Arben Cici
Shoqëria e sotme globale, mjaftueshmërisht koplekse dhe pafundësisht e larmishme, po përjeton një shkundje, në të gjithë kapilarët e saj përbërës. Ajo jo vetëm po drejtohet por, gjithnjë e më shumë, e më shpejt, po dominohet nga zhvillimi më i fundit teknologjik, ose më qartë nga Inteligjenca Artificiale [AI]. AI-ja po revolucionarizon thellësisht të gjitha fushat dhe sektorët e ekonomisë dhe jetës sonë profesionale, shoqërore dhe private dhe po përmbys rrënjësisht mentalitetet tradicionale dhe përvojat që na kanë shoqëruar për shekuj të tërë.
Ndikimi i saj përmbysës “kërcënon” edhe diplomacinë. Ndonëse ajo, për vetë specifikat që mbart, përfaqëson një nga institucionet më të konsoliduara, tradicionale dhe konservatore të ekzistencës së shtetit, nuk mund të mbetet jashtë revolucionit marramendës teknologjik që po përjeton mbarë bota sot. Ndikimi i AI-së nuk mund të anashkalohet e as të mendohet mision i pamundur. Në të kundërt, diplomacia kërcënon të mbetet një institucion i vjetruar dhe i panevojshëm, por kjo do të varet, veçanërisht, sa shpejt, do të përqafojë ajo këtë fuqi, energji e pushtet të magjishëm, sa dobishëm do të dimë të përdorim atë dhe gjithë avantazhet e saj, por sidomos sa të vëmendshme e mëndjehapura do të jenë qeveritë dhe ministritë e jashtme për të mbështetur dhe orientuar diplomatët e tyre të sillen jo verbërisht, por mençurisht ndaj kësaj drite të re, në horizontin e tyre profesional.
ChatGPT e OpenAI është një model shumë i avancuar informimi, ku është përqendruar gjithë befasia, vëmendja dhe interesi, posaçërisht për potencialin ende të pamatur të saj. Ky model mund të shërbejë shumë mirë për të riformësuar dhe reformuar praktikat e deritanishme diplomatike dhe proceset e saj të komunikimit dhe të negocimit
Ministritë e jashtme, duke qenë institucione historike, përgjithësisht karakterizohen nga rutina e ngurtë e punës dhe një prirje e një kulturë komunikuese me prioritet ruajtjen e informacionit brenda gardhit. Prandaj, diplomatëve shpesh u mungojnë formimi i duhur e për pasojë reflekset dhe iniciativa për të përfituar sa më shumë nga faqet e internetit, blogjet dhe mediat sociale, të cilat përbëjnë një platformë të hapur të shkëmbimit dhe përditësimit, në vazhdimësi, të informacionit dhe shkëmbimit të lirshëm të ideve. Për më tepër, diplomacia, si një profesion ende i mbështjellë nga një vello e fshehtësisë dhe diskrecionit, është e papajtueshme me normën thellësisht transparente të platformave digjitale.
Ndaj, një qeveri përgjegjëse, një ministër i jashtëm, i mençur e me përvojë dhe diplomatët e vathës së tyre, u duhet sa më parë të dëshmojnë se janë të aftë të përballen me sfidën e digjitalizimit të thellë, të përshtaten me sukses dhe të përqafojnë teknologjitë e reja, në interes të dobishmërisë dhe efektivitetit të institucionit që përfaqësojnë dhe të shtetit që përpiqen të qeverisin në shoqërinë e sotme globale. Ndryshe, në rastin më të mirë, do të mbeten në bisht të karvanit, duke tërhequr këmbët zvarrë e duke mërmëritur përrallat nga e kaluara e ndritur ose duke parë ëndrra përçartjeje dhe kllapi vizionare.
Sot ka disa ministri të jashtme në botë të cilat kanë hapur ambasada dhe ambasadorë virtualë, kanë krijuar perandori të mediave sociale që përfshijnë dhjetëra platforma, kanë shfrytëzuar faqet e internetit, për të komunikuar me publikun online, kanë krijuar aplikacione, kanë krijuar blogosfera të gjalla dhe kanë zotëruar përdorimin të shpejtë të të dhënave të shumta.
Shumë diplomatë, gjithashtu, kanë hequr, aq sa duhet, vellon e diskrecionit dhe, me profesionalizëm e kurajë gjithashtu, kanë kapërdirë hendekun e rrezikshëm të bindjes së verbër për t’u bërë vetëm “like and share” postimeve të shefave të tyre, duke filluar postime të drejtpërdrejtë në Twitter nga takimet, samitet diplomatike ose nga transmetimet e drejtpërdrejtë të diskutimeve të OKB-së. Madje, këto postime kanë rezultuar shumë interesante dhe mjaftueshmërisht të suksesshme, sepse janë fatmirësisht të zhveshura nga maska e propagandës politike, populizmit dhe interesit përfitues individual që karakterizon postimet e shefave të tyre, në kësi rastesh, ndaj të cilave publiku shfaq, më së pakti, indiference, për të mos thënë përbuzje deri neveri.
Përse jo? Ky është një hap gjigand për diplomacinë dhe diplomatët, për vetë strukturën e saj dhe hierarkinë tejet të ngurtë e imponuese, madje shpesh, praktikisht më të tepruar se ajo ushtarake.
Atë që nuk po pranojnë ende të bëjnë, me ritmin e duhur, shumë ministri të jashtme, po e bën vetë ky numër i konsiderueshëm diplomatësh në të gjithë botën, të cilët kanë filluar përballjen me këtë shpikje të re digjitale- inteligjencën artificiale gjeneruese [AGI]. Risia është, se në përpjekjet e tyre për t’iu përshtatur këtij revolucioni përmbysës teknologjik e natyrisht për të mbijetuar në rrethana krejtësisht të reja, duket se kanë gjetur kurajën për të luftuar me veten e tyre, me të kaluarën e tyre, me vetë institucionin dhe strukturën e tij tradicionale.
Ndaj, për diplomatët e vërtetë, si klasë e zgjedhur dhe përfaqësuese e kombeve, mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme dhe emergjente të kuptojnë se si dhe sa teknologjitë, e drejtuara nga AI-të, po transformojnë çdo ditë, në mënyrë të pashmangshme, diplomacinë, pavarësisht kokëfortësisë rezistuese të saj.
Në këto kushte, atyre u mbetet të fitojnë njohuritë e nevojshme teorike për të zhvilluar aftësitë në mjedise të ngjashme me ato që do të hasin në jetën e tyre profesionale, për t’u mundësuar mandej të lëvizim lehtësisht, por edhe me kujdesin e duhur profesional në mjediset diplomatike të jetës reale dhe për të nxitur pjesëmarrjen e tyre aktive e të suksesshme në aktivitetet diplomatike, dy dhe shumëpalëshe.
Kryqëzimi i AI-së me diplomacinë është i domosdoshëm për të gjithë, pavarësisht përvojës dhe jetëgjatësisë apo spaletave që diplomatët mbajnë mbi supe. Zbatimi praktik i ChatGPT-së në aktivitetin diplomatik është një perspektivë unike për të shfrytëzuar hapësirat e panumërta të zhvillimit teknologjik, për të lundruar, pa u mbytur në detin e gjerë të dinamikës e komplikimeve diplomatike dhe të teknikave të komunikimit që e rrethojnë atë. Mënyrat inovative të teknologjisë AI-së dhe ChatGPT-së duket se kanë ndihmuar, po ndihmojnë e lehtësojnë praktikat diplomatike në kapërcimin, me sukses dhe në kohë reale, sfidat e shumta diplomatike.
Aftësia për të kapitalizuar në diplomaci mjeteve dhe rrugët që ofron AI dhe për të përditësuar njohuritë me shpejtësinë e zhvillimit teknologjik do të jetë një elemenent përcaktues dhe vendimtar për avancim në karrierën e vërtetë diplomatike në vitet që vijnë.
Por, jo vetëm kaq. Disa praktika diplomatike të kohëve të fundit dëshmojnë se gjatë negociatave të gjata, komplekse dhe të vështira, pala që ka pasur në përdorim AI ka zotëruar avantazhin të marrë informacion, këshilla dhe të dhëna në kohë reale, mbi detajet e reja që kanë dalë gjatë diskutimeve. Më konkretisht, “IBM’s Cognitive Trade Adviser” është provuar që ka ndihmuar ekipet negociatore, në çaste vendimtare, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me traktatet tregtare ndërkombëtare të cilat, në rrethana normale, kërkojnë ditë ose javë për t’u përgjigjur.
Jo vetëm kaq, por sistemet inteligjente mund të ndihmojnë ekipet negociatore të testojnë pozicione dhe skenarë të ndryshëm, brenda një kohe shumë të shkurtër. Është fakt se gjatë raundit të parë të negociatave bërthamore me Iranin, një ekip i Departamentit amerikan të Energjisë ndërtoi një kopje të një qendre bërthamore iraniane për të testuar çdo ndryshim të zhvillimit dhe pasurimit bërthamor iranian (ref. Andrew Moore) dhe në të ardhmen, përdorimi i sistemit AI do të jetë në gjendje të ndërtojë skenarë të ngjashëm dhe eksperimente virtuale shumë më shpejt dhe me një kosto shumë më të ulët.
Nuk është çudi në se një diplomat amerikan, do të mund të pyesë ChatGPT-në në përgatitjen e tij për bisedimet për shkëmbime tregtare me Kinën; nuk do të habiteshim sikur një diplomat i NATO-s do të kërkonte ndihmën e ChatGPT-së për të vlerësuar reagimin e Rusisë nëse Ukraina do të merrte zyrtarisht ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe nuk besoj se do të mund të lëndohej krenaria e ekipit negociator shqiptar të saktësimit të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, sado të aftë pretendojnë se janë, nëse do të këshilloheshin me ChatGPT-në për detaje, përvojat ndërkombëtare, deri edhe variante të mundshme të përdorimit të drejtë të busullës dhe kompasit, në hartë e mandej në det.
Nëpërmjet AI-së, diplomatët mundet madje të analizojnë edhe mbulimin mediatik të negociatave dhe të identifikojnë çështjet sensitive dhe kontestuese të cilat mund të ndikojnë negativisht në përpjekjet ndërmjetësuese gjatë një negociate kritike, ashtu siç janë ato të paqes, të luftërave civile dhe të përcaktimit të kufijve ndërshtetërorë.
Sot diplomacia ka mundësinë, si asnjëherë, të artë, të përgatitet për sfidat e së ardhmes dhe të papriturat e kohës. Ajo, nëpërmjet përdorimit të AI-së, sigurisht do të krijojë ndikimin e nevojshëm mbi opinionin publik dhe shoqërinë, për të ndërtuar shtratin dhe rrugën e duhur, për të shuar flakët e një konflikti të mundshëm ose për të lehtësuar dhe shëruar sa më shpejt plagët e pasojave negative të tij.
Ndaj, Ministria e Jashtme daneze, Departamenti amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian kanë hapur tashmë ambasada në Luginën e Silikonit dhe kanë emëruar “ambasador-at-large”, të ngarkuar me krijimin dhe forcimin e marrëdhënieve me kompanitë e mëdha të teknologjisë së lartë. Nathaniel Fick, është i pari “ambassador-at-large” amerikan për hapësirën kibernetike dhe politikën digjitale.
AI ka të gjithë potecialin për të transformuar pozitivisht diplomacinë në një institucion me kapacitet të plotë, ndjeshëm përmirësues, në propozim, vendimmarrje dhe hartim politikash. AI është një burim i pashtershëm për të ndihmuar diplomacinë, qeveritë dhe shtetet të përmbushin misionin e tyre në mënyrë transparente, të besueshme dhe të përgjegjshme, në dobi të qytetarit dhe të ardhmes së shoqërisë globale.
Starti është i barabartë për të gjithë, pavarësisht peshës apo madhësisë, pozicionit gjeostrategjik apo historisë, ngjyrave të flamurit apo të lëkurës.
Vetëm vullneti e bën ndryshimin.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Gjest i shëmtuar", Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u ndëshkua me karton të kuq
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Gjiganti gjerman, Bosch prezanton një javë pune katërditore, por edhe ul pagat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj