LAJMI I FUNDIT:

Zhvillimet e fundit në veri, reagon Komuniteti Shqiptaro-Amerikan

Zhvillimet e fundit në veri, reagon Komuniteti Shqiptaro-Amerikan

Komuniteti shqiptaro-amerikan ka bërë thirrje sot për veprim të menjëhershëm kundër Serbisë për nxitje të dhunës dhe sulm ndaj trupave të NATO-s në Kosovë, pasi siç thonë ditët e fundit janë kryer akte të dhunës nga grupe të organizuara pro-ruse nga Serbia ndaj policëve të Kosovës, trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe gazetarëve në veriun e Kosovës.

Në reagimin për media të komunitetit shqiptaro-amerikan thuhet se aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga regjimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë.


Lexoni të plotë reagimin:

Aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga regjimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë.

Këto akte dhune nga Vuçiqi dhe falangat e tij, brenda territorit sovran të Republikës së Kosovës nuk mund të kalojnë pa një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

Ne jemi të shqetësuar se qëllimi i regjimit të Beogradit, në përputhje me lojalitetin e tyre ndaj Rusisë, është që konflikti të shpërthejë dhe të përhapet në vendet fqinje, duke ndezur potencialisht luftëra të reja në Ballkan – për të hapur një front tjetër në Evropë.

Është e domosdoshme që SHBA dhe aleatët e saj të kuptojnë më në fund peshën e rëndë të situatës dhe të marrin një qëndrim të vendosur kundër shantazhit nga Serbia në vend të përkëdheljes së vazhdueshme ndaj provokimeve të saj. Është thelbësore që Serbia të kuptojë përkushtimin e Perëndimit drejt paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, dhe se pasojat e veprimeve në kundërshtim me këtë do të jenë të rrepta.

Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës dhe partitë opozitare që të ndërtojnë një front të përbashkët kundër provokimeve dhe shantazhit serb, dhe të koordinohen ngushtë me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përkundër mungesës së fundit të masave të domosdoshme kundër Vuçiqit dhe ndërmarrjes së tij kriminale, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të jenë mbështetës i fuqishëm i sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës – përkushtuar për të mbështetur demokracinë e saj pa përjashtim.

Po ashtu, para se të bëhet vonë, i bëjmë thirrje administratës amerikane që t’i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë dhe të insistojë që çdo dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore të udhëhiqet nga SHBA dhe të ketë në qendër njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë, siç është deklaruar qartë Presidenti Biden dhe katër presidentët para tij.

Duke forcuar partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të dy vendet mund të punojnë drejt përfundimit të ciklit të dhunës dhe arritjes së një paqeje të qëndrueshme në Ballkan, duke evituar ndikimin dhe agresionin rus dhe kinez në Evropën Juglindore.

Nënshkruesit e deklaratës, Organizatat shqiptaro-amerikane: Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA), Batalioni Atlantiku – Atlantic Battalion, Federata Panshiqptare – VATRA, Shoqata Malesia e Madhe, New York, Shoqata Malësia e Madhe, Michigan, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nga Illinois (KShAI), Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Shoqata Peja – New York, Shoqata Kraja, Shoqata Ulqini – Chicago, Shoqata Çameria, Shoqata Prespa – Chicago, Shoqata Uskana, Fondacioni Plavë Guci, Shoqata Ana e Malit, Shoqata Valët e Liqenit, Shoqata Jehona – Michigan, Fondacioni Lukaj, Dardania – Shoqata Shqiptaro-Amerikane Houston-Teksas. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Lajme
“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

Lajme
Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

Lajme
Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Lajme
Kalo në kategori