Një poet nga më të shquarit e Shqipërisë më thoshte në ditët pas plenumit anti-letërsi të Komitetit Qendror të PPSh-së në qershor 1973: “Beogradi e njeh mirë mendjen e Enver Hoxhës. Sa herë që në Shqipëri nis ndonjë shkëndijë liberalizimi në një fushë të artit, Beogradi bërtet: ‘Po hapet Shqipëria, po liberalizohet, po shkon në Perëndim’. Menjëherë Enveri shtrëngon darën më shumë dhe vendi zhytet më thellë në izolacionizëm. Pra, bën atë që do Beogradi: izolimin e Shqipërisë”.
Kjo sintezë mbresëlënëse e njërës prej mendjeve më të ndritura të kombit shqiptar, m’u kujtua kur lexova fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në “Forumin e Prespës” në Ohër në 2 korrik 2021, që afishonte divorc me Evropën. Në këtë paralele historike shqiptare kemi në të dy rastet hijen e Beogradit mbi Tiranën ose më saktë interesin strategjik të Serbisë që Shqipëria të zgjedhë gjithmonë izolimin nga Evropa.
Kryeministri deklaroi tekstualisht: “Nuk jemi të frustruar apo në depresion, ne jemi mirë. Ata (BE) janë më të depresionuar se ne. Së bashku ne (Ballkani Perëndimor) jemi më të mëdhenj. Evropa nuk mund të na thotë ne çfarë të bëjmë në këtë rajon”.
Është një deklarim anti-diplomatik apo paraqitje mburravece pikëpamjesh pseudo-origjinale për orientimin drejt një distancimi nga Evropa të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë ajo, të cilat nuk mund të mos e shqetësojnë opinionin publik për konturimin e një platforme izolacioniste në kursin e politikës së jashtme të Shqipërisë.
Është një shpërthim rural inati diplomatik, që të shqetëson jo vetëm se i tregon derën Evropës si në kohën e qoftëlargut, por për pasiguritë që krijon për strategjinë afatgjatë të politikës së jashtme shqiptare.
Të shprehësh konceptin se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor nuk kanë nevojë t’u tregojë Evropa se çfarë të bëjnë në rajonin, që ëndërron të hyjë në Evropë, është një proklamim i zhurmshëm i programit të rikthimit apo i nisjes së një izolacionizmi të ri të Shqipërisë. Ka një ndryshim thelbësor konceptual dhe praktik të izolacionizmit të ri nga izolacionizmi i kohës së regjimit komunist.
Izolacionizmi i asaj kohe ishte mbyllja në bunkerin e vetvetes dhe jashtë çdo aleance me shtetet e tjera në rajon dhe në botë. Izolacionizmi i tanishëm vjen erë më të dëmshme, sepse përveç karshillëkut infantil diplomatik ndaj BE dhe Evropës, ofron si alternativë aderimin e Shqipërisë në një grupim mikroballkanik.
Dikush në Tiranë apo në Beograd i ka mbushur mendjen kryeministrit aktual se Shqipëria nuk ka nevojë t’ia tregojë BE dhe Evropa se çfarë të bëjë në rajon, sepse mikroshtetet e Ballkanit Perëndimor po presin ta bëjnë veten “të mëdhenj”. Fabula e mirënjohur e La Fontenit për bretkosën që desh të bëhej sa një ka, është mirë të lexohet nga ata, që kanë jetuar, pavarësisht si kanë jetuar, në Paris.
Koncepti që Shqipëria nuk ka nevojë t’ia tregojë BE-së dhe Evropa se çfarë duhet të bëjë, jo vetëm është alogjik, por edhe i dëmshëm për politikën e jashtme dhe për interesat strategjike të Shqipërisë. Historia e Shqipërisë, e Ballkanit Perëndimor dhe e gjithë Ballkanit, dëshmon se të gjithë vendet ballkanike e kanë fituar pavarësinë dhe janë bërë shtete nga Evropa, se ato nuk mund të bëjnë dot pa Evropën, ndaj të gjitha shtetet dhe popujt ballkanikë kanë shpallur se duan të hyjnë në Evropë.
Disa shtete të Ballkanit Perëndimor janë anëtarë të NATO-s, ku shumica dërrmuese e anëtarëve janë nga Evropa. Të thuash që nuk mund të na thotë Evropa se çfarë mund të bëjmë ne në rajonin tonë, do të thotë të pohosh se nuk mund të na thotë as BE dhe as NATO se çfarë mund të bëjmë në rajonin tonë.
Ka dy momente diplomatike të rëndësishme, që e bëjnë akoma më të dëmshëm konceptin e izolacionizmit të ri të Shqipërisë dhe të distancimit të saj nga Evropa.
Momenti i parë lidhet me përpjekjen antihistorike dhe antikombëtare, që ndërsa i hakërrohet Evropës se nuk mund të na e thotë se çfarë mund të bëjmë, kryeministri deklaron pëlqimin e tij që të na e thotë Serbia se çfarë duhet të bëjmë dhe jep alternativën e përfshirjes në projektin e mikroaleancës serbe me emrin “mini Shengen”, e krijuar zyrtarisht në 10 tetor 2019 në Serbi nga presidenti Vuçiq, ku vunë firmat dhe dy dishepujt e vegjël të tij, që përfaqësonin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Projekti serb u krijua si përpjekje e Serbisë për t’iu kundërvënë projektit gjerman të “Procesit të Berlinit” dhe për të marrë Serbia një rol hegjemonist në pesë shtete ish-jugosllave plus Shqipërinë. Është një projekt serbo-rus, i cili krijoi qysh në fillim shumë dyshime në Ballkanin Perëndimor, në BE dhe në Evropë.
Ndaj, siç shkruante në 1 korrik “balkaneu.com”: “Besimi i ka munguar më shumë kësaj nisme rajonale deri tani, me Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, që refuzojnë të bashkohen me të”.
BE në asnjë mbledhje të saj dhe në asnjë dokument të saj për Ballkanin Perëndimor gjatë dy viteve nuk ia ka përmendur asnjëherë emrin nismës serbe të “mini Shengenit” si term dhe si fjalë. Dështimi është kaq i bujshëm, sa që tre liderët minishengistë në takimin e tyre të 29 qershorit njoftuan se do t’i ndërrojnë emrin nismës, për të gjetur një emër me kamuflues të strategjisë hegjemoniste ballkanike të Serbisë.
Në planin strategjik Serbisë i duhet një distancim nga BE dhe nga Evropa i shteteve minishengiste si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Vetë platforma e ndërtimit të nismës serbe është ngritur qysh në fillim mbi bazën e filozofisë së distancimit dhe të shkëputjes së vendeve të “mini Shengenit” nga BE dhe nga Evropa, pra mbi filozofinë e izolacionizmit ballkanik antievropian.
Kam tërhequr vëmendjen për këtë tendencë në analizën për samitin e parë trepalësh të mbajtur në Novi Sad në 10 tetor 2019 për shpalljen e “mini Shengent”: “Për të kuptuar thelbin e projektit serb të izolacionizmit ballkanik, të miratuar në Novi Sad, mjaftojnë deklaratat e presidentit serb, i cili në konferencën e përbashkët trepalëshe të shtypit theksoi: ‘Unë jam i lumtur që ne filluam të kemi kujdes për veten tonë dhe që ne nuk kemi nevojë për një tutor’”.
Atij i bëri jehonë në këtë linjë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i clli deklaroi po aty se “ky takim është ndër rastet e rralla që liderët e Ballkanit mblidhen pa mentorët e Bashkimit Evropian”.
Izolacionizmi i ri i Shqipërisë po përdoret tani si një justifikim për ndjekjen e rrugës së anëtarësimit në mikroaleancën e drejtuar nga Serbia. Duke i parashtruar diplomacisë rajonale dhe evropiane, si dhe opinionit publik, konceptin që nuk kemi nevojë që të na tregojë Evropa se çfarë duhet të bëjmë, Shqipëria zgjedh rrugën e mbylljes brenda vetes në rajon në vathën serbe të “mini Shengenit”.
Duke marrë si pretekst se BE në 22 qershor nuk i caktoi Shqipërisë një datë të hapjes së konferencës ndërqeveritare me BE, qeveria e Shqipërisë beson se duhet të na e tregojë Serbia se çfarë duhet të bëjmë, dhe të restaurohet koha e errët e satelitizmit komunist shqiptar ndaj Beogradit. Nuk mund të mos ndjesh keqardhje për katandisjen e minishengistëve qeveritarë dhe klakerëve të tyre mediatikë në Tiranë, që po tamburojnë përrallat e lumturisë, që do të gjejë populli shqiptar te projekti serb i “mini Shengenit”, njëlloj si përrallat e parajsës së dikurshme që na premtonte Beogradi.
Izolacionizmi i ri i Shqipërisë nga Evropa, për koincidencë përkon me interesin strategjik rus të forcimit dhe të shtrirjes së pakënaqësisë dhe të distancimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor nga BE dhe nga Evropa. Beogradi hapur po e distancon veten nga integrimi evropian dhe po shkon te Rusia, madje siç shkruante agjencia serbe “BETA” në 18 qershor “stagnimi i bisedimeve të Serbisë me BE-në është shumë i përshtatshëm për Serbinë”.
Në këtë linjë fokusohet interesi i Rusisë që fryma dhe rryma e pakënaqësisë ndaj Evropës të rritet në mesin e shteteve ballkanike-perëndimore, dhe ato të zhyten në izolacionizëm, që do t’i çojë në prehrin e Moskës. Këtë objektiv e shprehu hapur në 25 qershor në Beograd profesoresha ruse Ekaterina Entina, zëvendës prorektore e Shkollës së Lartë Ekonomike të Moskës, se Rusia në Ballkan nuk duhet të kufizohet vetëm me Serbinë dhe me “Sërpska Republikën”.
“Nëse do të kufizohemi vetëm tek ata, ne do të bëhemi lojtarë pak të rëndësishëm. Ndaj Rusia duhet të gjejë mënyra të tjera qëndrimi ndaj Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë”, theksoi ajo në konferencën e parë diplomatike-shkencore mbajtur në Beograd në 25 qershor nga Qendra kryesore shtetërore ruse e analitikës ndërkombëtare “Valdai club”, organizuar nga MPJ e Rusisë dhe MPJ e Serbisë me temën “Rusia në Ballkan: Vështrim në të ardhmen”.
Momenti i dytë, me të cilin lidhet dhe ndikon me pasoja të dëmshme izolacionizmi i ri i Shqipërisë, ka të bëjë me rrethanat diplomatike të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve. Duke i bërë karshillëk BE-së dhe Evropës me konceptin që nuk ka nevojë të na thotë Evropa se çfarë duhet të bëjmë, Shqipëria fyen arbitrin apo ndërmjetësin e këtij dialogu që është BE, dhe krijon një pozitë të dobët diplomatike për Kosovën në bisedimet.
Ndryshe nga ç’mendojnë neo-jugosllavët e Tiranës, BE dhe Evropa i shikojnë shqiptarët si komb edhe kur na duan të na afrojnë, edhe kur duan të na largojnë. Nëse Tirana sfidon BE dhe Evropën me konceptin e pa nevojës për to, Shqipëria dhe Kosova duhet të presin të shohin koston në ecurinë diplomatike të dialogut Kosovë-Serbi me truke dhe qëndrime jo shumë miqësore për të drejtën historike të Kosovës për pavarësi. Kosova ka vuajtur shumë nga qendrimet proserbe të një pjese të diplomacisë së BE në dialogun me Serbinë. Kokorroshllëku i ri diplomatik i Shqipërisë ndaj BE u jep alibi forcave proserbe në diplomacinë e disa shteteve të BE.
Izolacionizmi i ri i Shqipërisë ka karakteristikën e rrezikshme, që po shoqërohet me zbatimin e izolacionizmit brendashqiptar në raportet midis dy shteteve shqiptare. Me qëllim, e nxitur nga jashtë apo për injorancë, Tirana po ndjek një kurs konfrontimi publik diplomatik me Kosovën, kurs i cili mund të ketë pasoja të rënda për interesin mbarëkombëtar dhe për pozitën e faktorit shqiptar në rajon.
Është e paimagjinueshme nga pikëpamja diplomatike që Shqipëria pranon të hyjë në një grupim rajonal të Serbisë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur Beogradi nuk njeh Kosovën si shtet, dhe Tirana me mendjelehtësinë e narcisit i kërkon Prishtinës të pranojë statusin e provincës në “mini Shengenin” serb.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë moderne të Shqipërisë skandali që shohim sot, kur Tirana lavdërohet për marrëdhënie të shkëlqyera me Serbinë dhe me Greqinë dhe mban marrëdhënie të ftohta, për të mos thënë të ngrira, me Kosovën. Nuk ka informacion se kush ia sugjeron dhe kush ia shkruan kryeministrit të Shqipërisë fjalimet diplomatike plot me koncepte antidiplomatike.
Por, erërat e izolacionizmit, që po fryjnë mbi Tiranë dhe që sipas sinoptikës diplomatike vijnë nga veriu historik armiqësor i Ballkanit, mund të ftohin shumë interesat strategjike dhe gjeopolitike të të dy shteteve shqiptare dhe të kombit shqiptar. Sinteza brilante e poetit të shquar shqiptar e thënë para afro pesëdhjetë viteve risjell të vërtetën e hidhur historike se Beogradi ua ka blerë mendjen udhëheqësve të Shqipërisë. /Gazeta “Dita”/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëLaert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Rriten kërkesat e kosovarëve për azil pas liberalizimit të vizave
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë