LAJMI I FUNDIT:

Mbeturinat vazhdojnë të mbesin problem i madh për Prishtinën

Mbeturinat vazhdojnë të mbesin problem i madh për Prishtinën

Mbeturinat në kryeqytetin e Kosovës vazhdojnë të jenë një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët çdo ditë.

Pavarësisht përpjekjeve të institucioneve, situata në disa lagje të Prishtinës mbetet alarmante.

Në lagjen Bregu i Diellit, konkretisht në rrugën “Xheladin Hana”, kontejnerët janë të mbingarkuar me mbeturina, duke shkaktuar jo vetëm ndotje vizuale, por edhe erë të rëndë për banorët përreth.


Pas këtyre kontejnerëve, një tjetër kontejner është rrëzuar në tokë dhe nuk po përdoret më, duke shtuar edhe më shumë kaosin në këtë zonë.

Situata nuk është më e mirë as në rrugën B, një nga zonat më të frekuentuara të Prishtinës, ku ndodhen shumë biznese dhe banorë. Pavarësisht kësaj, në këtë rrugë janë vendosur vetëm dy kontejnerë, të cilët janë të mbingarkuar me mbeturina pothuajse gjatë gjithë kohës, duke mos përmbushur nevojat e kësaj zone të dendur.

Për shkak të gjendjes së rënduar me mbeturinat, Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytet disa ditë më parë.

Si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar situatën, komuna ka dhuruar gjashtë kamionë të rinj për kompaninë “Pastrimi”.

Gjithashtu, janë siguruar 2,500 kontejnerë të rinj, por këta ende nuk janë shpërndarë nëpër lagjet e kryeqytetit.

Për të adresuar këtë krizë, duke filluar nga muaji mars, pesë kompani private do të angazhohen në mirëmbajtjen dhe pastrimin e qytetit.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse këto masa do të jenë të mjaftueshme për të zgjidhur problemin e mbeturinave në Prishtinë, apo nëse qytetarët do të vazhdojnë të përballen me këtë sfidë në jetën e tyre të përditshme.