LAJMI I FUNDIT:

Apeli i GJKKO jep dënimet për ish-kryebashkiakun e Lezhës dhe të tjerët, 4 vite burg për Fran Frrokaj

Apeli i GJKKO jep dënimet për ish-kryebashkiakun e Lezhës dhe të tjerët, 4 vite burg për Fran Frrokaj

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Florjan Kalaja (anëtar) shpalli sot vendimin lidhur me çështjen ku përfshihet ish-kryebashkiaku i Lezhës, e regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

GJKKO vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 13 datë 01.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:

1-Deklarimin fajtor të të pandehurit F.F. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.


Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit F.F. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

2-Deklarimin fajtor të të pandehurit B.C. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit B.C. me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.

Në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal caktimin për të pandehurin B.C. të dënimit plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 (pesë) vjet.

3-Deklarimin fajtore të të pandehurës J.M. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 2 (dy) vjet burgim.

Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurës J.M. me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurën J.M. dhe vënia në provë për një afat prej 5 (pesë) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

Urdhërohet e pandehura J.M. që të mbajë kontakte me shërbimin e provës Zyra Vendore Lezhë.

Në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal caktimin për të pandehurën J.M. të dënimit plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 (pesë) vjet.

Mospranimin e ankimit të ankuesit shoqëria *** sh.p.k ndaj vendimit nr. 13 datë 01.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Shpenzimet procedurale edhe të gjykimit në apel ju ngarkohen solidarisht të pandehurve apelues.