Ta dini se do të vijnë ndryshimet e mëdha në mënyrën se si njerëzit marrin njohuri, se si lidhen me njohuritë dhe se si mendojnë për vetveten.
Ese nga: The Economist
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Një prej dhuratave më të zymta që solli Iluminizmi, ishte njohuria se njerëzit një ditë mund të zhduken. Revolucioni astronomik i shekullit XVII tregoi se sistemi diellor funksionon sipas parimeve më të larta të arsyes, dhe se përmban kometa që – mund të merret me mend – do ta godasin Tokën. Të dhënat gjeologjike, siç interpretohen nga de-Bufoni [Comte de Buffon], na treguan zhdukjet masive në të cilat speciet u tretën përgjithmonë. Kjo për Darvinin [Charles Darwin] e krijoi skenën që zhdukjet e tilla t’i njihte si motor i evolucionit dhe, si rrjedhojë, si forcë që i krijoi njerëzit dhe, në mënyrë implicite, edhe fatin e tyre të mundshëm. Shkenca e sapolindur e termodinamikës, e shtoi dimensionin kozmik për përfundimin, si një gjë të sigurt: Dielli, Toka dhe e gjithë materia, eventualisht do të kalojnë në mungesë jete prej “vdekjes nga nxehtësia”.
Shekulli XX e shtoi idenë se zhdukja mund të mos vijë natyrshëm, por nëpërmjet artificiales. Nxitja për këtë ishte zbulimi, dhe më vonë shfrytëzimi, i fuqisë së mbyllur në bërthamat atomike. E cilësuar nga disa prej zbuluesve të saj si një mënyrë për ta shtyrë pafundësisht vdekjen nga nxehtësia, energjia bërthamore u shndërrua shpejt në rrezik shumë më të afërt. Dhe, kërcënimi i prekshëm i katastrofës së afërt që përbën ajo, u përfshi edhe në teknologjitë e tjera.
Asgjë nuk ishte më i padëshiruar sesa kompjuteri. Mund të ketë qenë fajtor indirekt: kompjuteri luajti rol jetik në zhvillimin e arsenalit bërthamor. Mund të jetë gjë paracaktuar kjo. Besimi i Iluminizmit në racionalitetin si arritja më e lartë e njerëzimit dhe teoria e evolucionit e Darvinit premtuan se racionaliteti mbinjerëzor e mundëson përparimin evolucionar në kurriz të njerëzimit.
Inteligjenca artificiale do të ketë ndikim të madh, serioz dhe mahnitës, ndërsa gjatë dy dekadave të fundit shumëçka është shkruar për të nga qarqet akademike që i janë përkushtuar analizës së rrezikut ekzistencial. Në të vërtetë, shpeshherë duket se është në thelb të brengave të tyre. Një botë që përmban entitetet që mendojnë më mirë dhe veprojnë më shpejt se njerëzit dhe institucionet e tyre, dhe që kanë interesa që nuk përputhen me ato të njerëzimit, do të bëhej vend i rrezikshëm.
U bë e zakonshme që njerëzit brenda dhe përreth fushës të thonë se ekzistonte një shans “ose-ose” se zhvillimi i inteligjencës artificiale [AI] mbinjerëzore çon në zhdukjen e njerëzve. Lulëzimi i jashtëzakonshëm i aftësive të modeleve të mëdha gjuhësore (LLM), modeleve “themelore” dhe formave të ngjashme të inteligjencës “gjeneruese” artificiale, i ka futur këto diskutime të rrezikut ekzistencial në imagjinatën e publikut dhe në kutitë e postës elektronike të ministrave.
Siç e bën të qartë seksioni special i shkencës në këtë numër [të The Economics], përparimi i fushës është përshpejtuar dhe premtimet janë të jashtëzakonshme. Kjo sjell rreziqe të qarta dhe të pranishme të cilat duhet të adresohen. Por, në kontekstin specifik të GPT-4-së – si lajm kryesor dhe për të ngjashmet e saj gjeneruese – duken mjaft absurde bisedat për rreziqet ekzistenciale. Ato prodhojnë prozë, poezi dhe kode; gjenerojnë imazhe, tinguj dhe video; bëjnë parashikime të bazuara në modele. Është e lehtë të mendohet se këto aftësi me vete sjellin një kapacitet të madh për të keqen. Është e vështirë të paramendohet se mbështesin “fuqinë për ta kontrolluar qytetërimin”, ose “të na zëvendësojnë”, siç paralajmërojnë kritikët hiperbolikë.
Por – mungesa e çdo “mendjeje që në mendjet tona janë si tonat, janë si ato të bishave që humbasin intelektet e mëdha, që bëhen të ftohta dhe mospërfillëse duke nxjerr planet e veta kundër nesh” – nëse e citojmë H.G. Wellsin, nuk do të thotë se shkalla e ndryshimit që AI-ja mund të sjellë me vete, mund të injorohet ose se duhet të minimizohet. Jeta ka shumë më tepër gjëra sesa shmangia e zhdukjes. Teknologjia nuk duhet ta shohë fundin e botës për ta ndryshuar botën.
Sapo ka filluar tranzicioni drejt një bote të mbushur me programe kompjuterike, të afta për nivelet njerëzore të bisedës dhe të kuptuarit të gjuhës dhe të fuqive mbinjerëzore të asimilimit të të dhënave dhe të njohjes së modeleve. Ardhja e pseudo-njohjes së kudogjendur, përgjatë këtyre linjave, mund të jetë pikë kthese në histori – edhe nëse zvogëlohet ritmi aktual i përparimit të AI-së (që mund të ndodhë) ose nëse zhvillimet themelore janë shterur (gjë që duket e pamundur). Mund të pritet të ketë implikime jo vetëm në mënyrën se si njerëzit fitojnë për jetesë dhe se si e organizojnë jetën e vet, por edhe për mënyrën se si ata mendojnë për njerëzimin.
Për të kuptuar se çfarë mund të dalë në rrugë, merrni parasysh tri analogji ose pararendës të mundshëm: shfletuesin e internetit [browser], shtypshkronjën dhe praktikën e psikanalizës. Njëri ndryshoi kompjuterët dhe ekonominë, tjetri ndryshoi mënyrën se si njerëzit fituan qasje dhe lidhje me njohuritë, dhe tjetri e ndryshoi mënyrën se si njerëzit e kuptonin veten.
Shfletuesi modest i uebit, i prezantuar në fillim të viteve 1990 si mënyrë për të shpërndarë të dhënat nëpër rrjete, e ndryshoi mënyrën se si përdoreshin kompjuterët, mënyrën se si funksiononte industria e kompjuterëve dhe mënyrën e organizimit të informacionit. I kombinuar me aftësinë për t’i lidhur kompjuterët në rrjet, shfletuesi u bë dritare përmes së cilës fillimisht të dhënat, dhe më pas aplikacionet, mund të qaseshin kudo që ato ndodheshin. Ndërfaqja [interface] përmes së cilës përdorues ndërvepronte me një aplikacion, u nda nga vetë aplikacioni.
Fuqia e shfletuesit ishte menjëherë e dukshme. Lufta se sa shumë mund të shtyheshin përdoruesit drejt një shfletuesi të caktuar, u bë çështje e dramës së lartë komerciale. Pothuajse çdo biznes me një adresë në internet mund të merrte fonde, pavarësisht se çfarë absurditeti premtonte. Kur bumi u kthye në dështim në fund të shekullit, pati reagim të parashikueshëm. Por, vazhdoi ndarja themelore e ndërfaqes dhe aplikacionit. Amazon, Meta (Facebook) dhe Alphabet (Google) u ngritën në lartësi marramendëse duke e bërë shfletuesin kanal për mallra, për informacione dhe për lidhjet njerëzore. Ai që i bëri shfletuesit ishte i rastësishëm; roli i tyre si platformë u bë bazik.
Muajt pas publikimit të ChatGPT-së nga OpenAI, një ndërfaqe bisede e mundësuar tani nga GPT-4, panë një shpërthim sipërmarrjesh që bumin e pikë-komit [dotcom] e bën të duket si gjë e vogël. Për përdoruesit, aplikacionet e bazuara në LLM dhe softuerët e ngjashëm mund të jenë jashtëzakonisht të lehtë për t’u përdorur; shkruani aty për aty dhe shiheni rezultatin. Për zhvilluesit nuk është shumë më e vështirë. “Thjesht, ju mund ta hapni laptopin tuaj dhe të shkruani disa rreshta kodi që ndërveprojnë me modelin”, shpjegon Ben Tossell, sipërmarrës britanik që publikon një buletin rreth shërbimeve të AI-së.
Dhe LLM-të janë gjithnjë e më të afta që të ndihmojnë edhe me atë kodim. Duke qenë se janë “trajnuar” jo vetëm në grupe teksti, por me shumë kode, përmbajnë blloqet ndërtuese të shumë programeve të mundshme; kjo lejon të veprojnë si “bashkë-pilot” për koduesit. Programuesit në GitHub-it, një faqe kodimi me burim të hapur, tani po e përdorin një bashkë-pilot të bazuar në GPT-4 për të prodhuar gati gjysmën e kodit të tyre.
Nuk ka asnjë arsye se pse kjo aftësi nuk duhet eventualisht t’ia lejojë LLM-ve që ta bashkojnë kodin gjatë procesit, shpjegon Kevin Skot [Scott], shef i teknologjisë i Microsoft-it. Kapaciteti për të përkthyer nga një gjuhë në një tjetër e përfshin, në parim dhe gjithnjë e më shumë në praktikë, aftësinë për të përkthyer nga gjuha në kod. Një kërkesë e shkruar anglisht, në parim mund të nxisë prodhimin e një programi që plotëson kërkesat e tij. Aty ku shfletuesit e shkëputën ndërfaqen e përdoruesit nga aplikacioni softuerik, LLM ka të ngjarë të shpërbëjë të dy kategoritë. Kjo mund të shënojë ndryshim thelbësor si në mënyrën se si njerëzit e përdorin kompjuterët, ashtu edhe në modelet e biznesit brenda të cilave e bëjnë këtë.
Kodi-si-shërbim tingëllon si plus që ndryshon lojën. Minus është qasja e ngjashme krijuese ndaj llogarive elektronike në botë. Teksa shfletuesit ofruan kryesisht një dritare për përmbajtjen dhe kodin e prodhuar nga njerëzit, LLM e gjeneron vetë përmbajtjen e tyre. Kur e bëjnë këtë, ata “halucinojnë” (ose siç preferojnë disa, “bisedojnë”) në mënyra të ndryshme. Disa halucinacione janë thjesht të pakuptimta. Disa, të tillat si përfshirja e ligësive fiktive në skicat biografike të njerëzve të gjallë, janë të besueshme dhe të dëmshme. Halucinacionet mund të krijohen nga kontradiktat në grupet e trajnimit dhe nga LLM-të që janë krijuar për të prodhuar më shumë koherencën sesa të vërtetën. Krijojnë gjëra që duken si gjërat në grupet e tyre të trajnimit; nuk e kanë ndjenjën e një bote përtej teksteve dhe imazheve mbi të cilat janë trajnuar.
Në shumë aplikacione, tendenca për të nxjerrë gënjeshtra të besueshme, e paraqet një gabim [bug]. Për disa mund të jetë veçori. Manipulimet me video [deep fake] dhe videot e fabrikuara që përgojojnë politikanët, janë vetëm fillimi. Pritini modelet që përdoren për të krijuar rrjete të influencës së keqe, sipas porosisë, krejtësisht me ueb-faqe të rreme, robotët në Twitter, faqe në Facebook, burime të TikTok-ut dhe shumë më tepër. Furnizimi i dezinformatave, ka paralajmëruar Renej Dajresta [Renée DiResta] nga Observatorit i Internetit të Stanfordit, “së shpejti do të jetë i pafund”.
Ky kërcënim, për vetë mundësinë e debatit publik, mund të mos jetë ai ekzistencial; por është thellësisht shqetësues. Të sjell ndërmend “Bibliotekën e Babelit”, një tregim i shkurtër nga Borhesi [Jorge Luis Borges]. Biblioteka përmban të gjithë librat që janë shkruar ndonjëherë, por edhe të gjithë librat që nuk janë shkruar kurrë, librat që janë të gabuar, librat që janë marrëzi. Gjithçka që ka rëndësi është aty, por nuk mund të gjendet për shkak të gjithçkaje tjetër; bibliotekarët po shkojnë drejt çmendurisë dhe dëshpërimit.
Kjo fantazi ka substrat të dukshëm teknologjik. Aftësia e shtypshkronjës duhet rikombinojë një grup fiks të simboleve në një numër të pakufizuar të mënyrave deri në kufirin përfundimtar. Dhe, kjo ofron një mënyrë tjetër të të menduarit për LLM-në.
Shkalla në të cilën bota moderne është e paimagjinueshme pa shtyp, është udhëzim se historia e saj na bën me dije se spekulimet rreth LLM-së janë të pjesshme, në rastin më të mirë, e në rastin më të keq mashtruese. Pati përgjegjësi zhvillimi i aranzhimit të shkronjave nga Gutenbergu [Johannes Gutenberg], në një kohë apo tjetër, për pothuajse çdo aspekt të jetës që u zhvillua në shekujt që pasuan. I ndryshoi marrëdhëniet midis Zotit dhe njeriut, burrit dhe gruas, të kaluarës dhe të tashmes. Lejoi shpërndarjen masive të opinioneve, sistemimin e burokracisë, grumbullimin e njohurive. Në jetë solli nocionin e pronësisë intelektuale dhe mundësinë e piraterisë së saj. Por, kjo gjerësi krahasimin e bën pothuajse të pashmangshëm. Siç thotë Bredford Dëllong [Bradford DeLong], historian i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë [Berkeley], “është e vetmja gjë reale që kemi, në të cilën çmimi i krijimit të informacionit bie në rendin e rëndësisë”.
Librat e shtypur bënë të mundur që studiuesit të bredhin në fushat më të mëdha të njohurive, siç asnjëherë më parë nuk ka qenë e mundur. Në të qëndron analogjia e qartë për LLM-në, e cila nëse trajnohet në një korpus të caktuar të njohurive, mund të nxjerrë të gjitha llojet e gjërave prej saj. Por, përvetësimi i librave është më shumë sesa njohuria e thjeshtë.
Pak më shumë se një shekull pasi shtypi i Gutenbergut filloi të zhurmojë, de-Montenjë [Michel de Montaigne], një aristokrat francez, mundi të grumbullonte një bibliotekë personale me rreth 1 500 libra – diçka e paimagjinueshme për një individ, të çdo brezi të mëparshëm evropian. Biblioteka i dha më shumë se dije. I dha miq. “Kur më sulmojnë me mendime të zymta”, shkroi ai, “asgjë nuk më ndihmon aq shumë, sa vrapimi drejt librave të mi. Shpejt më përthithin dhe m’i largojnë retë e zeza nga mendja”.
Dhe, ideja e librit ia dha atij një mënyrë për të qenë vetvetja, në mënyrën që askush nuk e kishte eksploruar më parë: të futej mes kopertinave. “Lexues”, paralajmëroi ai në parathënien e Eseve të veta, “vetë unë jam çështja e librit tim”. Prodhimi masiv i librave i lejoi ata të bëhen shumë personalë; ishte e mundur të shkruash një libër për asgjë më shumë apo më pak sesa për veten dhe për personin që u krijua duke lexuar librat e të tjerëve. Librat e prodhuar nga autorët.
Si një mënyrë për t’i paraqitur njohuritë, LLM-ja premton të çojë më tej anën praktike dhe personale të librave, në disa raste duke i shfuqizuar krejtësisht ato. Një aplikim i dukshëm i teknologjisë është shndërrimi i trupave të njohurive në lëndë për çetbotët [chatbots]. Në vend që të lexoni një korpus teksti, do të pyesni një entitet të trajnuar për të dhe do të merrni përgjigje bazuar në atë që thotë teksti. Pse t’i shfletoni faqet kur mund të keni pyetje për një vepër në tërësi?
Secili dhe gjithçka duket se tani po i ndjek modelet e tilla të akorduara, si mënyrë për të siguruar qasje në njohuri. Bloomberg-u, një kompani mediatike, po punon në BloombergGPT, një model për informacionin financiar. Ka versione të hershme për një QuranGPT dhe një BibleGPT; a mund të jetë shumë larg një PontiffGPT [për peshkopët] me rroba moderne? Ndërkohë, disa biznese të reja [start-up] po ofrojnë shërbime që të gjitha dokumentet në hard-diskun e një përdoruesi, ose në burimet tjera të kujtesës [cloud], t’i kthejnë në burim për konsultim bisedash. Shumë adoptues të hershëm tashmë po i përdorin çetbotët si zërues. “Është si koleg i ditur me të cilin mund të flasësh gjithmonë”, shpjegon Xhek Klark [Jack Clark] nga Anthropic, një start-up që merret me LLM-në.
Është e lehtë ta paramendosh një ndërmjetësues të tillë, që do të kenë atë që do të duket si personalitet – jo vetëm gjenerues, si një “mësues i afërt”, por me specifikat që shtohen me kalimin e kohës. Mund të bëhen si përdoruesit e tyre: një version i jashtëm i zërit të tyre të brendshëm. Ose, mund të jenë si çdo person tjetër, rezultatet e të cilit janë të mjaftueshme për të qenë model për t’u trajnuar (nëse këtë e lejojnë çështjet e pronësisë intelektuale). Studiuesit në Institutin Australian për Mësimin e Makinerisë, e ndërtuan një version të hershëm të një asistenti të tillë për Lori Andersonin [Laurie Anderson], kompozitore dhe muzikante. Është trajnuar pjesërisht në veprën e saj, dhe pjesërisht në atë të bashkëshortit të saj të ndjerë, Lou Reed.
Zonja Anderson thotë se nuk e konsideron përdorimin e sistemit si mënyrë për të bashkëpunuar me partnerin e saj të vdekur. Të tjerët mund t’i nënshtrohen më lehtë iluzionit të tillë. Nëse disa çetbotë bëhen, deri-diku, zëri i brendshëm i përdoruesit të tyre, atëherë ai zë do të vazhdojë pas vdekjes nëse të tjerët dëshirojnë të bisedojnë me të. Se disa njerëz do të lënë pas vetes çetbotët e vet kur të vdesin, kjo tashmë duket e sigurt.
Aplikacionet dhe implikimet e tilla ta kujtojnë esenë klasike të Frojdit [Sigmund Freud] mbi Unheimliche-n, ose të mistershmen. Freudi e merr si pikënisje idenë se misteri buron nga “dyshimet [në lidhje me] nëse një qenie në dukje e gjallë është me të vërtetë e gjallë; ose anasjelltas, nëse një objekt i pajetë në fakt mund të gjallërohet”. Janë lloji i dyshimeve që vështirë mund t’i shmangin ata që mendojnë për LLM-të.
Megjithëse studiuesit e AI-së mund të shpjegojnë mekanikën e krijesave të veta, ata vazhdimisht nuk janë në gjendje të thonë se çfarë në të vërtetë ndodhë brenda tyre. “Nuk ka asnjë ‘arsye përfundimtare teorike’ pse diçka e tillë duhet të funksionojë ashtu”, tha së fundmi – në një postim të jashtëzakonshëm (dhe të gjatë) duke u përpjekur që të shpjegojë modelet e funksionimit të brendshëm – Stivën Uolfram [Stephen Wolfram], shkencëtar kompjuterësh dhe krijues i Wolfram Alpha, i motorit të kërkimit matematikor.
Kjo ngre dy shqetësime të ndërlidhura, por reciprokisht përjashtuese: se AI-të kanë një lloj pune të brendshme të cilën shkencëtarët ende nuk mund ta perceptojnë; ose se është e mundur të kalosh si njeri në botën shoqërore pa asnjë lloj të njohjes së brendshme.
“Këto modele janë vetëm paraqitje të shpërndarjeve së fjalëve në tekste, që mund të përdoren për të prodhuar më shumë fjalë”, thotë Emëli Bendër [Emily Bender], profesoreshë në Universitetin e Uashingtonit në Sietël. Ajo është një nga autorët e veprës Për rreziqet e papagajve stokastikë: A mund të jenë shumë të mëdha modelet gjuhësore?, një kritikë për triumfalizmin e LMM-së. Modelet, argumenton ajo, nuk kanë njohje të vërtetë. Pa përvojë të jetës reale apo të komunikimit njerëzor, nuk ofrojnë asgjë më shumë se aftësinë për të papagallizuar gjërat që kanë dëgjuar gjatë stërvitjes, aftësi kjo që sasitë e mëdha të përtypjes së numrave shpeshherë i bëjnë të përshtatshme dhe ndonjëherë befasuese, por që nuk ngjajnë aspak me mendimin. Është pikëpamje e cila shpeshherë është e theksuar nga ata që kanë ardhur në këtë fushë përmes gjuhësisë, si Dr. Bendër.
Për disa në tregtinë e ndërtimit LLM-së, gjërat nuk janë aq të thjeshta. Modelet e tyre janë të vështira për t’u hedhur poshtë si “thjesht llafazane”, sipas fjalëve të Blejz Aguera i-Arkasit [Blaise Agüera y Arcas], udhëheqës i një grupi në Alphabet që punon me produktet e AI-së. Ai mendon se modelet kanë atribute që vërtet nuk mund të dallohen nga aftësia për të ditur se çfarë kuptimi kanë gjërat në të vërtetë. Mund të shihet, sugjeron ai, në aftësinë e tyre për të zgjedhur me besueshmëri kuptimin e duhur kur përkthen frazat që janë gramatikisht të paqarta, ose për t’i shpjeguar shakatë.
Nëse Dr. Bendër ka të drejtë, atëherë mund të argumentohet se një gamë e gjerë e sjelljeve që njerëzit kanë arritur t’i mendojnë si në thelb njerëzore, nuk janë domosdo të tilla. “Dyshimet e misterit [në lidhje me] nëse një qenie në dukje e gjallë është me të vërtetë e gjallë”, janë plotësisht të justifikuara.
Të pranosh se LLM-të në dukje njerëzore janë llogaritje, statistika dhe asgjë më shumë, mund të ndikojë në mënyrën se si njerëzit mendojnë për vetveten. Frojdi e portretizoi veten si vazhdues i trendit që nisi nga Koperniku [Nicolaus Copernicus] – i cili i largoi njerëzit nga qendra e universit – dhe Darvini – i cili i largoi ata nga një status i veçantë mes kafshëve dhe i dhënë nga Zoti. Kontributi i psikologjisë, siç e pa Frojdi, qëndronte në “përpjekjet për t’ia vërtetuar ‘egos’ së secilit prej nesh se ai nuk është as zot në shtëpinë e vet”. LLM mund të thuhet se e çon edhe më tej idenë. Të paktën, një krah i shtëpisë së Frojdit bëhet një “shtëpi e zgjuar” e pabanuar; dritat ndizen dhe fiken automatikisht, termostati inteligjent hap dritaret dhe ul blindat, pastruesja digjitale sillet përreth. Fare nuk ka nevojë për mjeshtër.
Megjithatë, sado mister të jetë, do të ishte gabim të mendohet se shumë njerëz do ta marrin për zemër këtë decentralitet të fundit. Për sa i përket jetës së përditshme, njerëzimi është treguar mjaft elastik ndaj Kopernikut, Darvinit dhe Frojdit. Njerëzit ende besojnë në perëndi, shpirtra dhe në veçanti kanë pak shqetësim të dukshëm për shkencën kundërbalancuese. Ata mund të përshtatem shumë lehtë me botën pseudo-kognitive, të paktën për sa i përket brengave filozofike.
Nuk është e nevojshme ta marrësh si të vërtetë shpjegimin e Frojdit për efektin shqetësues të misterit, sa i përket përpjekjes që mendja shpenzon për ta ndrydhur gjallërinë fëmijërore, e të mendosh se nuk duhet të shqetësohesh dhe se duhet të shkosh në rrjedhën e gjallërimit që do ta bëjë botën – në mënyrë të habitshme të rehatshme – me pseudo-njerëz komunikues. Njerëzit njëkohësisht mund të kuptojnë se diçka nuk është e gjallë dhe do ta trajtojnë atë sikur është. Disa do ta çojnë këtë shumë larg, duke formuar lidhjet problematike që Frojdi do t’i kishte quajtur fetishiste. Por, vetëm disa shpirtra të ndjeshëm do ta gjejnë veten të lënë pas dore teksa vështrojnë në humnerën ekzistenciale – por personale – të hapur nga mundësia që mendimi i tyre i dukshëm është pa një qëllim.
Po sikur z. i-Arkas megjithatë ka të drejtë dhe ajo që shkenca e konsideron të pajetë është – në një mënyrë të mistershme, të pjesshme dhe në zhvillim – efektivisht gjallëruese? Atëherë do të jetë koha për të bërë për AI-të disa nga gjërat që Frojdi mendonte se po i bën për njerëzit. Pasi e kuptoi se mendja e ndërgjegjshme nuk ishte e gjithë tabloja, Frojdi i kërkoi gjetkë burimet e dëshirës që për të mirë ose për të keq ndikonin në sjellje. Shumë pak njerëz tani pajtohen me shpjegimet specifike frojdiane të sjelljes pasuese njerëzore. Por, ideja se ka arsye se pse njerëzit i bëjnë gjëra për të cilat nuk janë të vetëdijshëm, kjo është pjesë e aparaturës mendore të botës. E pavetëdijshmja ndoshta nuk është model i duhur për çfarëdo që ia siguron LLM-së një sens të dukshëm kuptimi ose një përafrim të ndërmjetësitë. Por, mund të jetë e fuqishme ndjenja se mund të ketë diçka nën sipërfaqen e AI-së që ka nevojë për mirëkuptim.
Dr. Bender dhe ata që pajtohen me të mund t’i kundërshtojnë nocionet e tilla. Por, mund të zbulojnë se ato çojnë në veprime të dobishme në fushën e “etikës së AI-së”. Zhduk paragjykimet e pavetëdijshme të fituara në fillimet para-verbale të trajnimit; ballafaqimi me kontradiktat pas halucinacioneve; rregullimi i dëshirave të pandershme: idetë nga psikoterapia mund të shihen si analogji e dobishme për trajtimin e tranzicionit pseudo-kognitive të AI-së, edhe nga ata që refuzojnë gjithë nocionin e mendjes së AI-së. Përqendrimi në marrëdhëniet midis prindërve ose programuesve dhe fëmijëve të tyre, mund të jetë gjithashtu i mirëpritur. Çfarë do të thotë ta rritësh mirë AI-në? Cili lloj i edukimit duhet të ndalohet? Deri në çfarë mase duhet të mbahen përgjegjës krijuesit e AI-së për dëmet e shkaktuara nga krijimi i tyre?
Edhe dëshirat njerëzore mund të kenë gjithashtu nevojë për një inspektim. Pse kaq shumë njerëz janë të etur për llojin e intimitetit që mund të sigurojë LLM-ja? Përse shumë njerëz me ndikim duket se mendojnë se, për shkak se evolucioni tregon se speciet mund të zhduken, ka shumë të ngjarë që të ndërhyjnë me veprimet e veta ose të pasardhësve të tyre? Dhe, ku është vendosmëria për ta kthyer një racionalitet mbinjerëzor në diçka që jo thjesht nxit ekonominë, por që e ndryshon historinë për më mirë? /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje