LAJMI I FUNDIT:

Intervista e Castros më 1961, në prag të kërcënimit bërthamor

Intervista e Castros më 1961, në prag të kërcënimit bërthamor
Fidel Castro

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 26 qershor 1961, në një fermë jashtë Havanës, Robin Day i programit PanoramaBBC-së u ul pranë 34-vjeçarit Fidel Castro, për të folur rreth ndryshimeve që kishin ndodhur në ishull, qëkur ai kishte udhëhequr revolucionin për të përmbysur diktatorin e Kubës, Fulgencio Batista.

Castro ishte intervistues i këndshëm, në disa raste bishtnues, i etshëm për t’i lënë përshtypje gazetarit të BBC-së se si politika e Reformës Agrare – të cilën ai e kishte nënshkruar pak më shumë se dy vjet më parë – po përmirësonte jetën e kubanëve, dhe gjithashtu për të folur për dëshirën e tij për marrëdhënie paqësore me ShBA-në.


Pak gjëra në intervistën në dukje të veçantë, tregonin se sa e vështirë dhe e rrezikshme po bëhej situata midis Kubës dhe ShBA-së.

Day ishte njëri nga një numër i gazetarëve të ftuar, ndërsa udhëheqësi revolucionar ishte në disponim pozitiv teksa ata bënin turne nëpër fshatrat e Kubës.

“Është orator i lindur me rrjedhë të pafund të fjalëve”, raportoi Day duke rrëfyer se Castro i kishte lënë mjaft përshtypje teksa grupit i fliste për vizionin e tij për vendin.

“Nuk duhet të konsiderohet si i krisur apo palaço. I la përshtypje edhe gazetarit të New York Times-it, si njeri mendjemprehtë, erudit dhe i zoti. Është magjepsës, kudo që shkon”, tha Day.

Castro donte t’ua tregonte atyre mbështetjen në mesin e popullit kuban, ndaj më parë i kishte çuar në një fermë të re shtetërore ku punëtorët e plantacioneve ishin grumbulluar për të biseduar me të dhe ai i kishte inkurajuar gazetarët që t’i pyesnin ata.

Për udhëheqësin kuban, qëllimi kryesor i revolucionit ishte fuqizimi i të varfërve të ishullit dhe përmirësimi i kushteve të tyre të jetesës. Kjo ambicie ishte mishëruar në Aktin e Reformës Agrare të cilin Castro e nënshkroi në ligj në maj të vitit 1959, duke përmbysur modelet shekullore të shfrytëzimit në Kubë.

Para revolucionit, zona të mëdha të tokave kubane gjendeshin në duart e disa familjeve të pasura dhe kompanive të huaja shumëkombëshe, si Coca-Cola dhe United Fruit.

Shumica e fshatarëve kubanë punonin si punëtorë për ta, shpeshherë në kushte shtypëse, ose luftuan për të mbijetuar si fermerë fshatarë në parcela të pakta toke, të rrezikuar nga dëbimet e paligjshme.

Kjo pabarazi e ashpër kishte rrënjosur varfërinë në ishull dhe kishte siguruar terren pjellor për rrënjët e idealeve prapa revolucionit të Castros. Ligji i Reformës Agrare ndaloi gjithë pronësinë e huaj të tokës dhe u konfiskuan pronat me mbi 1000 hektarë.

Këto toka ishin rishpërndarë, disa u kthyen në komuna shtetërore, të tjerat iu dhanë rreth 200 mijë fshatarëve që morën tapitë e tokave. Castro me sa duket e kishte zemëruar edhe nënën e vet duke konfiskuar disa nga pasuritë e familjes në Finka Las Manakas.

Castro donte t’i tregonte ekipit të gazetarëve se ai ligj, i cili sot mbetet baza e modelit bujqësor të Kubës, po ndryshonte për të mirë jetën e kubanëve të zakonshëm.

“Keni udhëtuar nëpër Kubë, çfarë keni parë gjatë udhëtimit [tuaj]? Të gjithë punojnë, të gjithë janë të lumtur. A i keni parë vështirësitë ekonomike?” – i tha ai Dayt.

Por, përtej miqësisë sipërfaqësore në turne, situata nuk mund të ishte më e tensionuar.

Ligji e kishte vënë qeverinë e Castros në mosmarrëveshje me Uashingtonin dhe udhëtimi ishte organizuar si pjesë e ofensivës për të lënë përshtypje, në përpjekjen për të ndryshuar situatën e përkeqësuar midis dy kombeve.

Ngritja e papritur e Castros në pushtet kishte shkaktuar probleme të thella ndërkombëtare për ishullin e vogël të Karaibeve. Qeveria amerikane, në veçanti, ishte fuqimisht kundër eksperimentit socialist të Kubës. Diktatura ushtarake e Batistas, ndonëse ishte e korruptuar, shtypëse dhe thellësisht jopopullore për kubanët, kishte qenë ashiqare pro-ShBA-së dhe regjimi shihej si aleat i bizneseve amerikane që zotëronin pjesën më të madhe të industrisë së vendit.

Viti 1962: Momenti më i rrezikshëm i Luftës së Ftohtë
Lexo po ashtu Viti 1962: Momenti më i rrezikshëm i Luftës së Ftohtë

“Batista konsiderohej njeriu më i mirë i ShBA-së në Kubë, i cili me të vërtetë zbatoi ligjin për të mirën e kompanive amerikane”, tha për BBC Witness History, më 2016, diplomati dhe studiuesi kuban Carlos Alzugaray. “Për shembull, ai dhe kabineti i tij merrnin dy mijë dollarë në muaj nga mafia, për t’i lënë të lirë të bëjnë çfarë të duan për kazinotë dhe prostitucionin në Kubë”.

Kur qeveria e re revolucionare merr pushtetin, ajo i kishte shtetëzuar këto biznese amerikane, pa kompensim, duke hequr bazën e tyre në ekonomi. Si kundërpërgjigje, në vitin 1960 ShBA-ja kishte vendosur embargon tregtare – e cila mbetet ende në fuqi sot – duke shpresuar se mungesat dhe uria do ta destabilizojnë regjimin e ri.

Por, derisa ShBA-ja mbylli tregtinë e saj me Kubën, qeveria e Castros e kompensoi duke u kthyer te një partner i ri tregtar – te superfuqia rivale e ShBA-së, Bashkimi Sovjetik. Më pas, në fillim të vitit 1961 – gjashtë muaj para intervistës së BBC-së – ShBA-ja ndërpreu të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Havanën. Kur këto masa nuk arritën të rrëzonin qeverinë e re socialiste, CIA vuri në fuqi planin për të cilin kishin punuar që nga fillimi i vitit 1960.

Me miratimin e presidentit Eisenhower, CIA kishte trajnuar dhe financuar në mënyrë të fshehtë rreth 1400 kubanë të cilët ishin larguar nga shtëpitë e veta, qëkur Castro kishte marrë pushtetin. Ata planifikuan ta zbarkonin këtë forcë pushtuese në Gjirin e Derrave, 100 milje (161 kilometra) në juglindje të Havanës, duke besuar se kjo do të niste kryengritjen popullore kundër Castros. Presidenti i ri i ShBA-së, John F Kennedy, e dha miratimin për këtë projekt. Doli të jetë vlerësimi më i gabuar dhe më dramatik; sulmi ishte dështim i tmerrshëm dhe pushtuesit u dorëzuan pas më pak se 72 orëve; më shumë se 1000 prej tyre u zunë robër.

Pak më shumë se dy muaj më vonë, Castro rrinte ulur duke folur me një grup të gazetarëve që përfshinin amerikanët, të vetëdijshëm se qeveria e tyre po përpiqej në mënyrë aktive që ta rrëzonte.

Dhe, jo gjithçka kishte qenë e thjeshtë për ata gazetarë amerikanë. Castro i detyroi të shkojnë në konferencë shtypi në mesnatë – e cila zgjati deri në orën 3:15 të mëngjesit, përpara se të fillonte turneu në orën 6:00 të mëngjesit. Turneu përfshinte qëllimisht skenat e sulmit katastrofik në Gjirin e Derrave – duke përfshirë rrënojat e një aeroplani të rrëzuar B26, të ofruar nga ShBA-ja për pushtuesit, si dhe një shtëpi e shkatërruar nga një bombë nga forcat sulmuese, të cilën Castro u zotua ta ruante si memorial.

Por, Castro ishte i etur që në intervistë që ta de-eskalonte situatën gjithnjë e më të paqëndrueshme me ShBA-në, dhe për të vendosur marrëdhëniet më normale. Kur u pyet nëse ishte neutral në Luftën e Ftohtë, apo nëse ishte në linjë me fuqitë komuniste, ai u përgjigj: “Pse mendoni për luftën? Mendoj se gjëja më e mirë për paqen është të mendosh për paqen. Jam me paqen”.

Ishte më bishtnues kur Day e pyeti se kur do të ketë Kuba zgjedhje demokratike, duke thënë: “I kemi pyetur njerëzit dhe ata thonë se nuk duam politikë tash meqë po punojmë”.

Më parë, për BBC News, në një intervistë në janar 1959 ai kishte thënë se mendonte se “aty kah 18 muaji do të kemi zgjedhje të lira – për më pak se një vit”.

Tani e riformuloi nocionin e demokracisë duke mohuar të drejtën për të votuar në zgjedhjet qeveritare, të drejtën që punëtorët të kenë kontroll mbi jetën dhe punën e tyre të përditshme.

“Besoni se këtu nuk ka demokraci? Ju siguroj se ka më shumë demokraci sesa në ShBA”, tha ai. “Sepse, këtu, ajo çfarë ishte një punëtor, çfarë ishte një fshatar, kundërshtohej nga autoriteti përmes pronarëve të tokave. Tani ata e organizojnë punën, e organizojnë kooperativën. Njeriu më i lirë që mund të gjesh në të gjitha Amerikat është burri kuban”.

Por pavarësisht premtimeve të Castros, zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk do të realizohen kurrë për Kubën.

Në atë kohë Castro kishte vendosur tashmë sistemin njëpartiak, duke dërguar qindra njerëz në burg si të burgosur politikë. Gjatë viteve 1960, u bë gjithnjë e më represiv dhe intolerant ndaj çdo kritike, me çka e mbyti shtypin të lirë dhe mijëra homoseksualë, disidentë dhe të tjerë që konsideroheshin si “të padëshiruar”, u dërguan në kampet e punës së detyruar.

Përparimi që bëri Castro duke sjell arsim dhe kujdes falas shëndetësor për të gjithë kubanët, u zbeh në të njëjtën kohë nga shtypja sistematike e lirive të tyre themelore.

“Që nga revolucioni, për kubanët u përmirësua qasja në shërbimet publike, si shëndetësia dhe arsimi, dhe për këtë lidershipi duhet duartrokitur. Megjithatë, pavarësisht këtyre arritjeve në fushat e politikës sociale, mbretërimi 49-vjeçar i Fidel Castros u karakterizua nga shtypja e pamëshirshme e lirisë së shprehjes”, ka thënë pas vdekjes së Castros në vitin 2016, drejtoresha e Amnesty International në Amerikë, Erika Guevara-Rosas.

Në fund të fundit, udhëtimi i gazetarëve do të bënte pak gjëra në ndryshimin e trajektores në të cilën të dy vendet ishin mbyllur.

Pas dështimit të Gjirit të Derrave, pesë muaj pas intervistës në BBC, presidenti Keneddy e miratoi Operacionin Mongozi, një fushatë të fshehtë ku operativët e CIA-s dhe të mërguarit kubanë kryen një seri sabotazhesh në industrinë dhe tokën bujqësore të ishullit, si dhe tentativën për vrasjen e Castros dhe të zyrtarëve të qeverisë.

Kjo e bindi liderin kuban se ai kishte nevojë për mbështetjen sovjetike dhe, duke besuar se ShBA-ja do të tentonte një pushtim tjetër, ra dakord të lejonte Bashkimin Sovjetik të vendoste raketat bërthamore në ishull – vetëm 90 milje (145 kilometra) nga Florida.

Ky vendim do të shërbente për të shkaktuar përplasjen mbi Kubën, midis dy superfuqive, gjë që do të çonte në krizën e raketave kubane të vitit 1962 dhe, siç tha ish-korrespondenti i BBC-së në Moskë, Allan Little në vitin 2002, “që brenda disa ditëve do ta sjell botën më afër luftës bërthamore sesa ka qenë më parë apo edhe sot”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori