LAJMI I FUNDIT:

Gjashtë ikonat e artit shqiptar që ndërruan jetë në vitin 2020

Gjashtë ikonat e artit shqiptar që ndërruan jetë në vitin 2020

Viti 2020 ka qenë një vit i shënuar me humbje të mëdha në botën e kulturës dhe artit në përgjithësi.

Krahas situatës me COVID-19 e vështirësive që hasëm përgjatë 12 mujave, ky vit do mbahet mend edhe për vdekjen e disa prej ikonave të artit shqiptar.

Nexhmije Pagarusha, Leze Qena, Violeta Rexhepagiqi, Shahindere Bërlajolli-Stafaj, Adem Mikullovci dhe Ismet Peja, janë këta 6 yjet shqiptare që ndërruan jetë përgjatë vitit 2020.


Nexhmije Pagarusha

Nexhmije Pagarusha (Foto: Facebook)

Në fillim të këtij viti, pikërisht më 7 shkurt u bë e ditur se ka ndërruar jetë bilbili i muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha.

Ikona, e cila ishte 86 vjeçe, u largua nga kjo botë me një karrierë të bujshme muzikore, e cila ka lënë gjurmë në diskografinë e muzikës së mirëfilltë.

Kush ishte Nexhmije Pagarusha? Jeta dhe karriera profesionale

Nexhmije Pagarusha u lind në Pagarushë (Komuna e Malishevës) më 7 maj të vitit 1933.

Veprimtaria e saj muzikore 40 vjeçare është aq e gjerë, saqë është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është po ashtu e njohur për interpretimet e shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj, Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Ajo numëron edhe këngë tjera të famshme si: ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, ”Ke selvitë”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Çil njat zemër plot kujtime”, “Dallëndyshe”, “Një lule”, “Zambaku i Prizrenit” etj.

Në vitin 2018, Nexhmija u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti Amerikan, Donald Trump.

Më 7 maj 2018, u nderua me dekoratë nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Ndërkohë në vitin 2018, Ministria e Kulturës e nderoi me mirënjohje këngëtaren e emëruar si “Bilbili i Kosovës”, për kontributin e saj përgjatë viteve.

Leze Qena

Leze Qena (Foto: Instagram)

Një tjetër vdekje që tronditi mbarë popullin shqiptar ishte edhe ajo e aktores së mirënjohur, Leze Qena. Kjo e fundit ndërroi jetë më 25 mars derisa po qëndronte në mjekimin intensive qendror në Prishtinë.

E njohur për rolet e shumta, Qena u largua nga kjo botë duke lënë një zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën në vend.

Leze Qena – Jeta dhe veprimtaria

Leze Qena ka lindur më 1 mars 1935.

Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, për të vazhduar më tej në Prishtinë.

Ajo ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e Teatrit të Kosovës dhe ka qenë e angazhuar me role të shumta në skenën teatrore kombëtare, ndërsa u nderua me mirënjohje të ndryshme për punën e saj.

E njëjta ka qenë pjesë e komedisë “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët (viti 2000), “Po e zëm, po e zëm” (viti 1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (viti 1975), “I ikuri” (Viti 1980), “Shkolla e Fshatit” (1987), “Qesh e ngjesh” (1982), “Të gjithë me ne”, (2000), “Familja Moderne” (2001-2011), “Kombinati” (2012-2015), “Çka ka Shpija”.

Sa i përket jetës personale, Leze ishte e martuar me aktorin e ndjerë, Xhevat Qena.

Violeta Rexhepagiqi

Violeta Regjepagiqi (Foto: Facebook)

Violeta Rexhepagiqi, e njohur më mirë për punën e saj si gazetare dhe këngëtare, ka ndërruar jetë më 16 prill të vitit 2020.

E njëjta, e cila njëherësh ishte motra e Armend Regjepagiqit, do të mbahet mend për kontributin e madh që ka dhënë në fushën e gazetarisë.

Njihuni më shumë me jetën dhe karrierën e artistes shqiptare

E lindur në vitin 1975, ajo mbetet një prej këngëtareve më avangarde të një kohe tjetër në Kosovë. Mësimet e para Violeta i ndoqi në shkollën e qytetit – “Faik Konica”. Pas suksesit me këngë dhe si spikere për programe të fëmijëve në “Radio Prishtinë”, ajo filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ultë të muzikës.

Ka interpretuar rreth 40 këngë për fëmijë për të kaluar më pas në një dimension tjetër, në këngët për të rritur, aty ku edhe dolën hitet e saj si solo këngëtare por edhe bashkë me Armend Rexhepagiqin e Aida Barakun.

Rexhepagiqi shquhej për ekstravagancë dhe avangardë që në vitet 1980, si në muzikë ashtu edhe duke rikonceptuar modën jashtë klisheve të kohës.

Këngët më të njohura nga ajo janë: “Romantika”, “Vjollcat”, “Zhurmë e erërave të dikurshme”, “Nuk të harroj”, “Në Egjipt” etj.

Shahindere Bërlajolli-Stafaj

Shahindere Bërlajolli-Stafaj (Foto: Facebook)

Këngëtarja Shahindere Bërlajolli – Stafaj është një tjetër yll shqiptar që u shua gjatë këtij viti.

Ajo vdiq më 3 maj të vitit 2020 në moshën 74 vjeçare, ndërsa shquhej si ikonë e muzikës popullore shqiptare.

Jeta dhe veprat e Bërlajolli-Stafaj

Shahindere Bërlajolli rrjedh prej një familje vendase të qytetit të Pejës, familje kjo e njohur për kontribut të vlerave të profileve të ndryshme brenda familjes. Që nga viti 1959, në moshën 13 vjeçe, Shahinderja bëhet solistja e parë më e reja profesioniste në muzikën artistike popullore.

Hitet e mëdha të Shahinderes sot përpunohen nga këngëtarë të ndryshëm të estradës shqiptare. U martua me kompozitorin e njohur Enver Stafai në Gostivar, me këngët e së cilit triumfoi pesë vite radhazi në festivalin e vetëm të asaj kohe Akordet e Kosovës.

Ky çift bashkëshortor lanë gjurmë të pashlyera në botën artistike muzikore kombëtare. Të njëjtit sollën në jetë tre djem, Albanin, dhe binjakët Arditin dhe Astritin që sot e kësaj dite vazhdojnë rrugëtimin e prindërve.

Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese.

Në qershor 1970, Shahindere Bërlajolli merr pjesë në “Akordet e Kosovës 1970” me këngën “Vaji i Vashës”.

Adem Mikullovci

Adem Mikullovci (Foto: Facebook)

Humbje e madhe në këtë vit është konsideruar edhe vdekja e aktorit të mirënjohur shqiptar, Adem Mikullovci.

Ai u nda nga jeta më 15 shtator 2020, ndërsa vdekja e tij u njoftua nga familjarët në rrjete sociale.

Për çfarë la gjurmë në kinematografinë shqiptare Adem Mikullovci?

Adem Mikullovci u lind më 1937 në Komunën e Vushtrrisë.

Mikullovci bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës (Teatri Kombëtar i Kosovës).

Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd, në vitin 1968 kthehet në Prishtinë dhe fillon punën në teatër.

Prej atij viti e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci bëri një karrierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore.

Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet “Duke pritur Godonë”, “Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie (nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja”, etj.

Gjithashtu ai ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si “Pas vdekjes” (Çajupi), “Mosha e bardhë” (D. Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit” (dramatizim i veprës së autorit Q. Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”.

Pos aktrimit, Mikullovci iu bashkua edhe politikës.

Në vitin 1990 ai ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.

Mikullovci hyri sërish në politikë kur u bashkua me Vetëvendosjen në maj të vitit 2017. Në zgjedhjet parlamentare të atij viti, ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ismet Peja

Ismet Peja (Foto: Facebook)

Më 23 nëntor qyteti i Gjakovës, mbarë Kosova e Shqipëria mbeti pa këngëtarin e njohur, Ismet Peja.

Por, kush ishte Ismet Peja?

Ismet Peja lindi më 27 prill 1937, në një familje ku pothuajse të gjithë merreshin me këndim. Babai i tij, Musa Peja ishte këngëtar i njohur i kohës së Ymer Rizës, një tenor akut, ndërkohë që vëllezërit e tij, Qamil dhe Ismail Peja, po ashtu shquheshin për zëra shumë të bukur.

Shkollën fillore e kryen në vendlindje, pikërisht kur u hap dhe Gjimnazi i Gjakovës. Pas kryerjes së gjimnazit vendoset në Sarajevë, ku fillon studimet për drejtësi në Universitetin e Sarajevës. Krahas këtyre studimeve, fillon studimet edhe në Akademinë e Muzikës, po në Sarajevë, drejtimi i kantos. Në Sarajevë qëndron vetëm 18 muaj pasi, për shkak të kushteve ekonomike, detyrohet t’i lë njëherë e përgjithmonë studimet.

Incizimet e para i bën në Radio Prishtinën e atëhershme dhe pikërisht me këngët “Kah dera të erdha” të Mazllum Myezinit dhe “K’ndo o zog i malit” të Qamilit të Vogël, në vitin 1954, nën kujdesin e kompozitorëve dhe krijuesve të njohur Rexho Mulliqi dhe Lorenc Antoni. Në vitin 1959 punësohet si këngëtar në Radio Prishtinë, por shumë shpejt e ndërpret punën për t’u kthyer në vendlindje.

Pas kthimit në Gjakovë, fillon punën si mësues në shkollën “Zef Lush Marku” të fshatit Brekoc, bashkë me muzikantë tjerë, si Asllan Kryeziu, Avni Zherka, Nazim Dylatahu etj.

Ka bërë bashkëpunime të shumta e ka marrë pjesë në shumë festivale si: “Akordet e Kosovës” , “Gjakova”, “Zambaku i Prizrenit” etj. Ka kënduar në shumë skena të shteteve të Evropës dhe në ShBA.

Ka marrë me dhjetëra e qindra mirënjohje. Në vitin 1991, në Festivalin Mbarëkombëtar në Shkodër i jepet ‘Çmimi i Nderit’ bashkë me këngëtarin tjetër Esat Bicurri.

Ka të inçizuara në studio mbi 300 këngë. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Ronaldo pret në intervistë YouTuber-in e famshëm MrBeast, e pyet se a frikohet që futbollisti do t'ia kalojë me shikueshmëri

Ronaldo pret në intervistë YouTuber-in e famshëm MrBeast, e pyet se a frikohet që futbollisti do t'ia kalojë me shikueshmëri

Magazina
Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike

Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike "Provocativo"

Magazina
Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Magazina
Arioni vendoset në siklet nga pyetja e publikut rreth familjes së Dianës

Arioni vendoset në siklet nga pyetja e publikut rreth familjes së Dianës

Magazina
Kalo në kategori