LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Për 100 ditë menaxhuam me sukses pandeminë dhe siguruam 2 milionë vaksina

Kurti: Për 100 ditë menaxhuam me sukses pandeminë dhe siguruam 2 milionë vaksina

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para kabinetit qeveritar ka prezantuar punën e 100 ditëshit të Qeverisë që ai drejton.

Kurti ka thënë se në këto 100 ditë kanë marrë 144 vendime.

“Në këto 100 ditë ne kemi marrë 144 vendime dhe kemi kaluar projektligje e dokumente të rëndësishme. Kur e bëmë betimin në Kuvend me 22 mars thamë se prioritet kryesor është menaxhimi i pandemisë. U zotuam se do të bëjmë dy gjëra me urgjencë, ndaljen e trendit të infektimeve dhe ta kthenim mbrapsht trendin e vdekjeve, dhe së dyti të sigurojmë vaksina sa më shpejt e më shumë”, ka thënë Kurti.


Kryeministri ka thënë se me marrjen e mandatit qeverisës kishim numër të madh të infektimeve me COVID-19 dhe rasteve të vdekjeve.

“Kur morëm mandatin kishim 781 raste me infektime të reja dhe 107 vdekje, kurse sot kemi 9 raste të reja dhe asnjë vdekje. Fatkeqësisht nuk gjetëm asnjë vaksinë dhe asnjë kontratë të negociuar për sigurimin e tyre , sot kemi 2 milionë vaksina të siguruar ku afro 400 mijë sosh kanë arritur dhe mbi 200 mijë doza ta administruara”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm.

“Kemi ulje 99% të rasteve të reja, 97% ulje të rasteve aktive, dhe 86% të rasteve të hospitalizuara. Pandemia në këto 100 ditë është menaxhuar me sukses, dhe kemi përmbushur premtimin bazë për qytetarëve”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se pandemia ende nuk ka mbaruar, dhe se rreziku nga virusi mbetet i pranishëm.

Ai bëri thirrje që të jemi të kujdesshëm dhe të  respektojmë udhëzimet e institucioneve shëndetësore. /Telegrafi/