë të UIniversitetit të Prishtinës i është shkëputur kontrata e punës pasi i njëjti dyshohej se kishte ngacmuar seksualisht një studente.

Kështu ka thënë dekania e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Suzana Manxhuka-Kërliu.

“Njëra nga vlerat e universiteteve duhet të jetë barazia gjinore, luftimi i seksizmit, luftimi i ngacmimit, çfarëdo lloj qoftë ai dhe integriteti akademik. Ne si Fakultet i Mjekësisë jemi të prirë që ta parandalojmë dhe ta adresojmë ta luftojmë ngacmimin seksual, duke i inkurajuar studentet por edhe stafin, që t’i paraqesin rastet”, ka deklaruar ajo në emision “Kallxo Përnime”.


Manxhuka-Kërliu ka rrëfyer edhe një rast të ngacmimit seksual dhe trajtimin që i është bërë nga Fakulteti i Mjekësisë.

“Ne kemi pas raste të denoncimit nga ana e një studenteje e cila e kishte pranuar mesazhe nga një pedagog, një asistent që ishte i angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë. Ai i kishte dërguar në orët e vona mesazhe ku shprehte ndjenjat e tij mbi pamjen e saj dhe ajo e ka ndi veten të diskriminuar dhe të ofenduar gjithashtu”, tha ajo.

“Studentja e ka lajmëruar menjëherë rastin, i ka dorëzuar mesazhet, unë e kam lajmëruar këshillin e Fakultetit të Mjekësisë, e kemi diskutuar këtë çështje dhe kemi marrë vendim që ta përjashtojmë dhe ia kemi ndërprerë kontratën”, ka deklaruar dekania e Fakultetit të Mjekësisë në UP.