Me moshë i vjetër 72 vjeçar, por në mendje i ri dhe shumë i kthjellët. Është hoxhë me profesion. Puna dhe vepra e tij jetësoi dëshirën e të gjithë shqiptarëve: që eshtrat e Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij t’i takojnë Kosovës dhe vendlindjes së tij, Boletinit.
Emri i tij është Mulla Asllan Murati. E ka mbaruar medresenë, shkollën e lartë histori-gjeografi dhe fakultetin e gjuhës arabe-turko edhe persiane në Prishtinë.
Në xhaminë e ‘Zallit’ në Mitrovicë është imam për 46 vjet. Në moshën 17 vjeçare ka dalë imam i xhamisë.
Figura e Isa Boletinit për Mulla Asllanin ka qenë e njohur qysh në fëmijërinë e tij. Ndikim të madh ka pasur edhe Tafil Boletini, sepse ka ndenjur shumë me të dhe shumicën e historisë së Boletinëve e ka marrë nga ai.
Për hoxhën, figura e Tafil Boletinit është një enciklopedi e gjallë, ndërsa për varrin e Isës ai ka dëgjuar nga një shokë i tij.
“Për varrin e Isa Boletinit më ka treguar një shokë i imi – Islam Zeqiri nga Kutllovci. Ai e ka kryer ushtrinë në Podgoricë dhe atje e ka parë varrin e tij me një gurë të vendosur në të cilën shkruhej ‘Isa Boletinac’”, ka thënë ai për Telegrafin.
Ëndrra e të gjithëve ka qenë që heronjtë të pushojnë në tokën e tyre. Këtë ëndërr nuk refuzoi ta thotë edhe Mulla Asllani, të cilin edhe pse e kanë mbuluar rrudhat në fytyrë, vërehet emocioni i patriotizmit.
“Gjithmonë kam ëndërruar që eshtrat e tij të sillen në Kosovë, përkatësisht në Boletin. Isa Boletini ka qenë nip i Zhabarit. Bëna e tij është quajtur Ajshe Zhabari. Kontributi dhe vepra e tij historike duhet të vlerësohen me grada të larta”.
Me shumë vullnet Mulla Asllani flet për veprimtarinë dhe jetësimin e ëndrrës së shumë të tjerëve.
“Në javën e fundit të muajit prill të vitit 1998, ka ardhur akademik Pajazit Nushi në Mitrovicë, me profesorin Masar Rizvanolli dhe profesorin Latif Berisha. Kemi biseduar për këtë çështje. Në atë kohë kam qenë kryetar i Bashkësisë Islame dhe njëkohësisht bashkëpunëtor i ngushtë i Latif Berishës. Ia pata lëshuar të gjitha xhamitë e Bashkësisë Islame për aktivitete – të sindikatave të ndryshme të minatorëve e edhe për studentë”, rrëfen hoxha.
E dinin që t’i sillnin eshtrat në Kosovë ishte një sakrificë shumë e madhe, pasi që dihej situata e vitit 1998. Megjithatë, ata ishin të vendosur që amanetin e Isës ta bënin realitet.
“Ndjehej era e luftës nga të gjitha anët. U mblodhëm në një shtëpi në lagjen ‘Ilirida’. Pajaziti na tregoi që ka tentuar qysh në vitet 1968-1970 që t’i tërheq eshtrat e Isës, pasi ka qenë në atë kohë përgjegjës për Arsim dhe Kulturë të Kosovës, mirëpo nuk iu lejua në atë kohë në mënyrë zyrtare nga një akademik i Podgoricës. Meqë në mënyrë shtetërore kishin provuar, ata kërkuan që tentimin e radhës ta bëjmë përmes Bashkësisë Islame. Unë pa hezitim iu thash që këtë punë do ta marr përsipër, mirëpo nuk i garantova se do të kem sukses”, tregon tutje Mulla Asllani.
Rruga për në Podgoricë ishte sfiduese, por shume lehtë për të depërtuar deri tek varret e Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij.
“U nisëm për Podgoricë, në Mal të Zi. Ishte 6 maj i vitit 1998. Kam shkuar së bashku me Muhamet Shukriun e Prizrenit, Remzi Muratin – nipin e Isës, dhe me një shofer të fshatit Kçiq, Fetah Hasanin. Duke shkuar rrugës, në Rozhajë na kanë ndalur Policia. U drejtuan tek unë duke më thënë që të dal nga vetura. Në atë moment po më kontrollonin se mos kam armë. Iu drejtova në gjuhën serbe se jam teolog, se nuk mbajë armë e se arma ime është lapsi dhe gjuha. ‘Vlladikën (të parin e fesë ortodokse në Mal të Zi) a kishe për ta kontrolluar? Besimtarët e besimit islam kur e shohin vlladikën tuaj e përshëndesin, ndërsa ti po më kontrollon’, i thash. Polici mbeti pa tekst. Menjëherë na liruan. Arritëm në Podgoricë. U drejtuam tek varrezat. Duke u bazuar tek një skicë e gjetëm varrin e Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij. Ishte tetë metra nga rruga në drejtim të varrit. Para se të shkoj te varri, hoqa kapelën time duke e lënë në karrige të veturës”, thotë ai.
Mulla Asllani e kishte një të njohur atje. Profesor Idriz Demiraj në atë kohë ishte kryetar i Bashkësisë Islame në Podgoricë. Meqë kishin punuar më herët bashkë, ai u mbështet tek ndihma që do t’ia kërkoj atij.
“Meqë e shikuam varrin, u nisëm nga aty drejt e në Bashkësinë Islame. Kryetarin Idriz Demiraj nuk e gjetëm aty. Atë natë e kemi kaluar në Podgoricë. Të nesërmen shkuam sërish dhe e gjetëm. Na priti shumë mirë. I drejtohem: ‘Idriz efendi ne kemi ardhur me punë. Duam t’i tërheqim eshtrat e Isa Boletinit’. Më pyeti ku janë varret, e unë i thash se janë në Pobërxh (ashtu quhej ai vend). Edhe ai ishte i mendimit që do të jetë e vështirë marrja e eshtrave. I tregova mënyrën se si mund t’i marrim”.
Vështirësitë, sipas Mulla Asllanit, ishin prezente, pasi që bëhej fjalë për Isa Boletinin. Por, mënyra më e lehtë ishte depërtimi përmes një shkrese nga Bashkësia Islame tek Kuvendi Komunal i Podgoricës.
“Në varreza kishin filluar të ndërtoheshin banesa shumëkatëshe dhe një park lojërash për fëmijë. I tregova që duhet t’ia dërgojmë një shkresë Komunës se Podgoricës dhe të shkruajmë se ‘po bëhet diskriminim i të parëve tanë dhe ndaj neve si pasardhës të tyre. Prandaj kërkojmë nga Kuvendi Komunal i Podgoricës të na lejojë që eshtrat e të parëve tanë t’i marrim nga këto varreza’. Pa hezituar, fjala ime mori miratimin e Demirajt. Pasi e shkruam shkresën, e dërguan në Komunë. U kthyem për Kosovë”.
Mirëpo vendimi, sipas tij, erdhi pas disa muajsh. Ishin në pyetje shumë pak ditë për ta kryer aktin final të marrjes së eshtrave.
“Nga muaji maj e deri në tetor s’kemi marrë asnjë lajm. Në muajin tetor, në orën 12 të natës më ka telefonuar Idrizi, që më thotë: ‘Mulla Asllan shpejt të vish, se ka dalë fleta zyrtare nga Mali i zi ku thotë se kush dëshiron t’i marrë eshtrat në Pobërxh janë të lirë t’i marrin’. Menjëherë kam ardhur në zyrën time dhe e kam ftuar Latif Berishën (profesorin e ndjerë) duke i treguar për telefonatën me Idrizin. Të nesërmen Latifi shkoi në Prishtinë tek presidenti Ibrahim Rugova. Ai ia ka dhënë Latifit dymijë marka për t’i hequr shpenzimet e marrjes së eshtrave të Isa Boletinit”.
Edhe pse Mullas Asllani nuk shkoi vet personalisht, ai dërgoi për t’i marrë eshtrat Muhamet Shukriun dhe Remzi Muratin (nipin e Isës).
“Ata me shumë sakrificë i kishin nxjerrë eshtrat nga varrezat dhe i kishin vendosur në qese të plasmasit dhe në çanta sportive. I kishin larë me një furçe të gjitha eshtrat dhe janë nisur për në Kosovë”.
Pasi erdhën në Mitrovicë rreth orës katër, Mulla Asllani u takua me ta tek xhamia e “Haxhi Veselit”.
“Në zyrën time i kam pas dy divane, dhe aty i futa të gjitha çantat. Ma treguan të gjithë ngjarjen e marrjes së eshtrave. Muhamedi atë ditë u nis për Prizren. Pas dy ditë qëndrimi në Prizren, ka ardhur sërish. I kishte bërë disa letra të plastikës me emrat e tyre ku edhe ia ngjitëm qeseve”.
Nuk dinin ku t’i varrosnin eshtrat, pasi ishte rrezik të dihej se Isa Boletini ka ardhur në Mitrovicë, andaj amanet ia lanë Mulla Asllanit.
“Unë, Muhamed Shukriu dhe Latif Berisha mendonim se ku t’i varrosnim eshtrat. Mendimi ishte për tek varrezat e Zhabarit, meqë edhe Isa Boletini ishte nip Zhabari. Kur shkuam tek varrezat, ishte një kasolle që përdorej për elemente të ndryshme. Unë reagoj dhe them që ta varrosim përkohësisht këtu. Aty Muhamed Shukriu më tha: ‘Hoxhë, po më vjen turp prej Isa Boletinit me e vendos në këtë kasolle’. Unë i them që e di këtë, sepse ky meriton një saraj, por me situatën në të cilën ndodhemi duhet ta gjejmë një zgjidhje. Nga aty u kthyem sërish në Mitrovicë. U ulëm për të pirë një kafe. Aty të dy më thanë që eshtrat të rrinë tek unë duke ma lënë amanet”.
Mulla Asllani, së bashku me dy punëtorë arritën t’i varrosin eshtrat në xhaminë e “Haxhi Veselit” në Mitrovicë.
“Aty u ndamë secili në punët e tyre. Unë fillova të siguroj një arkivol të metaltë dhe një bombole me oksigjen. Sigurova dy mjeshtër që dinë ta saldojnë. Ata janë haxhi Mustafa Shala dhe haxhi Mehmet Berani. I vendosëm të gjitha eshtrat në arkivol. Skeleti i Isa Boletinit ishte më i zhvilluari nga të gjithë. Dy orë kemi bërë derisa i salduam. Pas jacisë, ne të tre dolëm në oborr të xhamisë dhe e hapëm një varr. E mbuluam me plasmas në mënyrë që ta ruaja arkivolin nga lagështia. Varri u mbulua dhe mbi të vendosa një gurë të vjetër në mënyrë që edhe kur ta shohin varrin, të tjerët të mos mendojnë që është varr i ri po i vjetër”.
Eshtrat e Isa Boletinit kanë qëndruar aty deri në vitin 2004, kur u formua edhe këshilli për rivarrim.
“Presidenti Ibrahim Rugova kishte caktuar dy ministrat e atëhershëm, Behxhet Brajshorin dhe Behxhet Osmanin, për përgatitjen e rivarrimit të Isa Boletinit. Këshilli përbëhej nga 25 anëtarë, ndër ta ishim edhe unë, Remzi Murati, Pajazit Nushi, Zekeria Cana, Arif Muçolli, Ramadan Kelmendi, Mursel Ibrahimi, Hajdar Peci etj. U organizua i gjithë skenari për të bërë rivarrimin e eshtrave të Isës dhe të bashkëluftëtarëve të tij gjithashtu edhe data 7 shtator i vitit 2004”.
Jo çdo gjë shkoi si e kishin planifikuar, pasi që situata e ndjeshme e veriut të Mitrovicës – ku edhe gjendej fshati Boletin – ishte mjaft specifike. Kjo doli pengesë për ta arritur qëllimin e kamotshëm.
“Mirëpo, pasi ia dërguam KFOR-it organizimin tonë, ata u përgjigjën se gjenerali Agim Çeku (i cili ishte paraparë që të merrte pjesë), nuk do mund të jetë prezent në Boletin. E informuam presidentin Rugova përmes dy ministrave. Ai u përgjigj se Isa Boletinit ose do t’i bëhet ceremonia e varrimit siç duhet ose të mos bëhet hiç. Kështu rivarrimi u shty për një afat të pacaktuar”.
Meqë eshtrat mbaheshin sekret, dikush e kishte rrëzuar gurin e varrit. Mulla Asllani ndërmori masa të menjëhershme.
“Kur shkova te varri, dikush gurin e kishte rrëzuar. Më hyri frika. Në atë moment i kam thënë dy djemve të mi të ma sigurojnë një furgon që ta dërgojmë arkivolin në oborrin e shtëpisë sime. Ashtu edhe vepruam. E vendosëm tek një objekt përcjellës në oborr timin. Në dijeni për këtë ishin familja ime”.
I mbushur nga emocionet dhe me lot në sy, ai shpjegon momentin kur para varrit ia kumtoi lajmin se Kosova e fitoi pavarësinë e shumëpritur.
“Kur u shpall pavarësia e Kosovës, shkova te varri dhe i thashë më lot në sy: ‘Pusho e gëzohu për ata që dhanë pasurinë, jetën, e që sot u bë realitet’”.
Deri në vitin 2011 eshtrat kanë qëndruar tek oborri i shtëpisë së Mulla Asllan Muratit, ku më pas i janë dorëzuar autoriteteve të Komunës së Mitrovicës.
“Në vitin 2011 e kemi mbajtur një tubim në fshatin Boletin. Iu kam thënë gjatë fjalimit tim, të gjithëve, se nëse nuk ndërtohet kulla e burrave, unë nuk ua dërgojë eshtrat e Isës me bashkëluftëtarë. Dhe, po ashtu u kam thënë mos të quhet ‘Kulla e Isa Boletinit’ por ‘Kullat e Isa Boletinit’, sepse aty janë dy kulla. Mirëpo, pasi ishte e domosdoshme analiza ADN-së, në mënyrë shumë solemne ua kam dërguar komunarëve eshtrat e Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij”, përfundon rrëfimin e tij, Mulla Asllani. /Elfije Boletini/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDenisa Kele për kriptovalutën "Trump”: Bleva pak, kishte 10 milionë kërkesa në sekondë
Reagime pasi Serbia dëbon 13 aktivistë të shoqërisë civile, përfshirë shqiptarë
Zbardhet pas 27 vitesh vrasja e dy vëllëzërve shqiptarë në Beograd
Politikani serb: Vuçiq ka ndarë para për të blerë votat e 5 mijë serbëve për Listën Serbe
Babai i 3-vjeçarit të dhunuar fizikisht nga edukatorja: Nuk e fal gjakun e fëmijës, mos më kërcënoni
Dervishi: Ervis Martinaj kishte sasi të madhe të kriptovalutave kur u kap
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Çfarë është La Niña, a do të ndryshojë motin e Evropës dhe a do të sjellë probleme?
Eskalon deri në prekje fizike debati mes Gjestit dhe Loredanës për cigaret në BBVA
Një ditë para finales së Big Brother - Alaudin Hamiti jep disa informacione për publikun
I tha se Eglit i shkëlqenin sytë më shumë për të, Gjesti i drejtohet Aldos: A po sheh që ta dridhi, ua kam mbaruar kulaçin
Denisa Kele për kriptovalutën "Trump”: Bleva pak, kishte 10 milionë kërkesa në sekondë
Reagime pasi Serbia dëbon 13 aktivistë të shoqërisë civile, përfshirë shqiptarë