LAJMI I FUNDIT:

Plagosi policin në Tiranë, 20 mijë euro shpërblim për informacion mbi autorin, kontrollet shtrihen në katër qytete

Plagosi policin në Tiranë, 20 mijë euro shpërblim për informacion mbi autorin, kontrollet shtrihen në katër qytete

Policia e Tiranës ka vendosur një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që ka informacion për Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili tentoi të vriste me armë zjarri punonjësin e Policisë, Edlir Alleshi. 42-vjeçari vijon të jetë në kërkim, teksa operacioni për gjetjen e tij është shtrirë në disa qytete, më konkretisht Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë.

Deri më tani, ka pasur disa informacione nga qytetarët mbi vendndodhjen e mundshme të Klered Bozhanaj, të cilat uniformat blu po i verifikojnë.


“Gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme, ka vijuar kërkimi intensiv për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili tentoi të vriste me armë zjarri punonjësin e Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë kontrolluar dhjetëra banesa në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë dhe do të vijojnë kontrollet intesive, deri në kapjen e tij.

DVP Tiranë falënderon qytetarët, për informacionet e dhëna deri tani, të cilat janë duke u verifikuar nga Policia. Policia kërkon vijimin e bashkëpunimit, duke ftuar qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm, që do të çojë në kapjen e tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftim.

Efektivi i forcave “Shqiponja”, Edlir Alleshi, mbeti i plagosur gjatë ushtrimit të detyrës, mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Patrulla e forcave “Shqiponja” ishte vënë në ndjekje të autorit, pasi në sallën operative kishte mbërritur një telefonatë që tregonte se një burrë me kapele të zezë lëvizte i armatosur në zonën e Kinostudios. Alleshi mori dy plumba në bark, pasi në drejtim të tij qëlloi dy herë me armë zjarri Klered Bozhanaj. /Telegrafi/