LAJMI I FUNDIT:

Grabovci reagon pas vdekjes së nipit: Jeta më dha goditjen më të rëndë

Grabovci reagon pas vdekjes së nipit: Jeta më dha goditjen më të rëndë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka reaguar pas vdekjes së nipit të tij, i cili u gjet pa shenja jete këtë të enjte në Prishtinë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Grabovci ka thënë se jeta i ka dhënë goditjen më të rëndë.


“Të dashur miq, shokë e dashamirë, jeta më përballi me goditje e stuhi të njëpasnjëshme. Sot, më dha më të rëndën! As burgjet, me të gjitha të hekat e saj, as rënia e Dinës (vëllait) dëshmor, e as asnjë sfidë jetësore nuk më rrëzoi më fortë”, ka shkruar ai.

Gjendet i vdekur një 50 vjeçar në Prishtinë, dyshohet për vetëvrasje
Lexo po ashtu Gjendet i vdekur një 50 vjeçar në Prishtinë, dyshohet për vetëvrasje

Grabovci tutje ka thënë se të ndjerin e ka pasur jo vetëm “shenjë” nga vëllai, por edhe bashkëluftëtar e shok.

“Nazmi, nuk të kisha vetëm shenjë të vëllait, të kisha bashkëluftëtar, shokë e gjithçka në jetë, mbështetesha shumë tek ti. Sot, më mundove fortë bre Naz….Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës që Ti e deshe aq shumë. Bëmi të fala Dinës e Xhaferit,  e thuaju se, sot e kam lëndua Ademin shumë…”, ka shtuar ai.

Në media u raportua se 55-vjeçari që u gjet i vdekur sot rreth orës 12:00 në një veturë në lagjen “Emshir”, në Prishtinë, është nipi i Adem Grabovcit.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë, në një veturë në lagjen ‘Emshir’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, mashkull, rreth 50 vjeç”, ka thënë ai.

Sipas tij, bazuar në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit.

“Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje,  policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka thënë tutje Borovci./Telegrafi/