LAJMI I FUNDIT:

BQK shton dy shërbime financiare në platformën shtetërore eKosova

BQK shton dy shërbime financiare në platformën shtetërore eKosova

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në kuadër të angazhimeve të saj për të mbështetur lehtësimin e qasjen në financa përmes digjitalizimit të shërbimeve financiare, në pajtim me Planin Strategjik dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) ka vendosur të shtojë në platformën shtetërore eKosova dy shërbime të saj: Regjistrin e Llogarive (RLLB) si dhe Regjistrin e Kredive të Kosovës (RKK).

Kjo është e bërë e mundur përmes nënshkrimit të një Memorandumi të Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve si dhe zhvillimeve të nevojshme teknike.

Me këto zhvillime, përmes platformës shtetërore eKosova, qytetarët pa kosto do të kenë mundësi të verifikojnë llogaritë e tyre në institucionet financiare të cilat raportojnë në Regjistrin e Llogarive, duke përfshirë statusin e llogarisë, si dhe mund të përdorin atë për qëllime të nevojave personale në zbatim të kërkesave tjera administrative.


Gjithashtu, do të kenë mundësi të nxjerrin Raportin Kreditor individual direkt nga platforma shtetërore eKosova, pa pasur nevojë ta kërkojnë në mënyrë fizike nga BQK-ja.

Profili i përdoruesit në platformën eKosova duhet të jetë në nivelin e avancuar të sigurisë (faktor i autentifikimit të dyfishtë), për të siguruar mbrojtjen e duhur të të dhënave si dhe qasjen e autorizuar vetëm nga pronari i llogarisë.

Po ashtu, për të lehtësuar procesin e tërheqjen së kursimeve pensionale të të pensionuarve, BQK-ja ka lidhur Memorandumin e Bashkëpunimit me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, përmes të cilit mundësohet validimi i drejtpërdrejtë i llogarive të qytetarëve, duke siguruar një proces më efikas për të pensionuarit, si dhe duke eliminuar vonesat dhe sfidat që lidhen me konfirmimet tradicionale nga bankat.

Ky avancim dhe ndërlidhja e sistemeve kursen kohën e kontribuuesve dhe garanton një përvojë më të lehtë dhe të sigurt në administrimin e kursimeve të tyre pensionale, duke zëvendësuar praktikën e deritanishme.

BQK, së bashku me partnerët ndërkombëtar që ndihmojnë në procese të digjitalizimit të shërbimeve financiare, po punon edhe në disa avancime tjera teknike dhe operacionale, që zvogëlojnë koston dhe barrën administrative si dhe rrisin efikasitetin e ofrimit të shërbimeve financiare dhe transparencën.

Këto nisma vijojnë zhvillimet e fundit në fushën e qasjes në financa, edukimit dhe gjithëpërfshirës financiare, siç ishte lansimi i Platformës për Krahasimin e Shërbimeve Financiare (https://krahaso.bqk-kos.org/).