LAJMI I FUNDIT:

“BP Home”, në 20 vjetorin e themelimit, hap fabrikën për shtëpi modulare, synon depërtimin në tregun ndërkombëtar

“BP Home”, në 20 vjetorin e themelimit, hap fabrikën për shtëpi modulare, synon depërtimin në tregun ndërkombëtar

Drejtori ekzekutiv i kompanisë “BP Home”, Mentor Pllana, në shënimin e 20 vjetorit të këtij biznesi, ka treguar se në këtë vit jubilar, ata kanë hapur fabrikën “Instabuilt”, e cila merret me prodhimin e shtëpive modulare.

Ai ka theksuar se ata dy dekada më parë kishin nisur punën me hapjen e një dyqani për shitjen e dyerve dhe dritareve për të arritur suksesin e ditëve të sotit.

“Kompania jonë ka 85 të punësuar dhe 400 nënkontraktorë, për pesë vite kemi pritur që ta hapin fabrikën “Instabuilt”, kjo do të thotë prodhojmë ndërtim modulare ose hapësira fluturuese, të cilat do të fluturojnë në të gjithë botën. Brenda vitit 2018/2019, ndërtuam zonën për procesim të eksporteve. Fabrika gjendet si pjesë e kësaj zone, derisa në kuadër të zonës kemi edhe kompaninë Fingermarket, e cila në fokus ka financimin digjital të projekteve dhe objekteve të cilat do të ndërtohen në Evropë”, tha Pllana.

Ai ka thënë se aktualisht në “Instabuilt”, kanë kapacitet të ndërtojnë mbi 240 mijë metra katrorë, derisa në fund të vitit 2022, sipas tij, kompania do të ketë kapacitetet të prodhojë mbi 1 milion metra katror.

Pllana ka folur edhe për mundësinë e bashkëpunimit me bizneset shqiptare në diasporë, të cilat sipas tij, rreth 85 për qind të tyre veprojnë në fushën e ndërtimit, respektivisht në patundshmëri.

“Ne me këto biznese mund të bashkëpunojmë së bashku në katër forma:

– Bashkëpunim në formën e nënkontraktorit, na duhen kompani ndërtimore në Evropë, Skandinavi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilat do të bashkëpunojmë dhe do të finalizojmë projekte ndërtimore në këto vende.

– Bashkëpunimi në formën e ndërmjetësit: na duhen agjent për shitje, agjent për gjetjen e tokave për ndërtim dhe komunikim me autoritete lokale për leje ndërtimi.

– Bashkëpunim në formën e investitorit – jemi të hapur të bashkë investojmë, të shesim e japim me qera objekte bashkë.

– Bashkëpunim ne formën e partnerit – ne do të hapim biznese të përbashkëta të bazuara në projekt. Ndërtojmë bashkë, ndërmjetësojmë bashkë dhe investojmë bashkë”, ka shtuar Pllana. /Telegrafi/