LAJMI I FUNDIT:

Një vit brutal dhe një tregim për dy versione të Izraelit: ai që ka frikë dhe ai që është i frikshëm

Një vit brutal dhe një tregim për dy versione të Izraelit: ai që ka frikë dhe ai që është i frikshëm

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Për këtë temë, ju ndoshta dini diçka më shumë se unë. Në kohën kur do ta lexoni këtë shkrim, është e mundur që Izraeli të ketë dhënë kundërpërgjigjen ndaj gati 200 raketave balistike që Irani hodhi të martën në mbrëmje në Tel Aviv, Jerusalem dhe qytete të tjera. Ndërsa po shkruaj këtë shkrim, bota po përgatitet për hakmarrjen e pritshme izraelite dhe për atë që kërcënon të shndërrohet në një luftë të gjithanshme rajonale, duke vënë përballë njëra-tjetrës fuqitë dominuese të Lindjes së Mesme.

Arsyeja për këtë boshllëk mes nesh është se po i shkruaj këto fjalë përpara fillimit të Rosh Hashanahut, vitit të ri hebraik, i cili filloi të mërkurën me perëndimin e diellit. Sipas traditës, hebrenjtë supozohet të përmbahen nga çdo lloj pune për 48 orë pas fillimit të tij, përfshirë jo vetëm përditësimin e opinioneve në gazeta, por edhe shikimin e lajmeve në televizion apo kontrollimin e telefonit. Dyshoj se nuk do të jem i vetmi hebre që do ta ketë të vështirë këtë vit të pajtohet me këtë kufizim.


Po ashtu nga Jonathan Freedland:
Izraeli dëshiron të vrasë përbindëshin në fqinjësi, por bombardimi vdekjeprurës po e ushqen atë
Netanyahu po shkon drejt grackës së Hamasit
E ardhmja e AI-së është e frikshme, duhet ta tejkalojmë këtë kërcënim ndaj qytetërimit
Lufta e Putinit kundër Ukrainës do ta dridh botën si 9/11-shi: Të mos i bëjmë të njëjtat gabime

Por, ju nuk keni nevojë për një top kristali për të ditur se, sa herë që vjen kundërpërgjigja izraelite, opinioni do të ndahet menjëherë në dy ekstreme, me dy pikëpamje rrënjësisht të kundërta për atë që ka ndodhur – bazuar në dy pikëpamje krejtësisht të ndryshme për vetë Izraelin. Kjo ndarje është pjesë e asaj që e bëri këtë Rosh Hashanahun ndoshta më të vështirin ndër të gjitha të tjerët që mbahen mend – përveç nga hebrenjtë më të moshuar – dhe që erdhi në fund të një viti të errët dhe të tmerrshëm.

Ja çfarë dua të them për dy pikëpamjet e ndryshme mbi Izraelin. Njëri është Izraeli që shihni në lajme: ngacmuesi i fuqishëm, që sulmon egërsisht fqinjët e tij, i cili, i pakënaqur me kthimin e pjesës më të madhe të Gazës në rrënoja, tani ka nisur tanket në Liban – me sa duket pa ndonjë arsye të mirë, përveçse sepse mundet. Ky Izrael është ai që është paditur në gjykatat ndërkombëtare, ku akuzohet për krimet më të tmerrshme. Ky Izrael, gjatë një viti, ka nxjerrë miliona njerëz në demonstrata masive në qytetet kryesore të Evropës, ShBA-së dhe gjetkë, në një shkallë proteste të paparë në dy dekada, duke politizuar një brez të tërë që është i bindur se kundërshtimi ndaj Izraelit është çështja madhore e kohës sonë.

Dhe pastaj është Izraeli që shihni në dëshminë e burrave, grave dhe fëmijëve të vegjël që i mbijetuan masakrës, përvjetori i së cilës është të hënën – duke treguar se si ata përqafoheshin, të vetmuar dhe të pambrojtur, në banjat dhe dhomat e gjumit të fëmijëve, për orë të tëra të tmerruar, ndërsa burrat e Hamasit rrethonin shtëpitë e tyre, duke qëlluar me plumba nëpër dyer dhe duke hedhur granata në dritare, përpara se përfundimisht t’i vinin flakën shtëpi pas shtëpie, duke bërtitur nga kënaqësia për atë që vetë ata e quanin “masakër”. Ky Izrael është ai që ende vuan për pengjet e marra atë ditë, shumë prej të cilëve mbeten në robëri në Gazë. Ky Izrael është ai vend veriu i të cilit është goditur nga raketat e Hezbollahut për 12 muaj rresht, duke detyruar rreth 65 mijë civilë izraelitë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Këto janë dy versionet e Izraelit dhe nuk kanë pothuajse asgjë të përbashkët: Izraeli që shihet nga pjesa më e madhe e botës dhe Izraeli që sheh veten.

Merreni parasysh përvjetorin që po vjen. Për shumë njerëz jashtë Izraelit, 7 tetori do të shënojë një vit nga fillimi i një lufte brutale, viktimat kryesore të së cilës kanë qenë të pafajshmit e Gazës, vdekjet e të cilëve numërohen në dhjetëra mijëra. Brenda Izraelit, 7 tetori është përvjetori i ditës më të zymtë në historinë e hebrenjve që nga Holokausti, kur rreth 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë, u masakruan, shumë prej tyre u përdhunuan, torturuan dhe u dogjën për së gjalli.

Ose merrini parasysh dy javët e fundit. Për shumë njerëz jashtë Izraelit, gjakderdhja e dy javëve të fundit është konfirmim se Izraeli është vendi që kërcënon më shumë Lindjen e Mesme, një fuqi agresive që, çfarëdo që të ndodhë më pas me Iranin, tashmë e kishte zgjeruar luftën e tij për të ndërhyrë në Liban dhe për të goditur gjithashtu Jemenin. Brenda Izraelit, dy javët e fundit kuptohen si koha kur vendi më në fund po godet përfaqësuesit e regjimit që përbën rrezikun e vërtetë për Lindjen e Mesme – domethënë Iranin dhe sundimtarët e tij teokratikë. Për vite me radhë, Irani e ka rrethuar Izraelin me një “unazë zjarri” që përfshin tri H-ja: Hamasin, lëvizjen Huti në Jemen dhe, më të armatosurin nga kjo treshe, Hezbollahun, i cili ka një arsenal të madh dhe fuqinë e një shteti brenda shteti. Këta akterë dhe Irani nuk janë rastësisht të angazhuar për përfundimin e padrejtësisë së pushtimit të Izraelit pas vitit 1967: qëllimi i tyre i deklaruar është t’i japin fund vetë Izraelit.

Për shumë njerëz jashtë Izraelit, vrasja e javës së kaluar e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ishte një akt i pamatur i përshkallëzimit izraelit, që do të shtynte Lindjen e Mesme në një luftë gjithëpërfshirëse dhe do të shkaktonte humbje të mëdha jetësh. Për izraelitët, ishte një akt vetëmbrojtjeje, duke hequr përfundimisht komandantin e një ushtrie që kishte qëlluar mbi Izraelin verior për një vit të tërë – në një fushatë bombardimesh që filloi më 8 tetor në një akt të vetëshpallur solidariteti me Hamasin dhe që nuk u ndal kurrë – duke i bërë të pabanueshme qytetet dhe fshatrat e asaj zone. Izraelitët pyesin se cili vend në botë do të toleronte një bombardim të tillë dhe do të linte të paprekur njeriun që jepte urdhrat, veçanërisht kur ai njeri dikur i gëzohej grumbullimit të hebrenjve në një vend, në Izrael, sepse kjo do të thoshte të mos “shkoje deri në fund të botës” për t’i gjetur. Kur është fjala për të, izraelitëve u pëlqen t’ua kujtojnë kritikëve të tyre rolin e Nasrallahut si krah i djathtë i Bashar al-Assadit, kur Hezbollahu ndihmoi diktatorin sirian ndërsa ai nisi vrasjen e më shumë se 600 mijë njerëzve të vet.

Ose, merreni parasysh luftën që ka shkaktuar kaq shumë dhimbje gjatë gjithë vitit të kaluar. Ajo që bota sheh në Gazë është një rrip toke të zhytur në errësirë, sepse Izraeli e ka dërrmuar pa marrë parasysh pasojat për jetën civile. Ajo që shohin izraelitët është armiku mizor, Hamasi, që zbuloi fytyrën e tij të vërtetë më 7 tetor dhe që është futur brenda dhe nën rrugët dhe shtëpitë e Gazës, duke përdorur të gjithë popullsinë si mburojë njerëzore, kështu që kur të pafajshmit vdesin atje, është Hamasi ai që duhet fajësuar.

Mund të vazhdoni kështu, me çdo shembull që ekspozon hendekun që ndan Izraelin nga një pjesë e opinionit botëror. Por, e gjithë kjo tregon ndryshimin më të thellë. Për shumicën e të huajve, Izraeli është një superfuqi rajonale, e mbështetur nga një superfuqi globale. Është i fortë dhe i sigurt. Por, kështu nuk duket nga brenda. Izraelitët e shohin shoqërinë e tyre si të vogël – sa Nju-Xhersi – të rrethuar dhe të cenuar.

Për disa dekada, pjesa tjetër e botës ka mundur të thotë se një debat i tillë ishte absurd; se, cilado qoftë origjina e Izraelit, e shtetit të krijuar vetëm tri vjet pas çlirimit të Aushvicit, shteti ishte i fortë dhe i armatosur, pa pasur asgjë për t’u frikësuar. Por, pastaj erdhi 7 tetori.

Shikojeni “Një ditë tetori”, një dokumentar të matur në Channel 4 që përqendrohet në Be’eri, në kibucin që humbi një të dhjetën e popullsisë në atë ditë – më shumë se 100 njerëz – dhe do të kuptoni pse izraelitët nuk ndihen si kolosi i pamposhtur në imagjinatën e kritikëve. Një burrë përshkruan mbylljen në një dhomë teksa shihte fillimisht gruan e tij dhe më pas djalin e tij adoleshent duke gjakosur deri në vdekje, të cilët u qëlluan përmes derës metalike që qëndronte mes tyre dhe burrave të Hamasit. Një fëmijë, tani nëntë vjeç, kujton gjumin në shtëpinë e një shoku dhe përfundoi duke u marrë peng në Gazë. Një grua kujton se si thirri pandërprerë për ndihmë dhe se ushtria nuk erdhi kurrë. Ajo u përpoq të ngushëllonte miqtë e saj më të mirë me fjalë; në vend të kësaj dëgjoi frymën e tyre të fundit.

Në atë kohë, disa kundërshtuan përdorimin tim të fjalës “pogrom” për të përshkruar 7 tetorin. Izraeli është një shtet me një ushtri të frikshme; ishte qesharake të përdorje gjuhë nga epoka kur hebrenjtë ishin pakicë e pambrojtur. Por, kjo do të humbiste jehonën e asaj që ndjenin ata që e përjetuan atë ditë: se, gjatë atyre orëve kur ushtria nuk kishte arritur ende tek ata, ata ishin po aq të pafuqishëm sa paraardhësit e tyre në shtetël [qytezat e dikurshme evropiane me shumicë hebrenjsh]. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz e panë 7 tetorin jo si një ngjarje izraelite, por si hebraike.

Ka dy gjëra për të thënë në lidhje me këtë boshllëk të madh mes mënyrës se si bota e sheh Izraelin dhe se si izraelitët e shohin veten. E para është se ka një grup që është i ekspozuar çdo ditë ndaj të dy këndvështrimeve dhe shpesh e gjen veten të kapur në mes. Po mendoj për hebrenjtë e diasporës, të cilët shohin se çfarë po bën Izraeli dhe se si duket kjo nga jashtë – dhe megjithatë e dinë, nga miqtë dhe familja, se si kjo ndihet nga brenda.

E dyta është se nëse do të ketë njëfarë shprese për t’i dhënë fund hidhësisë së tmerrshme që mbush atë pjesë të botës dhe rrezaton shumë përtej saj, atëherë ata që qëndrojnë në skajet e kundërta të hendekut duhet të përpiqen, qoftë edhe për një moment, të shohin se si duken gjërat nga ana tjetër. Izraelitët duhet të mendojnë mirë për ndikimin që veprimet e tyre – aq shumë të justifikueshme në sytë e tyre – kanë te të gjithë ata përreth tyre. Dhe, pjesa tjetër e botës do të bënte mirë po të vinte herë pas here veten në vendin e izraelitëve, për të paramenduar se si është të jesh i rrethuar nga armiq që ëndërrojnë vdekjen tënde dhe që, vetëm një vit më parë, u përpoqën të bëjnë më të keqen që ato ëndrra të bëhen realitet. /Telegrafi/