LAJMI I FUNDIT:

MPB Maqedoni: Zbulohet personi që valëviti flamurin “Autochthonous” në Tetovë

MPB Maqedoni: Zbulohet personi që valëviti flamurin “Autochthonous” në Tetovë

MPB Maqedoni informon se është zbardhur rasti me flamurin e Shqipërisë së Madhe në Tetovë, gjatë pritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

MPB njofton se flamuri është ngritur nga A.M (21), i cili është shtetas i Gjermanisë dhe se ndaj tij do të dorëzohet kallëzim penal.


“Departamenti i Policisë Kriminale – Sektori për Krime të Përgjithshme dhe Krime të Dhunshme në bashkëpunim me SPB Tetovë zbardhi ngjarjen penalo-juridike të ndodhur më 11.08.2023 në sheshin në Tetovë, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kur u shfaq flamuri i të ashtuquajturës “Shqipëria e Madhe”, me çka është kryer krim sipas nenit 319 të Kodit Penal”.

“Pas marrjes së masave taktike operative u konstatua identiteti i personit që ka kryer krimin – A.M.(21), i cili është shtetas gjerman. Në koordinim me Prokurorinë e Tetovës, kundër personit do të parashtrohet kallëzim penal në prokurorinë kompetente për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë, u shfaq flamuri i Shqipërisë së Madhe me mbishkrimin “Autochthonous”, gjë e cila zgjoi autoritetet në vend. Për shfaqjen e këtij flamuri dhe për mos intonim të himnit maqedonas, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është ftuar në gjykatë për të dhënë deklaratë./Telegrafi/