LAJMI I FUNDIT:

Japonezët dhurojnë 675 shtretër spitalorë, Latifi e quan mbështetje të jashtëzakonshme për shëndetësinë

Japonezët dhurojnë 675 shtretër spitalorë, Latifi e quan mbështetje të jashtëzakonshme për shëndetësinë

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë dorëzuar 675 shtretër spitalorë nga Agjencia Japoneze për bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se kontributet si ky, do ta kenë ndikimin e drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor.

Ai tha se spitalet po pranojnë një mbështetje të jashtëzakonshme nga JICA.


Latifi: 675 shtretër për QKUK-në, mbështetje e jashtëzakonshme nga JICA

“Spitalet tona po pranojnë sot një mbështetje të jashtëzakonshme. Kësaj radhe 675 shtretër spitalorë të siguruar nga Agjencioni Japonez për bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të projektit për zhvillimin e kapaciteteve kundër sëmundjeve infektive përfshirë COVID-19”, theksoi Latifi, transmeton KP.

Latifi tha që përmirësimi i kujdesit shëndetësor është prioritet i Qeverisë së Kosovës.

“Përmirësimi i kujdesit shëndetësor është prioritet i Qeverisë së Kosovës, ndërsa fuqizimi i kapaciteteve do të na mundësojë gjithashtu transformim të infrastrukturës spitalore”, tha Latifi.

I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Yamanka Keisuke, tha se sigurimi i shtretërve për QKUK është pjesa e dytë e implementimit të projektit që kap vlerën prej 846 mijë eurove apo 110 milionë jenëve japonez.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu sot, kemi pas mundësinë me dhënë edhe pjesën e fundit në kuadër të ndihmës të vazhdueshme që Ambasada japoneze ka dhënë kohëve të fundit. Ju lutem pranoni këtë ndihmë si shenjë e bashkëpunimit dhe të dashurisë për popullin e Kosovës. Jam shumë i lumtur që po kemi mundësinë që t’iu dërgojmë këtë ndihmë”, tha Keisuke.

Ndërsa përfaqësuesi kryesor i Zyrës Ballkanike të JICA-s, Jiro Takeichi, bëri të diture se bazuar në marrëveshjen me Ministrinë e Shëndetësisë, 359 shtretër do të mbesin në QKUK, ndërsa 316 të tjerët do të jenë për gjashtë spitalet e përgjithshme (Prizren, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë).

Ai tha se përfituesit kryesorë nga modernizimi i shtretërve spitalorë, do të jenë qytetarët e Kosovës./Telegrafi/