LAJMI I FUNDIT:

Golden State e fiton trillerin e sezonit në Oklahoma, Curry vendimtar (Video)

Golden State e fiton trillerin e sezonit në Oklahoma, Curry vendimtar (Video)

Golden State Warriors edhe pse pa meritë ka arritur ta mposhtë Oklahoma City Thunder në Chesapeake Arena pas vazhdimeve me rezultat 121-118, ku vendimtar ishte ai që po e merr epitetin e më të mirit në botë, Stephen Curry.

Oklahoma hyri shumë e përqëndruar në këtë sfidë, duke treguar lojë të mirë në pjesën e parë, me ç’rast arriti një epërsi prej 11 pikësh.

Pjesa e dytë ishte një dramë e vërtet, pasi Curry u kthye pasi u lëndua dhe bashkë me Klay Thompson fantastik arritën që të shkrijnë epërsinë e Oklahomas.

Në aksionin e fundit për Oklahoman me një pikë disavantazh, ishte Kevin Durant ai që realizoi një tre pikësh fenomenal për të siguruar një epërsi prej 2 pikësh për ekipin e tij me vetëm pak sekonda të mbetur në semafor.


Në aksionin e fundit të Golden State të organizuar pas një time outi, ishte Andre Iguodala ai që mori përgjegjësinë për të gjuajtur dhe përkundër faktit se nuk qëlloi koshin, ai u faulua nga Kevin Durant me ç’rast iu mundësuan dy gjuajtje, prej të cilave ai u tregua i sakt, raporton Telegrafi.

Kështu, me barazim prej 103-103, ndeshja shkoi në vazhdime.

Me të filluar vazhdimet, Curry e detyroi Durantin që ta fauloj atë, me ç’rast me gabimin e tij të gjashtë personal u largua nga loja duke hendikepuar Oklahoman.

Të udhëhequr nga Westbrook, Oklahoma mbajti epërsinë deri në fund të vazhdimeve, por në aksionin vendimtar ishte Stephen Curry ai që nga më larg se 10 metra gjuajti për të shënuar me vetëm 7 të qindta në semafor për epërsinë prej tri pikësh të Golden State, me ç’rast edhe u tregua vendimtar duke siguruar fitoren e ekipit të tij.

Curry realizoi plot 12 treshe dhe theu rekordin personal për më shumë treshe në një sezon.

Më i miri i këtij takimi pa dyshim se ishte Curry me 46 pikë dhe 6 asistime, i përcjellë te ekipi i tij nga Klay Thompson me 32 pikë.

Te Oklahoma shkëlqeu Kevin Durant me 37 pikë, 12 kërcime dhe 6 asistime. Fantastik u treguan edhe Russell Westbrook me 26 pikë dhe 13 asistime, ashtu sikurse Serge Ibaka me 15 pikë e plot 20 kërcime.

Me këtë fitore Golden State ia hap vetes rrugët për të thyer rekordin e Chicago Bulls të sezonit 95-96, teksa Cury po bind gjithnjë e më shumë se është lojtari më i mirë në rruzullin tokësor. /Telegrafi/